Sport

Demaj, kapitenja e sukseseve të Kosovës

Më 25 mars përfaqësuesja e Kosovës në hendboll synon të bëjë hapin tjetër të madh. Hendbollistet synojnë fitoren e parë në fazën e dytë të kualifikimeve për Evropian.

Drejt suksesit të ri, Kosovën pritet ta udhëheqë kapitenja Leonora Demaj.

Me emrin e Leonorës janë të lidhura sukseset e deritashme të përfaqësueses. Ajo shquhet për numrin e madh të golave që i shënon, por edhe për udhëheqjen e ekipit në fushën e lojës.

Kosova i ka humbur dy ndeshjet e para të luajtura në kuadër të grupit të tretë të fazës së dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”. Ka pësuar nga Sllovenia në udhëtim dhe nga Gjermania në Prishtinë. Ndaj Sllovenisë, Demaj shënoi gjashtë gola, ndërsa ndaj Gjermanisë plot dhjetë.

Për ndeshje ndaj Bjellorusisë, 22-vjeçarja që karrierë bënë në Danimarkë, është e matur. Ajo bazohet edhe në takimin e kaluar të luajtur ndaj bjelloruseve në Prishtinë.

“Kur kemi luajtur ndaj Bjellorusisë në Prishtinë, kemi treguar lojë shumë të mirë. Ne do të japim 100 për qind në ndeshje, por Bjellorusia është ekip shumë I fortë. Nuk do të jetë lehtë, por angazhimi përfundimisht nuk do të mungojë”, ka thënë Demaj për Koha.net

Në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2018”, Kosova luajti ndaj Bjellorusisë.

Ndeshja e luajtur në Prishtinë përfundoi 31:22 për bjelloruset. Nëntë gola kishte shënuar Demaj në atë ndeshje të 2018-tës. Ishte më meritorja që Kosova arriti në fazën e dytë, për herë të parë. Në fazën e parë kishte shënuar 11 gola në fitoren ndaj Gjeorgjisë e plot 16 në fitoren ndaj Izraelit.

Së fundi në një turne në Turqi, Demaj shënoi 47 gola në katër ndeshje, që për hendbollin ndërkombëtar është efikasitet shumë i lartë. Kosova ishte përballur me Italinë, Turqinë A dhe B si dhe me Maqedoninë Veriore. Me efikasitet të lartë ajo shquhet edhe te skuadra e kategorisë së dytë daneze, Sonderjyske. Është golashënuesja e parë me 82 gola në 17 ndeshje.

Ndonëse jo me hapa shumë të shpejtë, përfaqësuesja e Kosovës po bënë lëvizje të rëndësishme para në skenën ndërkombëtar.

“Jam shumë e kënaqur me zhvillimin e përfaqësueses. Po përmirësohemi vazhdimisht, nga ndeshja në ndeshje, nga grumbullimi në grumbullim”, thotë Demaj.

“Turneu në Turqi ka qenë shumë i mirë për përfaqësuesen tonë. Kanë ardhur disa lojtare të reja dhe ishte një test i rëndësishëm”.

Leonora vlerëson sukseset që ka arritur me Kosovën, por është e uritur për shumë më tepër.

“Dua që Kosova të ec edhe më shumë përpara. Duhet kontributi I të gjithëve për këtë synim”, thotë ajo. Ajo vlerëson harmoninë brenda grupit, ndërsa është shumë e kënaqur me ardhjet e fundit, ku përfshihen Albana Arifi, Marigona e Arlinda Hajdari, Kristina Ukaj e disa lojtare të tjera.

Demaj në Danimarkë studion për pedagoge. Kohën e ndanë në mes të hendbollit dhe studimeve. Ajo ka oferta për të kaluar në Superligën daneze, por nuk e di nëse është koha e duhur për hapin e ardhshëm në karrierë.

“Po kalojë formë të mirë, ndërsa nuk e di nëse është koha për të ndërruar mjedis. Oferta ka, por unë dua të luaj në një ekip ku mund të zhvillohem më shumë dhe ku ndjehem më mirë. Këtë momentalisht ma ofron Sonderjyske. Për të ardhmen të shohim”, ka theksuar Demaj.