Intensiteti ishte i lartë, ndërsa angazhimi i basketbollistëve edhe më i madh në ditën e pestë të përgatitjeve të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. “Dardanët” prej të shtunës kanë nisur me përgatitjet intensive nën urdhrat e selektorit Rami Hadar për fazën e tretë parakualifikuese të “Eurobasket 2025”. Të mërkurën basketbollistët kanë vazhduar me dy seanca stërvitore, ku paradite punuan të ndarë në tri grupe. Dy grupet e para përbëheshin me nga gjashtë basketbollistë, ndërsa grupi i tretë kishte pesë lojtarë në seancën që zgjati gati dy orë.
Grupi i parë dhe i fundit ishte i fokusuar në gjuajtjet nga distanca, ndërsa grupi i dytë ishte i fokusuar me punën nën kosh. Ndërkohë, pasdite grupet u bashkuan për t’u fokusuar në taktikën dhe idetë e selektorit Hadar. Atmosfera brenda ekipit ishte e mirë, ndërsa nuk mungonte as motivi para ndeshjeve që Kosova do t’i luajë këtë muaj dhe muajin tjetër. Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje në kuadër të Grupit H, të cilin e përbëjnë edhe Zvicra e Danimarka. Kapiteni Dardan Berisha ka thënë se grupi nuk është aspak i lehtë, duke shtuar se Kosova nuk është favorite.
Mirëpo, ai ka paralajmëruar se beson në paraqitje të mira të Kosovës në këto parakualifikime. Sipas tij, kundërshtarët nuk do ta kenë aspak lehtë në ndeshjet që Kosova do t’i zhvillojë në Prizren, duke pasur parasysh përkrahjen e fuqishme të tifozëve dhe motivimin e madh të basketbollistëve.
“Kundërshtarët i njohim, janë shumë të fortë dhe nuk do ta kemi aspak të lehtë por shpresoj se as ata kur të luajnë në Kosovë nuk do ta kenë lehtë kundër nesh, pasi me palestrën e mbushur dhe motivimin e madh që do ta kemi, do t’u nxjerrim probleme. Favorit nuk jemi, por shpresoj se do të nxjerrim rezultate të mira pasi po përgatitemi maksimalisht. Po ashtu, shpresoj të bëjmë edhe paraqitje të mira”, ka thënë Berisha.
Berisha ka thënë se përgatitjet kanë shkuar mirë deri më tani, pasi asnjëri prej lojtarëve nuk ka pasur telashe me ndonjë lëndim. Me këtë ritëm të përgatitjeve, Berisha është i bindur se Kosova do të jetë gati në çdo aspekt për ndeshjen e parë kundër Zvicrës. Këtë ndeshje, Kosova e luan më 19 korrik në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren.
“Përgatitjet po shkojmë shumë mirë, po stërvitemi fort dhe me intensitet të lartë. Po besoj se do të jemi gati pasi kemi edhe disa ditë për t’u bërë gati, si në aspektin fizik ashtu edhe taktik. Ekipi ka motiv të madh dhe po shpresoj që ndeshjen e parë kundër Zvicrën në Prizren, ku luajmë për herë të parë, ‘Dardanët’ ta mbushin sallën, ndërsa ne të jemi gati për ta fituar atë ndeshje”.
Berisha ka thënë se trajneri Hadar është shumë kërkues dhe po përpiqet ta komponojë sa më mirë ekipin për ndeshjet, të cilat i ka quajtur të rëndësishme. Ndërkohë, edhe trajneri Hadar është i kënaqur me punën e tij të deritashme, por edhe angazhimin e basketbollistëve që e kanë treguar gjatë këtij grumbullimi. Ai ka thënë se pret paraqitje të mira, angazhim dhe natyrisht fitore në këto ndeshje.
“Mund të them se jam i kënaqur me angazhimin dhe qëndrimin e lojtarëve që e kanë treguar deri më tani në përgatitje. Po përparojmë në aspektin e lojës, por na pret ende punë. Si trajner, sigurisht që dua ta bart filozofinë time të lojës dhe gjithçka po shkon sipas planit. Lojtarët janë shumë bashkëpunues, sikurse edhe stafi im, që po bën një punë fantastike. Shpresoj të marrim rezultate pozitive, duke pasur paraqitje të mirë dhe angazhim maksimal. Nëse i bëjmë këto, atëherë sigurisht se pres fitore”, ka thënë Hadar.
Deri në fund të kësaj jave Hadar do ta reduktojë ekipin në 12 lojtarë, ndërsa ekipi prej të hënës do të zhvendoset në Prizren, ku do ta vazhdojë fazën përgatitore. Pas duelit me Zvicrën në Prizren, Kosova i zhvillon dy ndeshje në udhëtim. Përballet me Danimarkën (26 korrik) dhe Zvicrën (29 korrik), përpara se ta mbyllë ciklin parakualifikues më 5 gusht në Prizren kundër Danimarkës. “Dardanët” në këto parakualifikime do të jenë pa Mikaile Tmushiqin, i cili për shkak të disa çështjeve personale nuk ka mundur të bashkohej me ekipin.