Sport

“Dy zemra unë me i pasë, dyjat t’i kisha falë”

Adhuruesit e “xehetarëve” ia kanë kthyer shkëlqimin basketbollit të Kosovës, por janë të bindur se Mitrovicës do t’ia kthejnë trofeun e kampionit pas titullit të fundit të fituar më 2012. “Po të drejtën me thanë, këtu në Mitrovicë kemi shumë shokë që janë në mërgim për shkak të situatës, dhe kemi shumë shokë që na kanë thirrë për bileta”, thekson tifozi Vedat Kurshumliu, i cili po shoqërohej me njërin prej miqve të kthyer kastile për ndeshjen e tretë me Pejën. “Dhe tash po dihet ky sezon qysh është dhezë dhe me hjek modestinë prej vetes, vetë fakti që Trepça bahet e fortë, edhe vetë liga dhezet”

Gazetari Urall Boshnjaku thotë se qyteti i tij jeton e frymon me basketbollin. Dhe vlerësimet e rrëfimin e tij zgjedh t’i ndajë para palestrës që mban emrin “Minatori”, në nderim të minatorëve që do të dridhnin themelet e Jugosllavisë në fund të viteve tetëdhjetë, kur paralajmëruan se Serbia e donte ish-Federatën si Serbi të madhe. Sot palestra e “xehetarëve” është kthyer në arenë gare e feste.

Në platenë ndërmjet saj dhe fanshopit të klubit Trepça, disa tinejxherë mitrovicas presin kot se do të mund të sigurojnë biletë për ndeshjen e tretë të serisë finale kundër Pejës.

“Përveç basketbollit, Mitrovica njihet edhe për sporte të tjera, por tifozëria është e zjarrtë në ndeshje të basketbollit, dhe kjo vërehet dukshëm prej palestrës ‘Minatori’, e cila rrallëherë është e zbrazur – ndodh vetëm kur nuk ka ndeshje”, thekson Boshnjaku.

Kur basketbolli përcillej në transistor

Veshur me fanellën e motrës, Tuanës, filloriste, Boshnjaku përmbledh kujtimet dhe dashurinë për basketbollin. Më të veçantat lidhen me gjyshin e tij të ndjerë.

“Gjyshi im i ndjerë ka qenë tifoz i flakët i ekipeve, si të basketbollit, por edhe të sporteve të tjera”, thekson ai. “Por çfarë është më interesante është se gjyshi im, kur kishte reduktime të rrymës e merrte radion dhe e dëgjonte komentimin e lojës. Tash imagjinoje qysh me dëgju lojën pa pasur pamje”, shton me qeshje Boshnjaku.

Image

Prapa tij, tifozë të rinj mitrovicas vazhdojnë të kthehen të dëshpëruar nga pikat e shitjes së biletave. Brenda në palestër, drejtuesit dhe stafi teknik i klubit kujdesen për vendosjen e letrave të bardha A4 me emrat shkruar me të zezë të mysafirëve të ftuar që u janë ndarë vendet në karriget prapa koshave.

Izet Tahiri, drejtor klubit, shënon me të parën në gjuajtjen për tri pikë pas kërkesës së kameramanit Xhengiz Maqedonci, që të marrë pamje për emisionin “Cosmo” në KTV. Tahiri ishte pjesë e ekipit të trajnerëve të klubit para se të merrte përsipër postin menaxhues.

“Me riorganizimin e klubit, me sukseset që kanë ardhur për këto dy vite, është shumë normale që është rritur edhe interesimi i qytetarëve për basketboll”, thekson Tahiri në zyrën e klubit në hyrje të palestrës. Prapa shpinës shkëlqejnë trofetë e Trepçës. “Ne jemi krenarë, sepse duke marrë parasysh situatën çfarë e kemi në Mitrovicë, të paktën qytetarët tanë nga mosha 1 e 2-vjeçare e deri te gjyshet e gjyshat tanë janë pasionontë për basketbollin”.

Përgjatë sheshit pranë shtatores së heroit Isa Boletini, qytetarët e moshave të ndryshme shëtisin me veshje gjelbër e zi. Në anën tjetër është obelisku kushtuar xehetarëve.

