Futbollistët e Dritës kanë një mision të qartë para vetes - ta fitojnë ndeshjen e radhës për ta mbajtur hapin në garën për titullin e kampionit. Fitorja mund të mjaftojë për kthim në pozitën e parë në tabelë, në rast të gabimit eventual të Ballkanit të Suharekës.
Por, ky mision nuk do të jetë aspak i lehtë për Dritën duke pasur parasysh se do të përballet me Prishtinën në derbin e xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja Drita - Prishtina zhvillohet të shtunën prej orës 15:00, në stadiumin me bar sintetik në Gjilan. Drita xhiron e shkuar humbi lidershipin pas barazimit pa gola në udhëtim te Dukagjini. Barazimin e shfrytëzoi Ballkani për të dalë në krye. Barazimi në Klinë bëri që Arsim Thaqi të japë dorëheqje nga posti i trajnerit të Dritës.
Në derbin ndaj Prishtinës skuadrën gjilanase do ta udhëheqë ndihmësi Afrim Shahini.
Drita ka 57 pikë në vendin e dytë. Ballkani udhëheq me 58 pikë dhe këto skuadra do të luftojnë deri në fund të edicionit për titullin e kampionit.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, të premten për KOHËN ka thënë se ekipi gjatë javës ka bërë përgatitje të veçanta në mënyrë që të jetë sa më gati kundër Prishtinës. Limani është optimist për pikët e plota, kurse vlerëson se gjithçka është e hapur në garën për titullin e kampionit.
“Gjithçka është e hapur pavarësisht gabimeve që i kemi bërë. Kemi gabuar ne, por edhe Ballkani nuk e kishte formën e mirë në ndeshjet e stinorit pranveror dhe kjo ka bërë që gara të jetë ende tejet e fortë. Kështu që lufta për titull do të jetë e hapur deri në fund”, ka paralajmëruar Limani. “Ndaj Prishtinës na pret një sfidë tejet e vështirë. Përballemi me një ekip që e ka gjetur formën dhe po luan shumë mirë. Por, ne kemi bërë përgatitje të veçanta dhe jemi shumë të motivuar për t’u kthyer te fitorja në këtë duel”.
Drita në dy ndeshjet e fundit kampionale ka marrë vetëm dy pikë. Kishte barazuar edhe me Trepçën ’89 si vendase. Ndërsa Prishtina ka dy fitore dhe një humbje në tri xhirot e kaluara. Prishtina renditet e katërta në tabelë me 41 pikë të mbledhura, ndërsa ka siguruar kalimin në finalen e Kupës së Kosovës. Të mërkurën Prishtina triumfoi 6:0 ndaj Vushtrrisë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale për të avancuar tutje me rezultatin e përgjithshëm 8:1.
Edhe te Prishtina synimet janë të mëdha për duelin me Dritën. Prishtinasit thonë se në Gjilan do të udhëtojnë për paraqitje të mirë dhe rezultat pozitiv. Sulmuesi i krahut, Albin Prapashtica, tregon se Prishtina është e motivuar para ndeshjes me Dritën.
“Pas kalimit në finalen e Kupës së Kosovës jemi maksimalisht të motivuar dhe ndaj Dritës do të shkojmë për rezultat pozitiv. Sigurisht duhet të bëjmë paraqitje të mirë për të arritur synimin dhe bazuar në ndeshjet e fundit mendoj se do t’ia dalim. Na pret një ndeshje e fortë pasi dihet që Drita ka një ekip të mirë dhe synon të kthehet te fitorja pas rezultateve të fundit. Por, ne jemi gati dhe do të japim gjithçka nga vetja që të dalim të pamposhtur nga kjo ndeshje”, tha Prapashtica, që po shndërrohet në lojtar të rëndësishëm te Prishtina.
Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e rëndësishme, por në garën për mbijetesë. Ferizaj e pret Malishevën, skuadra këto që i ndan vetëm një pikë në tabelë. Ferizaj është i teti me 31 pikë, ndërsa Malisheva e nënta me 30 pikë të mbledhura.
Xhiroja do të vazhdojë të dielën me tri ndeshje të tjera. Ballkani e pret në Suharekë skuadrën e Trepçës ’89, e cila xhiron e fundit triumfoi ndaj Llapit dhe është në vendin e shtatë në tabelë me 33 pikë të mbledhura. Llapi luan në shtëpi ndaj Dukagjinit, që ka dy fitore e një barazim në tri xhirot e fundit dhe ka 39 pikë sikurse ekipi nga Podujeva. Ndërkohë Gjilani që është finalist i Kupës së Kosovës, ka punë paksa më të lehtë për shkak se përballet me Drenicën në shtëpi. Drenica është e fundit në tabelë me 23 pikë të mbledhura. Në stinorin pranveror ka regjistruar 10 humbje e vetëm një fitore.
Superliga – 30
E shtunë (15:00)
Drita – Prishtina
Ferizaj – Malisheva
E diel (15:00)
Ballkani – Trepça ‘89
Gjilani – Drenica
Llapi – Dukagjini
1. Ballkani 29 16 10 3 48:27 58
2. Drita 29 16 9 4 52:26 57
3. Gjilani 29 11 10 8 28:31 43
4. Prishtina 29 11 8 10 39:30 41
5. Dukagjini 29 11 6 12 30:29 39
6. Llapi 29 11 6 12 39:41 39
7. Trepça ’89 29 8 9 12 38:48 33
8. Ferizaj 29 7 10 12 25:42 31
9. Malisheva 29 7 9 13 42:46 30
10. Drenica 29 6 5 18 22:43 23