E premtja e 16 shkurtit do të jetë e paharrueshme për Albin Berishën. Sulmuesi kosovar vetëm në orën 12:40 mësoi se ka të drejtë të luajë në ndeshjen me Poli Iasin, e cila filloi në orën 16:00. Debutoi në pjesën e dytë për Petrolul Ploieisti dhe në minutën e fundit shënoi golin e fitores.
Kështu e përshkroi klubi rumun ditën kur ish-sulmuesi i Ballkanit debutoi te Petroluli.
Emocionet e lajmit se do të paraqitet për herë të parë me fanellën e Petrolulit i zbulon edhe sulmuesi shtatlartë.
“Mundësinë për t’u paraqitur me Petrolulin e kam marrë vesh disa orë para fillimit të ndeshjes. E kam pritur me padurim dritën jeshile për të qenë gati për debutim. Kam qenë i fokusuar gjatë gjithë kësaj kohe për këtë ndeshje dhe normalisht që ka qenë ndjenjë e madhe momenti kur debuton para tifozëve dhe përkrahësve të klubit. 16 shkurti do të jetë një datë e paharrueshme, por do të ketë edhe momente të tjera pasi ky është vetëm një fillim i mbarë për mua”, ka thënë Berisha të dielën për KOHËN.
Ai i gëzohet golit të parë të realizuar me fanellën e klubit elitar rumun. Por pret të bëjë paraqitje edhe më të mëdha në të ardhmen.
“Si sulmues, goli gjithnjë është motiv shtesë. Por mënyra dhe momenti i golit në minutat e fundit e bënë edhe më madhështore paraqitjen time. Do të më shërbej si motiv shtesë për ndeshjet e ardhshme”, ka theksuar Berisha.
Ai u vlerësua për paraqitjen e parë me fanellën e Petrolulit. Tregon se ka marrë urime nga të gjithë në klub.
“Të gjithë më kanë përgëzuar për golin e shënuar dhe më kanë uruar që të shënoj edhe në vazhdim. Kemi pritje që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje”.
Petroluli zë vendin e gjashtë në kampionatin rumun me 35 pikë. Gjashtë vendet e para sigurojnë pjesëmarrjen në garë për titull në Rumani.
Sulmuesi 23-vjeçar i kushtoi Petrolulit 250 mijë euro. Pos te Ballkani, Berisha karrierë ka bërë edhe te Malisheva, Liria, Besa, Laçi dhe Kukësi. Ai mund të jetë interesant në të ardhmen edhe për Kosovën.
Edhe vetë Berisha pret ta ketë rastin në Përfaqësuese.
“Synimi im është të vazhdoj me punë dhe të kem rritje si lojtar në aspektin sportiv. Unë, si çdo lojtar tjetër kosovar, do të paraqitesha me dëshirën më të madhe nëse do ta kisha rastin për Kosovën. Besoj se është ëndërr e secilit lojtar ta përfaqësojë fanellën e vendit të lindjes”, ka thënë Berisha.
Berisha është një prej shumë lojtarëve shqiptarë që paraqiten në kampionatin e Rumanisë. Gara për titull në Rumani do të jetë e madhe deri në fund të edicionit.