Trajneri i Dritës, Arsim Thaqi, është i bindur se lojtarët e tij do të reflektojnë pas humbjes në ndeshjen e parë të stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll. Këtë reflektim, Thaqi dëshiron ta shohë qysh në ndeshjen kundër Dukagjinit, të cilën Drita e luan të shtunën. Ndeshja i takon xhiros së 20-të dhe zhvillohet në terrenin me bar artificial në qytetin e Gjilanit prej orës 13:00. Vikendin e shkuar, Drita u befasua në Mitrovicë nga Trepça ’89, që e mposhti me rezultatin 1:0, në hapje të stinorit pranveror. Kjo humbje bëri që Drita të bjerë nga pozita e parë në të dytën dhe tani ka tri pikë më pak se Ballkani që është lider me 41 pikë.
Thaqi të premten ka thënë se janë përgatitur maksimalisht gjatë tërë javës. Ai pret fitoren e parë në pranverë kundër Dukagjinit.
“Nuk e filluam mirë pjesën pranverore pasi pësuam ndaj Trepçës ’89 për shkak të shumë faktorëve dhe në duelin ndaj Dukagjinit, që e luajmë në shtëpi, pres që ekipi të reflektojë. Gjatë tërë javës kemi punuar dhe kemi marrë të gjitha masat për t’u bërë gati sa më mirë dhe për ta fituar këtë ndeshje, gjë që e kanë parasysh edhe vetë lojtarët. Besoj fuqishëm se Drita do ta arrijë fitoren e parë këtë sezon për t’iu kthyer gradualisht pozitës së parë që e kishim në tabelë”, tha Thaqi, i cili insistoi se Drita nuk do të dorëzohet për titullin e kampionit deri në fund. “Jam optimist se pas fitores me Dukagjinin gjërat do të shkojnë në rrugën e duhur për Dritën. Mënyra e vetme për t’i kthyer pikët e humbura në Mitrovicë dhe vendin e parë është ta mposhtim Ballkanin në ndeshjet direkte me këtë skuadër”.
Te Dukagjini janë maksimalisht të motivuar para ndeshjes me Dritën. Ekipi nga Klina në xhiron e parë të pranverës e mposhti në shtëpi Prishtinën me rezultatin 1:0. Fitorja e Dukagjinit u arrit me një gol shumë diskutabil, i cili krijoi polemika të shumta pasi gjyqtari Mentor Ajeti fillimisht e ndali lojën për faul përpara se Mërgim Pefqeli të shënonte autogol. Megjithatë, pasi e rishikoi rastin në sistemin VAR, Ajeti e pranoi golin. Kjo bëri që Prishtina të ankohet dhe ta kërkojë përsëritjen e ndeshjes, por Komisioni i Garave e refuzoi kërkesën dhe e regjistroi ndeshjen me rezultatin 1:0. Ajeti e pranoi më pas gabimin e rëndë. Ajo fitore ndaj Prishtinës, bëri që Dukagjini të forcohet në pozitën e pestë në tabelë me 25 pikë.
“Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Drita ka një ekip shumë të mirë dhe luan futboll të mirë, kështu që duhet të tregohemi tejet të kujdesshëm. Është një ekip që mund të ndëshkojë në çdo moment, por ne jemi përgatitur për t’i ndalur armët e saj të forta dhe ndëshkuese”, ka thënë kapiteni i Dukagjinit, Altin Merlaku. “Sikurse në secilën ndeshje, edhe në këtë futemi për tri pikë, pavarësisht se luajmë në udhëtim. Ekipet këtë sezon nuk dallojnë shumë njëra me tjetrën dhe secila mund ta mposhtë secilën. Jemi të motivuar edhe pas startit me fitore të stinorit pranveror dhe do të dalim në fushë ndaj Dritës për rezultat pozitiv. Nuk do të dorëzohemi dhe besoj se do të dëshmohemi si një ekip shumë i fortë”.
Të shtunën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Llapi pas fitores në udhëtim ndaj Drenicës e pret në stadiumin “Zahir Pajaziti” skuadrën e Trepçës ’89. Ndërsa Prishtina do të jetë mysafire e Ferizajt që është i fundit në tabelë me 14 pikë dhe xhiron e shkuar luajti baras me Gjilanin.
Xhiroja do të mbyllet me dy ndeshjet që luhen të dielën. Kampioni në fuqi, Ballkani, do të mundohet ta mbajë pozitën e parë në tabelë dhe diferencën e pikëve ndaj Dritës edhe pas kësaj xhiroje. Ekipi nga Suhareka luan në shtëpi kundër Drenicës, ndërsa Gjilani e pret Malishevën që në hapje të stinorit pranveror pësoi në shtëpi nga Ballkani (4:2).
Superliga – 20
E shtunë (13:00)
Drita – Dukagjini
Ferizaj – Prishtina
Llapi – Trepça ‘89
E diel (13:00)
Ballkani – Drenica
Gjilani – Malisheva
1. Ballkani 19 12 5 2 34:17 41
2. Drita 19 11 5 3 36:20 38
3. Gjilani 19 7 7 5 18:21 28
4. Prishtina 19 7 6 6 25:20 27
5. Dukagjini 19 7 4 8 18:16 25
6. Llapi 19 6 5 8 24:28 23
7. Trepça ’89 19 5 7 7 29:35 22
8. Drenica 19 5 5 9 17:23 20
9. Malisheva 19 5 4 10 31:34 19
10. Ferizaj 19 2 8 9 15:33 14