Sport

Dëshpërimi i Bregut të Fildishtë në Kupën e Afrikës shndërrohet në gëzim dhe festë

Bregu i Fildishtë ka kaluar nga dëshpërimi në gëzim të madh në Kupën e Afrikës, si dhe ka kthyer besimin për sukses në këtë turne kontinental.

Vendi nikoqir ishte në prag të eliminimit pas humbjes tronditëse 4:0 nga Guineja Ekuatoriale në ndeshjen e fundit të grupit. Humbja e thellë erdhi pas disfatës 1:0 ndaj rivales së vjetër, Nigeris dhe e la ekipin të varur nga rezultatet e grupeve të tjera për të kaluar disi në raundet e eliminimit.

Shumica nuk besonin se ishte e mundur. Tifozët e zhgënjyer të Bregut të Fildishtë vandalizuan autobusët e udhëtarëve jashtë stadiumit “Alassane Ouattara” dhe Federata e Futbollit e Bregut të Fildishtë shkarkoi trajnerin francez Jean-Louis Gasset “për rezultate të dobëta”.

Federata promovoi ndihmësin e Gassetit, Emerse Fae, si trajner i përkohshëm, megjithëse dukej e pamundur që ish-mesfushori i Bregut të Fildishtë të ishte në krye të ekipit për ndonjë ndeshje të Kupës së Afrikës.

Më pas, Maroku mundi Zambinë 1:0 për t'i ndihmuar Bregut të Fildishtë që të avancojë në fazën nokaut si një prej katër ekipeve më të mira të vendit të tretë prej gjashtë grupeve. Në fakt, Bregu i Fildishtë avancoi si ekipi i fundit në fazën nokaut. Pas kësaj, federata tentoi ta bindë federatën franceze për huazimin e selektorit të ekipit të futbollisteve, Herve Renard për pjesën tjetër të turneut. Por bisedimet u ndërprenë.

Fae, i cili duhet të ketë qenë i vetëdijshëm për dëshirën e federatës për ta zëvendësuar atë, përgatiti në heshtje skuadrën për ndeshjen e së hënës me kampionin në fuqi, Senegalin - i vetmi ekip që fitoi të tri ndeshjet në grup dhe ndoshta kundërshtari më i vështirë i mundshëm për Bregun e Fildishtë në 1/8 e finales.

“Nëse do të thosha se nuk kishte presion, do të gënjeja”, pranoi Fae të martën.

Pavarësisht se ishte në disavantazh prej minutës së katërt, ekipi i drejtuar nga Fae nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë shifrat me penalltinë e vonshme të Franck Kessiet, për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Kessie shënoi gjithashtu penalltinë fituese, ndërsa Bregu i Fildishtë triumfoi 5:4 me penallti ndaj Senegalit, ku menjëherë nisi festa në të gjithë vendin.

“Ne donim të tregonim se ajo që ndodhi javën e kaluar kundër Guinesë Ekuatoriale ishte një aksident”, tha Fae. “Kam kërkuar nga lojtarët e mi të japin gjithçka, të mos dorëzohen dhe ne ia dolëm”.

Festat në rrugë shpërthyen në Abidjan, qyteti më i madh i vendit, ku shoferët po u binin borive dhe njerëzit po kërcenin dhe festonin në rrugë deri në orët e mëngjesit të së martës.

Por Fae bëri thirrje për qetësi, i vetëdijshëm se Bregu i Fildishtë nuk ka pasur fare stabilitet në këtë turne.

“Ne fituam një ndeshje. Nga katër humbëm dy. Pra jemi të barabartë”, tha Fae. “Ne vërtet erdhëm nga dera e vogël, por duam të qëndrojmë ende në turne. Kështu që do të punojmë pa bërë bujë nëse është e mundur. Ne e dimë se Maroku është favorit apo edhe Nigeria, por do të përqendrohemi për ndeshjen çerekfinale dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”.

Fitorja ndaj Senegalit, një prej favoritëve para turneut, ka kthyer besimin te tifozët të cilët besojnë se Bregu i Fildishtë mund të triumfojë në Kupën e Afrikës. Në fakt ky do të ishte vetëm titulli i tretë për Bregun e Fildishtë pas atij në vitin 1992 dhe 2015.

“Kur je duke luajtur në shtëpi dhe ke mbështetjen e publikut, është e përsosur, është e mrekullueshme, të jep më shumë forcë të kesh njeriun e 12-të me vete”, tha Fae. “Pra, ne do të japim gjithçka për të vazhduar djersitjen për fanellën, për të luftuar së bashku. Në këtë mënyrë ne do të jemi të sigurt që do të kemi përkrahësit pas nesh”.

Bregu i Fildishtë do të luajë të shtunën në Bouake në kuadër të çerekfinales të Kupës së Afrikës që po mbahet në këtë vend.