Drenica është në seri humbjesh dhe gjasat e saj për të mbetur në Superligë po zbehen me kalimin e xhirove. Skuadra kuqezi nga Skenderaj i ka humbur pesë ndeshjet e fundit dhe për më tepër nuk ka shënuar asnjë gol. Të dielën pësoi humbje të rëndë, 4:0, nga Llapi në Podujevë.
Drenica mburret që nuk është larguar asnjëherë nga Superliga e Kosovës në futboll. Por gjasat janë të mëdha që pas këtij edicioni, Prishtina të mbetet skuadra e vetme që vazhdimisht ka luajtur në elitën e futbollit kosovar.
Tetë xhiro para fundit të edicionit, Drenica është e fundit (10) në tabelë me 23 pikë. Malisheva e Trepça ’89, që mbajnë pozitat tetë e nëntë, kanë nga 30 pikë. Pra, Drenica është shtatë pikë prapa konkurrentëve në luftën për mbetje në elitë. Skuadra e pozitës së tetë luan në plejaut, ndërsa dy skuadrat e fundit në tabelë bien në Ligën e Parë.
Forma aktuale e Drenicës nuk premton shumë sa i takon dëshirës për t’i ikur fundit të tabelës. Në klub, megjithatë, ka ende optimizëm.
“Jemi goxha keq dhe këtë e kemi parasysh, por deri në fund të sezonit kemi edhe shumë lojë. Kështu që do të vazhdojmë me të gjitha forcat dhe nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi deri në fund. Ekipi ka rënë shumë, por ne si kryesi do të japim maksimumin për ta bërë punën tonë si duhet. Të gjithë e dinë që kur e kam marrë klubin në çfarë gjendje ka qenë Drenica, ndërsa kam arritur t’i minimizoj 90 për qind të borxheve. Jemi një ndër klubet që vetëm dy paga i ka borxh, ndonëse muaji i dytë sapo ka filluar. Nuk e di çka mund të bëj më shumë, ndonëse do ta motivoj ekipin për të vazhduar fuqishëm deri në fund”, ka thënë të hënën për KOHËN Mihane Kodra-Bekteshi, kryetare e klubit Drenica.
Me ardhjen e saj në krye të klubit, gjendja financiare e organizative e Drenicës u përmirësua. Por rezultatet kanë munguar. Trajneri Bekim Shotani u zëvendësua me Bledar Devollin. Por kriza assesi të kalohet. Devolli ka zgjedhur të mos deklarohet.
“Nuk na ka ecur ndoshta edhe me lojtarë, për shkak se nuk kemi mundur të kompletohemi edhe në afatin kalimtar të janarit. I kam thënë shtabit teknik në janar që mund t’i marrin katër më të mirët që na duhen dhe këtë e dinë të gjithë. Kemi pasur kriza të mëdha dhe nuk kam çfarë të bëj më shumë, pasi brenda mundësive të mia jam munduar të jap maksimumin”, ka shtuar kryetarja e klubit.
Mihane Kodra-Bekteshi thotë se në aspektin e menaxhimit, klubi qëndron mirë. Por kjo nuk nënkupton edhe rezultate në fushën e blertë. Dhe te Drenica nuk e vlerësojnë tragjike edhe largimin nga elita.
“Nuk jam eksperte e futbollit por një menaxhere dhe mendoj se situatën në të cilën ka qenë klubi e kam menaxhuar mirë, përkundër rezultateve. Por detyra ime është të bëj punë jashtë fushe. Misioni është tejet i vështirë për Drenicën që të shpëtojë, por nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi në asnjë mënyrë. Do të luftojmë nga ndeshja në ndeshje dhe do të tentojmë të bëjmë gjithçka, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Edhe nëse biem nga Superliga, ndoshta do të jetë mirë paksa për ekipin që të konsolidohet mirë dhe të rikthehet fuqishëm. E them këtë për shkak se nuk e kemi fituar asnjë trofe dhe do të bëheshim gati në çdo aspekt për të reflektuar ashtu siç është më së miri. Por njëherë të vazhdojmë luftën tonë të mbijetesës”, ka shtuar Kodra-Bekteshi.