Drita e Gjilanit është kampione e Kosovës në volejboll në konkurrencë të femrave. Në serinë finale të plejofit, Drita fitoi 3:1 në ndeshje ndaj Skenderajt.
Fitorja vendimtare e Dritës u arrit të enjten mbrëma në Skenderaj. Në një ambient të bukur sportiv, në palestrën e mbushur me shikues, Drita fitoi bindshëm ndaj Skenderajt. Drita triumfoi me rezultatin 3:0 në sete.
Skenderaj shfaqi pak në këtë ndeshje, ndërsa vajzave drenicase nuk u kreu punë as përkrahja e madhe nga tribunat.
Seti i parë përfundoi 25:17. Në setin e dytë Skenderaj u angazhua më shumë, por jo mjaftueshëm sa për të barazuar rezultatin. 25:23 në të mirë të Dritës ishte rezultati i setit të dytë. Ndërkohë në setin e tretë gjilanaset dominuan plotësisht, duke fituar 25:18. Loja e Dritës ka funksionuar shumë mirë, duke nisur nga shërbimi, blloku, pranimi e goditja. Dhuratët Sylejmani dhe lojtaret tjera të Dritës nuk u dhanë rast të enjten mbrëma lojtarëve të Skenderajt.
Drita në fakt vetëm ka vazhduar dominimin në volejbollin kosovar. Ka mbrojtur titullin e kampionit. Për Dritën është titulli i tetë dhe i katërti rresht. Drita ka edhe tetë kupa të Kosovës.
Tri ndeshjet e para finale ishin shumë interesante. Fillimisht Drita kishte fituar 3:2 në sete në ndeshjen në shtëpi. Me rezultat të ngushtë, 3:2 e kishte fituar edhe ndeshjen e dytë finale, të zhvilluar në Skenderaj.
Skuadra drenicase u kthye në lojë të dielën në Gjilan, kur fitoi po ashtu 3:2. Ka pasur shpresë te tifozët e Skenderajt se rezultati do të barazohej në 2:2, por ide të tjera kishte Drita.
Te volejbollistët, titullin e kampionit e fitoi Peja. Skuadra pejane fitoi 3:0 ndaj skuadrës Skënderbeu.