Sport

Donjeta Sadikut i rriten shpresat për normë olimpike

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e ka fituar bindshëm edhe luftën e dytë në turneun e parë botëror kualifikues për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Sadiku boksoi të mërkurën në kategorinë deri në 60 kilogramë. E mposhti me rezultatin 5:0 boksieren nga Greqia, Christina Linardatou.

Turneu i parë kualifikues për Lojërat Olimpike po mbahet në Busto Arsizio të Italisë. Pas fitores së dytë, në kampin e Donjetës janë rritut gjasat për normë olimpike. Ajo është edhe dy fitore larg për të siguruar një biletë për Lojërat Olimpike, që këtë vit mbahen në Paris.

Në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK) besojnë se Donjeta do të shkojë me normë olimpike në Paris. Të enjten, Donjeta do të ngjitet sërish në ring dhe përballë do ta ketë boksieren gjermane, Maria Felicitas Ganglbauer.

“Boksierja gjermane e ka stilin e njëjtë si anglezja. Është e gjatë, por Donjeta besoj se me ritëm mund ta dominojë meçin. Besojmë se mund ta fitojë edhe këtë luftë dhe kam bindjen se për normë do të luftojë me boksieren nga Italia, e cila të enjten përballet me një boksiere nga Rumania. Donjeta dhe boksierja italiane do të luftojnë për normë olimpike. Donjeta asnjëherë nuk është përballur me kundërshtaren e ardhshme, të cilën do ta ketë nesër përballë. Por kemi bindjen se do të dalë fituese edhe nesër”, ka thënë sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, për KOHËN të mërkurën.

Në turneun në Busto Arsizio ndahen tri norma në kategorinë deri në 60 kg te boksieret. Në turneun në Itali, ditë më parë u eliminua Bashkim Bajoku, ndërsa vëllai i tij, Shpëtim Bajoku, do të ngjitet në ring të enjten.

Donjeta të martën e mposhti bindshëm, 5:0, britaniken Shona Whitwell në meçin e parë të turneut kualifikues.

Në fakt, asnjë boksier i Kosovës nuk ka marrë pjesë me normë në Lojërat Olimpike.

Donjeta në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” e përfaqësoi Kosovën me ftesë nga Komisioni Trepalësh.

Kosova i ka tri medalje të arta nga Lojërat Olimpike falë Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës. Edhe në Paris shpresat më të mëdha për të fituar medalje, Kosova i ka nga sporti i xhudos. Tashmë disa norma janë siguruar në xhudo, ndërsa pritjet janë të mëdha për medalje.