Në listën e përfaqësueses së Kosovës në basketboll për parakualifikimet për “Euro 2025” ishte i përfshirë edhe një amerikan. Përzgjedhësi Rami Hadar të mërkurën ka publikuar listën e zgjeruar prej 17 lojtarëve, të cilët do të jenë pjesë e grumbullimit në kuadër të përgatitjeve për katër ndeshjet që Kosova do ti luajë në muajin korrik dhe gusht. E në fillim të listës ishte emri i fundorit amerikan Dominic Artis.
Ky i fundit është natyralizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), me kërkesën e selektorit Hadar për t’i ndihmuar “Dardanët” në duelet e Grupit H kundër Zvicrës dhe Danimarkës. Artis 29-vjeçar, do të jetë amerikani i natyralizuar që do të përpiqet ta ndihmojë Kosovën për të avancuar nga faza e tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Ai do të luajë në të gjitha ndeshjet e grupit, si dhe do ti bashkohet ekipit në fillim të muajit të ardhshëm kur edhe do të fillojnë përgatitjet. Te Kosova janë të bindur se me natyralizimin e Artisit, ekipi do të jetë i kompletuar për këto parakualifikime.
Menaxheri Adriatik Rraci, ka thënë se Artis ishte i vetmi i huaj që i është përshtatur planeve të trajnerit Hadar. Ai ka zbuluar se ishin edhe disa opsione të tjera, por nuk është arritur marrëveshja me asnjërin për shkak të kohëzgjatjes së parakualifikimeve.
“Trajneri Hadar kur është prezantuar në krye të Kosovës ka bërë të ditur se duhet natyralizuar një fundor dhe me natyralizimin e Dominic Artis, jo vetëm që kemi plotësuar kërkesën e tij, por edhe kemi kompletuar ekipin për këto parakualifikime. Ne tashmë kemi filluar të gjitha procedurat dhe ai së shpejti do të jetë i pajisur edhe me pasaportën e Kosovës dhe gati për të na ndihmuar në këtë aktivitet”, është shprehur Rraci për KOHËN. “Artis ka qenë vetëm njëri prej opsioneve që i kishim, por mund të them se ishte i vetmi që i është përshtatur planeve të trajnerit. E them planet, mendoj për ardhjen e tij që nga dita e parë përgatitjeve si dhe paraqitjen e tij në të gjitha ndeshjet e verës, por edhe në të ardhmen. Ka pasur edhe 2-3 opsione të tjera, por për shkak të kohëzgjatjes së këtij aktiviteti, nuk kemi mundur të arrijmë marrëveshje”.
Amerikani Artis ka një karrierë të pasur në basketbollin evropian, të cilën e ka nisur në vitin 2017 dhe ka luajtur në shtatë shtete të ndryshme të Evropës. Ekipi i tij i parë në Evropë ishte Czarni Slupsk në Poloni, vend në të cilin ka luajtur edhe për skuadrën Dabrowa Gornicza. Ka qenë pjesë e Igokeas, ekip me të cilin e ka fituar Kupën e Bosnjë e Hercegovinës, për të vazhduar pastaj te Pesaro (Itali), Cedevita Olimpika (slloveni) e Kolossos Rodou (Greqi). Në dy edicionet e fundit, Artis ka luajtur në elitën e basketbollit të Francës, me skuadrën Cholet Basket.
Ndërsa, në edicionin e fundit, ka pasur një mesatare prej 16 pikëve, 3 kërcimeve dhe 3 asistimeve për ndeshje. Në fakt, Artis nuk është amerikani i vetëm i natyralizuar te Kosova, e cila prej vitit 2016 paraqitet në garat e FIBA-s. Ai është basketbollisti i gjashtë amerikan që FBK-ja e ka natyralizuar në tetë vjetët e fundit. Para tij, fanellën e Kosovës e kanë bartur edhe Justin Doellman, Scott Bamforth, Shawn Jones, Divine Myles e Malcolm Armstead. Po ashtu, i natyralizuar është edhe Amin Hot nga Mali i zi, por që nuk është ftuar nga selektori Hadar për ndeshjet e këtij muaji. Pas duelit me Zvicrën në shtëpi, Kosova dy ndeshjet e radhës do ti luajë në udhëtim – Danimarkë (26 korrik) e Zvicër (29 korrik) – përpara se ta mbyll këtë cikël me përballjen kundër Danimarkës më 5 gusht në Prizren. Ekipi që përfundon në pozitën e parë në grup, avancon në rundin tjetër.