Në fazën më të rëndësishme të edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll, qendra amerikane, Bradley Waldow, po del të jetë njëri prej lojtarëve kryesorë te Peja, por edhe te të gjitha katër skuadrat e mbetura në garë.
Dominimin, Waldow e dëshmoi në dy ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit kundër Golden Eagle Yllit. Peja është në epërsi 2:0 dhe i duhet vetëm edhe një fitore për t’u kualifikuar në finale. Në të dyja ndeshjet – në Pejë dhe në Suharekë – Waldow ka udhëhequr ekipin drejt triumfit. Të dy ndeshjet i mbylli me “double-doule” dhe si lojtari më efikas te skuadra e Pejës.
Në duelin e parë, të cilin Peja e fitoi 85:82, Waldow pati 22 pikë e 10 kërcime. Në Suharekë, ku pejanët triumfuan me shifrat 86:76, amerikani realizoi plot 33 pikë e 17 kërcime. Një paraqitje të tillë, Waldow (208 cm i gjatë) po shpreson ta ketë edhe në ndeshjen e tretë, për t’ia siguruar Pejës kalimin në finale. Dueli i tretë mes Pejës dhe Yllit zhvillohet të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”.
“Jam i emocionuar dhe mendoj se kemi gjasa të mira për kalim në finale. Jemi edhe një fitore larg finales. Kështu që duhet ta mposhtim Yllin në ndeshjen e tretë dhe të shkojmë tutje. Jemi në një situatë të mirë dhe shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje për tifozët tanë, të cilët na kanë përkrahur gjatë tërë sezonit. Do të jemi gati dhe do të japim më të mirën nga vetja për fitoren e tretë, ndonëse nuk do të jetë lehtë”, ka theksuar Waldow të hënën për KOHËN. “Jemi në formë të mirë dhe nëse vazhdojmë kështu atëherë mund të bëjmë një punë shumë të madhe. Është pjesa më e rëndësishme e sezonit dhe ne e kemi nisur pjelofin me dy fitore që është një sinjal i mirë”.
Waldow është i kënaqur me paraqitjet e tij, por insiston se më e rëndësishme është fitorja e ekipit. Shton se vetëm po bën punën e tij sikurse të gjithë lojtarët e tjerë që po angazhohen maksimalisht.
“Jam i kënaqur me kontributin tim dhe me lojën time. Por më shumë jam i kënaqur se si po luajmë si ekip dhe po angazhohemi në secilën ndeshje për fitore. Jemi vetëm një ndeshje larg kalimit në finale dhe së bashku me lojtarët e tjerë do të japim gjithçka nga vetja për ta prekur finalen dhe pastaj të luftojmë kundër Prishtinës apo Trepçës për titullin e kampionit”, shprehet Waldow.
Titulli i kampionit është synimi i Pejës këtë edicion. Gjiganti pejan thotë se me titullin e kampionit do të kompensonin dështimet e ekipit për t’i fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës.
Waldow thotë se do të ishte madhështore që ta kthejnë titullin e kampionit në Pejë pas një dekade. Ai shpreson se do ta ndihmojë Pejën për të triumfuar edhe në Ligën Ballkanike (BIBL). Peja është kualifikuar në “Final Four” të Ligës Ballkanike dhe në fund të muajit do të udhëtojë për në Bullgari për të luajtur për titullin e kampionit.
“Shpresoj të arrijmë në finale dhe pastaj ta ndihmoj ekipin që ta fitoj titullin për ta kthyer këtë trofe pas një pritjeje prej një dekade. Sigurisht që do të kisha dashur që deri më tani të kishim fituar ndonjë trofe, por nuk patëm fat. Me titullin e kampionit mund t’i kompensojmë të gjitha. Është diçka emocionuese ta mbyllim sezonin me një sukses të tillë”, është shprehur Waldow. “Është shumë e rëndësishme ta fitojmë titullin pasi ky është synimi i madh prej fillimit të kampionatit. Do të ishte qershia mbi tortë nëse do t’i fitonim titullin dhe Ligën Ballkanike. Natyrisht nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë”.
Waldow prej fillimit të edicionit është pjesë e Pejës, ndërsa i ka përjetuar edhe ndryshimet që kanë ndodhur në ekip. Peja e nisi kampionatin me trajnerin nga Turqia, Sevim Can, që pastaj e largoi dhe e zëvendësoi me izraelitin Rami Hadar. Ndryshime klubi bëri edhe në lojtarë të huaj, por Waldow u mbijetoi të gjitha stuhive.
“Në fillim kemi luajtur shumë mirë dhe kam qenë i kënaqur me atë që kemi treguar, por pastaj u bënë disa ndryshime pas rënies që e patëm për t’u rikthyer sërish në formë dhe për të vazhduar tutje. Me ardhjen e trajnerit të ri janë ndryshuar tërësisht gjërat, atmosfera, mbrojtja, sulmi, si dhe përkushtimi. Të gjithë po mundohen të japin më të mirën dhe është plus për ne që kemi një trajner që ka punuar në Euroligë”, shtoi Waldow, i cili pranoi se te Peja është sjellë nga turku Can. “Nuk kam pasur njohuri për basketbollin në Kosovë, pasi tre vjetët e fundit kam luajtur në Azi dhe nuk i kam përcjell shumë ligat evropiane. Mund të them se liga është e fortë, ka cilësi dhe sezoni ka qenë i paparashikueshëm pasi pothuajse secili ekip mund ta mposhtë secilin”.
Ajo që po e emocionin Waldowin edhe më shumë në basketbollin e Kosovës është atmosfera e zjarrtë që po krijohet nëpër palestrat e Kosovës. Palestra e tij e pëlqyer për të luajtur është “Minatori” në Mitrovicë, për shkak të atmosferës së zjarrtë.
“Atmosfera është fantastike dhe e zjarrtë. Ndoshta nganjëherë është e rrezikshme, por e kam kuptuar kulturën këtu dhe mendoj se tashmë jam përshtatur. Mund të them se palestra favorite për të luajtur është ajo e Mitrovicës”, shtoi Waldow, i cili këtë edicion po luan me mesatare prej 13 pikëve e 10 kërcimeve.
Para se t’i bashkohej Pejës, Waldow, 31-vjeçar, karrierë ka bërë në Poloni, Luksemburg, Japoni, Francë e Belgjikë. Në Japoni luajti për tri skuadra të ndryshme.