Sivjet është fuqizuar edhe më shumë lidhja e mitrovicasve për klubin e tyre të zemrës, Trepça tani po barazon 2:2 në serinë finale të plejofit. Ndeshja e pestë dhe vendimtare luhet të enjten e ardhshme në Mitrovicë. Dhe kërkesa për biletë sërish do të jetë e jashtëzakonshme.

Ishte viti 2012 kur minatorët për herë të fundit fituan titullin e kampionit.

“Kryeqytet i basketbollit”

Pjesë e ekipit të fundit kampion ishte edhe nënkryetari aktual i Komunës së Mitrovicës së Jugut, 29-vjeçari Arian Tahiri, i cili para finales së tretë të së enjtes kishte veshur kastile xhemper me ngjyrat e skuadrës që dikur ia djersiti fanellën.

“Mitrovica cilësohet, por edhe na mitrovicalinjtë besojmë se Mitrovica është kryeqytet i basketbollit”, thekson Tahiri në oborrin e gjelbër para ndërtesës së Komunës. “Pra, një qytet me shumë të rinj e të reja, me talent, me energji, me ambicie, të përkushtuar e të dedikuar kah aktivitete sportive, edukative, por edhe nga kultura, por është më e theksuar në fushën e basketbollit”.

Zyrtarët komunalë e drejtuesit e basketbollit thonë se qyteti ka disa shkolla basketbolli. Izet Tahiri, drejtori i Trepçës, thotë se shumica e nxënësve të tij i shkojnë në sallë me fanella të klubit mitrovicas në orët e edukatës fizike. Ai është edhe arsimtar i Edukatës Fizike në njërën nga shkollat e qytetit.

Trepça ka hapur vjet fan-shopin e parë zyrtar, ku tifozët i blejnë rekuizitat e klubit të shpirtit. Me fanellat e basketbollistëve të tyre, sidomos të mitrovicasit Drilon Hajrizi, shëtisin krenueshëm edhe nëpër qytet.

“Dhe qytetarët e Mitrovicës janë shumë të lumtur me pasë afër vetes një fanellë, ndërresë a çfarëdo qoftë ajo dhe ndiejmë kënaqësi shumë të madhe kur i shohim edhe fëmijët”, thekson Izet Tahiri në zyrën me pamje kah fan-shopi poshtë rrugës që zgjatet sipër urës që e ndan qytetin me veriun.

Mërgimtarët që kthehen për një ndeshje

Interesimi i madh i shikuesve dhe kthimi i fuqishëm i Trepçës në luftën për titull kanë bërë që nga diaspora të vijnë mërgimtarët mitrovicas për ta shikuar edhe një ndeshje të vetme.

Vedat Kurshumliu, tifoz, anëtar i tifo-grupit “Torcida”, shoqërohet me njërin prej atyre që kishte ardhur për ndeshjen e tretë. Mërgimtari nuk dëshiron të flasë para kamerës e as për gazetë.

“Po i presim edhe tre të tjerë”, thotë shkurt ai.

“Po të drejtën me thanë, këtu në Mitrovicë kemi shumë shokë që janë në mërgim për shkak të situatës, dhe kemi shumë shokë që na kanë thirrë për bileta”, thekson Kurshumliu, derisa flet për kthimin e shokëve për ndeshje. “Dhe tash po dihet ky sezon qysh është dhezë dhe me hjek modestinë prej vetes, vetë fakti që Trepça bahet e fortë, edhe vetë liga dhezet”.

Ai dhe Adnan Musa – Naki, ish-kryetar i tifozerisë “Torcida”, thonë se pjesëmarrja e Trepçës në plejof i ka mobilizuar edhe klubet e tjera.

“Basketbolli pa Trepçën nuk ekziston”, është i prerë Naki, i cili drejtoi Torcidën për njëmbëdhjetë vjet me radhë. Ai thotë se vetëm kur Trepça “tregoi dhëmbët” para plejofit “i dhezi edhe qytetet e tjera” që nuk i kishin të mbushura palestrat gjatë kampionatit të rregullt. “Para pesë-gjashtë ndeshjeve e dimë qysh e ka pasë palestrën, me Trepçën po mbushet. Njëjtë edhe Prishtina”, thekson Naki, duke iu referuar ndeshjeve të Sigal Prishtinës që e eliminuan në gjysmëfinale. “Na jemi motori i basketbollit”.

