Te Drita po synojnë që ta mbajnë pozitën aktuale në tabelë edhe pas përfundimit të xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll. Drita aktualisht është lidere me 55 pikë, një më shumë se Ballkani që është i dyti, skuadra këto që do të luftojnë për titullin e kampionit këtë edicion. Ndeshjen e radhës Drita e luan në shtëpi dhe trajneri Arsim Thaqi nuk e ka vlerësuar aspak si të lehtë. E pret skuadrën e Trepçës ’89 në duelin që luhet të shtunën prej orës 15:00, në stadiumin me bar sintetik në qytetin e Gjilanit.
Në fakt, Drita synon t’i revanshohet ekipit nga Mitrovica, i cili e mposhti në ndeshjen e parë të këtij viti. Në xhiron e parë të stinorit pranveror, Drita pati pësuar 1:0 nga Trepça ’89 për ta humbur pozitën e parë në tabelë për disa xhiro nga Ballkani, të cilën sërish e ka rikthyer në javët e fundit. Te Drita kanë insistuar se janë përgatitur mirë dhe të gatshëm për të vazhduar me ritmin e fitoreve, në mënyrë që mos ta lëshojnë pozitën e parë që po e mbajnë. Në pesë ndeshjet e fundit, Drita ka regjistruar tri fitore karshi dy barazimeve.
“Sigurisht që po futemi në fazën më të rëndësishme të sezonit dhe jemi të përgatitur që të vazhdojmë ritmin e fitoreve. Synimi është ta fitojmë edhe këtë ndeshje, në mënyrë që të vazhdojmë drejt objektivit që e kemi”, ka thënë Thaqi të premten. “Çdo humbje është një mësim dhe shpresoj që kjo mos të ndodhë sikur që na ndodhi në ndeshjen e parë të këtij viti, të cilën e humbëm. Tash e kemi ndeshjen e kthimit dhe besoj se lojtarët janë të vetëdijshëm se na duhet fitorja dhe të vazhdojmë tutje. Pres që lojtarët të japin maksimumin dhe atë që e kemi bërë me Drenicën ta bëjmë edhe ndaj Trepçës ’89”, është shprehur Thaqi.
Skuadrës së Dritës në këtë ndeshje pritet t’i mungojë sulmuesi i krahut, Almir Ajzeraj, ndërsa mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori, ka insistuar se synimi është fitorja ndaj Trepçës ’89.
“Përballë kemi një kundërshtar të papërshtatshëm, por jemi përgatitur mirë gjatë dhe besoj në fitore në këtë ndeshje të rëndësishme”, shtoi Blakçori.
Në anën tjetër, edhe te Trepça ’89 janë shprehur optimistë para përballjes me Dritën, të cilën e kanë vlerësuar si të vështirë. 89-shi në këtë ndeshje futet pas humbjes 4:1 nga Prishtina, ndërsa në katër duelet e fundit të kampionatit ka regjistruar dy humbje dhe dy fitore. Për 89-shin, që zë vendin e tetë në tabelë me 29 pikë, kjo është ndeshja e dytë rresht që e luan në udhëtim.
“Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi Drita ka ekip cilësor. Ne jemi në një pozitë të vështirë dhe do të mundohemi të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë dhe këtë e kemi parasysh, por jam optimist se do të bëjmë një paraqitje të mirë për shkak se kemi nevojë për pikë”, ka thënë mbrojtësi i krahut të majtë, Gentrit Dumani.
Ndërkohë të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e kësaj xhiroje, e cila po ashtu starton prej orës 15:00. Skuadra e Ballkanit e pret në shtëpi Malishevën, ekip që po lufton për t’i shpëtuar rënies. Malisheva është e shtata me 29 pikë, ndërsa Ballkani i dyti më 54 pikë të mbledhura pas 27 ndeshjeve të luajtura. Ballkani xhiron e shkuar u kthye te fitorja pas një krize të vogël rezultatesh, ndërsa Malisheva nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit. Kjo xhiro e elitës së futbollit kosovar mbyllet të dielën me tri ndeshje që do të zhvillohen, po ashtu prej orës 15:00. Sigurisht se vëmendja do të jetë në kryeqytet, ku skuadra e Prishtinës e pret Dukagjinin në stadiumin “Fadil Vokrri”. Prishtina është në një seri prej dy fitoreve, ndërsa zë vendin e katërt në tabelë me 38 pikë, tri më shumë se Dukagjini që renditet i gjashti. Skuadra e Llapit do ta kërkojë edhe fitoren e katërt rresht, pasi në Podujevë përballet me Drenicën e pozitës së fundit. Ndërkohë dueli tjetër do të jetë ai ndërmjet Ferizajt dhe Gjilanit.
Superliga – 28
E shtunë (15:00)
Drita – Trepça ‘89
Ballkani – Malisheva
E diel (15:00)
Prishtina – Dukagjini
Llapi – Drenica
Ferizaj – Gjilani
1. Drita 27 16 7 4 51:25 55
2. Ballkani 27 15 9 3 45:25 54
3. Gjilani 27 10 10 7 26:29 40
4. Prishtina 27 10 8 9 36:28 38
5. Llapi 27 10 6 11 34:39 36
6. Dukagjini 27 10 5 12 28:28 35
7. Malisheva 27 7 8 12 40:42 29
8. Trepça ’89 27 7 8 12 35:46 29
9. Ferizaj 27 6 10 11 23:40 28
10. Drenica 27 6 5 16 22:38 23