Sport

Dy ndeshje interesante në nismë të kampionatit

Të shtunën nis edicioni 2023/24 në Superligën e Kosovës në futboll. Në fundjavë, në kuadër të xhiros së parë do të zhvillohen katër ndeshje, pasi dueli ndërmjet Fushë-Kosovës dhe Gjilanit është shtyrë për kohë të pacaktuar. Shtyrja është bërë me kërkesën e Gjilanit, që ka mbetur pa lojtarët kryesorë shkaku i gjendjes së rëndë financiare dhe së ardhmes së paqartë të klubit pas largimit përfundimtar të kryetarit Florim Zuka.

Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje dhe të dielën dy të tjera. Të gjitha ndeshjet nisin prej orës 17:00. Dueli më interesant i ditës së shtunë do të jetë ai ndërmjet Prishtinës dhe Feronikelit ’74, ekip ky i krijuar vjet dhe i promovuar menjëherë në elitë. Prishtina, që është vendase, këtë ndeshje do ta organizojë në kampin nacional të FFK-së në Hajvali, për shkak të fushës së rënduar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në fakt, Prishtina dy ndeshjet e para si vendase do t’i luajë në Hajvali, me arsyetimin se duhet të riparohet tapeti i stadiumit në kryeqytet për të qenë gati për duelin që Kosova e luan më 9 shtator kundër Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Prishtinës nuk i është lejuar të luajë në këtë stadium pas rekomandimit dhe kërkesës së ekspertëve të UEFA-s për intervenim në fushë, sipas FFK-së. Edhe pse do të luajnë në Hajvali, te Prishtina janë të vendosur që edicionin e ri ta nisin me fitore. Kështu ka insistuar mbrojtësi i klubit kryeqytetas, Muhamed Useini. Ai ka thënë se Prishtina është përgatitur mirë dhe është plotësisht e gatshme, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë ndaj Feronikelit ’74.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë duke ditur se Feronikeli ’74 ka bërë mjaft përforcime me lojtarë që e njohin mirë ligën e Kosovës. Mirëpo, Prishtina në çdo ndeshje futet për fitore dhe besoj se do të kemi një start të mirë të kampionatit me tri pikë, duke e ditur se qëllimi i ekipit tonë është që sikurse edicionet e tjera të luftojë për pjesën e sipërme të tabelës”, ka thënë Useini.

Feronikeli ’74 ka qenë shumë aktiv në afatin kalimtar të verës, duke angazhuar një numër të madh futbollistësh, të cilët janë kryesisht me përvojë në futbollin kosovar. Njëri prej tyre është sulmuesi Alban Shillova, i cili do t’i prijë sulmit të ekipit nga Drenasi.

“Mendoj që kemi formuar një skuadër konkurruese, me djem të rinj dhe lojtarë me përvojë. Shpresoj ta fillojmë mirë edicionin, pasi kemi punuar shumë në fazën përgatitore. Kështu që shpresoj që edhe kampionatin ta fillojmë me rezultatin pozitiv. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe ne si ekip jemi plotësisht gati”, është shprehur Shillova, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Prishtinës.

Ndeshja tjetër e së shtunës është ajo që luhet në Klinë. Do të përballen Dukagjini e Malisheva. Skuadra e Dukagjinit këtë edicion e ka nisur më herët, pasi u paraqit në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës. E kaloi raundin e parë pasi eliminoi FC Europan e Gjibraltarit, ndërsa u ndal në të dytën nga Rijeka e Kroacisë.

Sulmuesi i krahut, Iljasa Zulfiu është i bindur se Dukagjini do ta mposhtë Malishevën për ta filluar kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, me tri pikë. Sipas tij, te Dukagjini janë të motivuar maksimalisht për ta fituar këtë ndeshje në shtëpi.

“Do të futemi për rezultat pozitiv ndaj Malishevës, pasi jemi përgatitur dhe kemi luajtur në arenën ndërkombëtare. Është me rëndësi që të fillojmë me fitore, pasi edhe këtë edicion synojmë një vend që dërgon në garat e UEFA-s. Sigurisht, nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por ne duam pikët e plota dhe po ashtu do ta kemi përkrahjen e tifozëve”, u shpreh Zulfiu.

Edhe Malisheva ka bërë ndryshime të mëdha gjatë verës. Forca e kësaj skuadre do të shihet të shtunën në Klinë.

Të dielën do të luhen dy ndeshje të tjera.

Kampioni në fuqi, Ballkani, e nis mbrojtjen e titullit kundër Lirisë së Prizrenit. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Përparim Thaqi”, në Prizren. Liria pas katër vjetësh është rikthyer në elitë, ndërsa Ballkani në dy edicionet e fundit është shpallur kampion.

Derbi i xhiros së parë do të luhet në Gjilan, saktësisht në fushën me bari sintetik. Skuadra e Dritës, që u eliminua në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Viktoria Plzeni, do të përballet me Llapin.

Superliga – I

E shtunë (17:00)

Prishtina – Feronikeli ‘74

Dukagjini – Malisheva

E diel (17:00)

Liria – Ballkani

Drita – Llapi