Dhuna dhe incidentet në turneun e Superkupës së Kosovës në basketboll kanë alarmuar Federatën e Basketbollit të Kosovës. FBK-ja të hënën ka paralajmëruar se do të reagojë fuqishëm ndaj dukurive negative në ndeshjet e basketbollit.
Të dielën në Suharekë përfundoi turneu i Superkupës së Kosovës. Superkupën e fitoi Trepça, që në finale triumfoi ndaj Pejës. Megjithatë, ngjarja që pritej të ishte spektakël dhe të promovonte edicionin e ri në Superligë, u shoqërua nga dhunë, incidente dhe urrejtje.
Finalja ishte e tensionuar dhe u përcoll me incidente. Për shkak të hedhjes së gjësendeve në parket nga palestra u larguan tifozët e Trepçës. Incidente të rënda ka pasur edhe pas përfundimit të ndeshjes dhe për këtë ceremonia e dorëzimit të trofeut u shty për kohë të gjatë.
Në gjysmëfinalen mes Pejës e Yllit u zbraz tribuna ku ishin të vendosur tifozët pejanë. Edhe ndeshja çerekfinale mes Trepçës e Bashkimit u ndërpre për shkak të hedhjes të gjësendeve në parket. Dhuna më e madhe u shfaq në finalen që parashikohej të ishte spektakël, por që mbeti në hije të incidenteve.
FBK-ja, si zakonisht, ka paralajmëruar masa drastike për edicionin e ri. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka theksuar për KOHËN dhe dhunën dhe urrejtjen e shfaqur e kishin të vështirë ta kontrollojnë edhe organet e rendit. Në fakt ka pasur vlerësime se edhe organizimi i ndeshjes finale nuk ishte në nivel. Ndër të tjera ka pasur vërejtje edhe për numrin e policëve që ishin në palestër.
“Situatat e krijuara gjatë ndeshjes finale nga individë te caktuar keqdashës, si pasojë e së cilave kemi të lënduar një gazetare sportive e cila pësoi gjatë kryerjes së detyrës së saj, na kanë detyruar që t'i shqyrtojmë sërish të gjitha masat në dispozicion për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve të garave tona”, ka thënë Arben Fetahu. “Është e sigurt që FBK-ja nuk do të qëndroj duarkryq para skandaleve të tilla dhe që nuk do të lejoj që ndeshjet e basketbollit të shndërrohen në forume për shfaqjen e urrejtjes dhe dhunës, duke vënë në plan të dytë spektaklin sportiv, investimet e mëdha që po i bëjnë klubet tona dhe federata e basketbollit për të avancuar sportin më të dashur ndër kosovarë tash e sa vjet. Është totalisht e papranueshme që sot, në ditën kur do duhej të flisnim për rezultatet sportive të arritura nga klubet tona, kur do duhej të analizonim ndeshjet dhe t'i kënaqeshim spektaklit të dhuruar nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në këtë turne, ne të flasim vetëm për zhvillimet negative gjatë kësaj gare”, ka shtuar i pari i basketbollit kosovar.
Arben Fetahu garantoi se FBK-ja do të reagoi dhe atë fuqishëm. Madje ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të ndalohen plotësisht tifozët për një periudhë të caktuar në palestra. Ky opsion do të diskutohet me organet kompetente dhe vendimi përfundimtar pritet ditëve në vijim.
Edicionin e shkuar FBK-ja pati ndaluar tifozët që në mënyrë të organizuar t’i përcillnin ndeshjet e basketbollit, ndërsa edhe udhëtimi për ndeshje ka qenë i ndaluar. Tifozët në fakt qëndronin në palestra, por pa shenja dalluese. Dhe sjelljet e tyre ishin më të kontrolluara për aq kohë sa ajo masë ishte në fuqi.
Në edicionin e ri masat mund të jenë edhe më të rrepta. FBK-ja thotë se synon çrrënjosjen e dukurive negative.
“Si rrjedhojë FBK-ja nuk do të toleroj në asnjë rast cenimin e terrenit, hedhjen e gjësendeve në fushë e as sharjen, fyerjen e denigrimin e asnjë akteri të garave te basketbollit. Për me tepër, nga fillimi i garës së re, të shtunën, në ndeshjet e basketbollit nuk do të tolerohet as sjellja e dhunshme dhe shpërfaqja e dhunës verbale dhe gjuhës së urrejtjes, ngase duhet t'i hapim rrugë të gjithë tifozëve të mirëfilltë dhe qytetarëve të përgjegjshëm të cilët në këto kushte që po krijohen nga individë të caktuar nuk mund ta shijojnë sportin tonë të zemrës”, tha tutje Arben Fetahu. “Në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e vendit jemi duke shqyrtuar të gjitha masat e mundshme të cilat do t'i vendosim nga xhiroja e parë, përfshirë këtu ndalimin e tifozërive të organizuara, ndalimin e stër-popullimit të tribunave dhe terrenit por edhe ndalimin e plotë të pranisë së shikuesve nëpër palestrat tona për një periudhë të caktuar”.
Federata e Basketbollit ndërkohë ka lëshuar një komunikatë përmes të cilës ka dënuar dhunën në Superkupë.
“Veprimet e tilla, dhuna dhe urrejtja e shfaqur nga një numër shikuesish të ndeshjeve të basketbollit janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe autoritetet e vendit”, ka shkruar FBK-ja në komunikatë. “Të përballur me situata të shumta të ngjashme edhe stinorin e kaluar, FBK në bashkërendim me klubet e Superligës, ka ndërmarrë një sërë masash dhe ka imponuar shumë kufizime si masa të domosdoshme për të garantuar sigurinë e akterëve të ndeshjes, shikuesve dhe mbarëvajtjen e garave”.
Reagimi nuk ka munguar as nga KB Trepça që triumfoi në turneun e Superkupës. Klubi nga Mitrovica ka shprehur shqetësimin, siç e ka quajtur, për disa episode jo të mira gjatë dhe pas përfundimit të finales kundër skuadrës së Pejës.
Trepça ka insistuar se është maksimalisht e përkushtuar që të luftojë dukuritë negative dhe ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj individëve që me veprimet e tyre dëmtojnë klubin por edhe basketbollin kosovar. Në fakt tifozët e Trepçës u larguan nga palestra dhe kështu u gjetën fajtorë për situatën kaotike të krijuar. Por edhe nga tifozët e Pejës kishte hedhje të karrigeve dhe të mjeteve tjera të forta.
“Në të njëjtën kohë klubi ynë dënon sjelljen e disa individëve të caktuar, që mundohen të kamuflohen brenda grupeve të tifozëve, që i bëjnë dëm klubit tonë, imazhit të klubit dhe basketbollit në përgjithësi”, ka shkruar Trepça.
Ndërkohë, KB Peja ka shkruar se reagimet për gjërat që ndodhën në finalen e Superkupës janë vetëm sa për sy e faqe. Peja thotë se në Kosovë çdo gjë kalon për vetëm 2-3 ditë.
Edhe vjet kishte dhunë në turneun e Superkupës e më pas kishte telashe thuajse gjatë gjithë edicionit. Mbetet të shihet nëse FBK-ja do të jetë më e vendosur këtë herë për të luftuar dhunën që po e shoqëron basketbollin.