Sport

Drita lë pas humbjen nga Ferizaj, është e bindur në fitore ndaj Llapit

Te skuadra e Dritës po insistojnë se tashmë kanë lënë prapa humbjen e fundit dhe janë të fokusuar te ndeshja ndaj Llapit. Duelin me Llapin gjilanasit janë të bindur se do ta fitojnë. Drita vikendin e shkuar u mposht në udhëtim te Ferizaj (2:1), për ta regjistruar humbjen e dytë në katër ndeshje të luajtura në pranverë. Ndërsa të shtunën përballet me Llapin. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin me bar sintetik në Gjilan, prej orës 13:00 dhe i takon xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Aktualisht Drita është e dyta në tabelë me 44 pikë, katër më pak se Ballkani që është lider dhe u ndal xhiron e shkuar në barazim nga Dukagjini në Suharekë. Trajneri i Dritës, Arsim Thaqi ka thënë të premten se ekipi i tij patjetër duhet ta fitojë përballjen me Llapin. Sipas tij, Drita është gati t’i kundërvihet Llapit, ekip që e vlerëson lart.

“Nuk ka qenë e lehtë të përgatitemi pas humbjes dëshpëruese që e pësuam, por lojtarët janë treguar profesionistë dhe kanë punuar me përkushtim të madh për të qenë gati ndaj Llapit. Kështu që synimi është fitorja në këtë ndeshje, të cilën duhet ta fitojmë për të dëshmuar se kemi lënë prapa humbjen nga Ferizaj. Gabimet e bëra i kemi analizuar dhe jam i bindur se nuk do t’i përsëritim. Lojtarët janë të vetëdijshëm se secila ndeshje, secila fitore është e rëndësisë së veçantë. Nuk kemi kohë për të kalkuluar humbjen e pikëve deri më tani, por duhet të vazhdojmë fuqishëm dhe të kërkojmë fitore në secilën ndeshje”, ka thënë Thaqi. “Këtë ecuri duhet ta nisim nga kjo ndeshje, pasi vetëm kështu mund ta rivalizojmë Ballkanin dhe të synojmë vendin e parë. Llapi ka një ekip të mirë që duhet ta vlerësojmë pasi gjithmonë shkakton probleme. Kemi analizuar lojën e llapjanëve dhe kemi marrë masa që të jemi më kompakt dhe në fund t’i marrim pikët e plota”.

Llapi në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi në shtëpi nga skuadra e Prishtinës (2:0). Për Llapin, kjo ishte humbja e parë pas serisë prej tri fitoreve në stinorin pranveror. Ekipi nga Podujeva ka rënë në pozitën e pestë në tabelë me 29 pikë. Te Llapi nuk kanë dashur të prononcohen për duelin me Dritën, me arsyetimin se kryesia e klubit ka marrë një vendim të tillë.

Emri i Llapit javën e shkuar është përmendur nëpër mediumet franceze në lidhje me trukimin e ndeshjeve në Superligë. Autoritetet e Francës kanë arrestuar nëntë persona në lidhje me këtë çështje.

Të shtunën luhet edhe një ndeshje tjetër interesante, ku përballen rivalët që po luftojnë për t’i ikur fundit të tabelës dhe që synojnë ta sigurojnë mbetjen në elitë edhe për edicionin e ardhshëm. Në stadiumin “Bajram Aliu”, Drenica e pret skuadrën e Ferizajt, që ka treguar formë të mirë në pranverë dhe nuk di për humbje. Me tetë pikë të mbledhura këtë vit në Superligë, falë dy fitoreve dhe dy barazimeve, Ferizaj është ngjitur në pozitën e parafundit me 21 pikë. Një pikë më pak ka Drenica që zë vendin e fundit. Skuadra kuqezi i ka humbur të gjitha ndeshjet e luajtura këtë vit.

Megjithatë, te Drenica ka optimizëm se ndaj Ferizajt do ta marrin fitoren e parë në pranverë, për ta vazhduar misionin e mbijetesës. Në krye të Drenicës në këtë ndeshje do të debutojë trajneri nga Shqipëria, Bledar Devolli që në këtë post zëvendësoi Bekim Shotanin e larguar. Devolli prej fillimit të javës ka punuar me Drenicën, ekip që e ka drejtuar edhe në të kaluarën.

“Ndeshja ndaj Ferizajt është një nga më të rëndësishmet për ne në këtë cikël të sezonit. Ferizaj është në formë të jashtëzakonshme këtë stinor, ndërsa ne nuk e kemi filluar aspak mirë. Por, presim të stabilizohemi dhe fitorja në këtë ndeshje mund të jetë pikë kthese për ne. Besoj shumë në pikët e plota nga kjo ndeshje, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Për Drenicën ndeshja ndaj Ferizajt do të jetë vetëm një nga betejat e këtij edicioni, por jam i bindur se Drenica e di si të luftohet dhe në fund do të jetë aty ku e ka vendin, në Superligë”, ka thënë mbrojtësi i Drenicës, Ardian Hoti.

Të shtunën luhet edhe dueli në Klinë ndërmjet Dukagjinit dhe Gjilanit.

Ndërkohë kjo xhiro do të mbyllet të dielën, me dy ndeshje që do të startojnë në orën 13:00. Vëmendja do të jetë në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, ku skuadra e Prishtinës e pret kampionin në fuqi, Ballkanin. Prishtina është e katërta në tabelë me 30 pikë, 18 më pak se Ballkani që në pranverë nuk di për humbje. Përballja tjetër do të jetë ajo ndërmjet Trepçës ’89 dhe Malishevës, që do të luhet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Superliga – 23

E shtunë (13:00)

Drita – Llapi

Dukagjini – Gjilani

Drenica – Ferizaj

E diel (13:00)

Prishtina – Ballkani

Trepça ’89 – Malisheva


1. Ballkani 22 14 6 2 38:19 48

2. Drita 22 13 5 4 44:24 44

3. Gjilani 22 9 8 5 23:24 35

4. Prishtina 22 8 6 8 28:23 30

5. Llapi 22 8 5 9 27:31 29

6. Dukagjini 22 7 5 10 20:23 26

7. Malisheva 22 6 6 10 37:38 24

8. Trepça ’89 22 5 7 10 30:39 22

9. Ferizaj 22 4 9 9 19:35 21

10. Drenica 22 5 5 12 20:30 20