Interesimi i jashtëzakonshëm i mitrovicasve për të siguruar një biletë ka rrokur vëmendjen e mbarë Kosovës, duke ndikuar kështu në ngritje të shikueshmërisë së plejofit edhe nëpërmjet ekraneve televizive.

Ndalimi i tifozëve mysafirë “po ia prish shyhretin”

Por Federata e Basketbollit e Kosovës, pas disa incidenteve para fazës finale të kampionatit, ka marrë vendim që ndeshjet të luhen pa tifozët mysafirë.

“I keni pa fotot kur ka ndeshje: Biletat dalin dhe pesëmbëdhjetë minuta ekzistojnë dhe shiten”, thekson Naki. “Në çdo lokal, në çdo kafe, në çdo shtëpi, kudo ambient që gjendem, basketbolli është tema kryesore, saqë aq shumë i ka dhënë hije, kudo që shkojmë në Kosovë flitet vetëm për basketboll, flitet për Trepçën”.

Megjithatë, në qytetin e ndarë në dysh e që vëmendjen e madhe kombëtare e ndërkombëtare e rrok më shumë për shkak të tensioneve politike të shkaktuara nga serbët e veriut, ndeshjet e basketbollit përbëjnë më shumë se sfidë sportive për fitore në palestër.

“Po ia prish shyhretin”, thekson Kurshumliu, duke krahasuar derbi të mëdhenj në rajon e Evropë, ku skuadrat lokale kanë rivalitet të madh dhe shpesh duhet ndërhyrja e njësiteve speciale për qetësimin e gjakrave. “Rivaliteti, ndeshja që zhvillohet, zhvillohet për tifozë. Mendoj se është një gabim i madh ndalimi i tifozëve mysafirë”, thekson ai, duke kërkuar që Ministria e Brendshme t’i marrë masat e nevojshme të sigurisë.

“Statistikisht dihet që Mitrovica është qyteti më i varfër në Kosovë. Ka numrin më të madh të familjeve që marrin asistencë sociale në nivel vendi”, thekson gazetari Boshnjaku. “Praktikisht, kjo lidhet me çështjen e veriut”, shton ai, duke e ndërlidhur zhvillimin ekonomik me zgjidhjen e veriut.

Por ndeshjet e basketbollit i bëjnë qytetarët e zonës që t’i harrojnë përkohësisht vështirësitë ekonomike e politike. Dhe xehetarët janë të bindur se në fund të finaleve do ta lartësojnë trofeun e kampionit.

Nënkryetari Tahiri thekson se Mitrovicës i duhet ndihma e Qeverisë qendrore për ndërtimin e një palestre që do t’u bënte vend të gjithë tifozëve të Trepçës. “Sporti është vlerë, merr vëmendjen dhe fokusin sot. Diskutimi është vetëm basketbolli, vetëm Trepça, vetëm basketbollistët dhe është festë në qytetin e Mitrovicës”, thekson ai.

Por edhe nëse nuk do t’ia shtojnë edhe një trofe vitrinës së tyre në palestrën “Minatori”, tifozët tashmë janë krenarë që ia kanë shtuar shkëlqimin basketbollit të Kosovës.

“Nuk besoj se humbja e zbeh këtë atmosferë të flakët në Mitrovicë. Nuk besoj se kemi me humb”, thekson Boshnjaku. “Mirëpo përveç investimit të madh ekonomik që është ba në klub, mund të vërehet edhe një investim i madh i qytetarëve të Mitrovicës në raport me klubin, të cilët është gjynah me i dëshpëru”, shton ai para hyrjes së palestrës.

Brenda saj, lart në tribunën e “Torcidës” themeluar 39 vjet më parë, në banerin e madh shkruan: “Dy zemra t’i kisha pas, dyjat t’i kisha fal”.