Sulmuesi Erling Haaland u tërbua para fytyrës së arbitrit. Mbrojtësi Ruben Dias ngriti duart lart në shenjë zhgënjimi. Vërshëllimet nga tifozët e Manchester Cityt nuk kishin të ndalur.
Stadiumi “Etihad” të dielën ishte një skenë e zemërimit të plotë në momentet e fundit të barazimit 3:3 të Cityt ndaj Tottenhamit. Një gabim i gjyqtarëve mohoi golin e Jack Grealishit në kohën shtesë, i cili gol ka mundur të jetë i fitores.
Megjithatë, zemërimi që u shfaq të dielën nuk është i ri te Manchester City. Ai po rritet gradualisht.
Duket se City po e përjeton lodhjen dhe presionin pas suksesit që e arriti edicionin e shkuar, duke fituar “tripletën”.
Gjithmonë do të kishte një lloj presioni te City pasi u bë vetëm skuadra e dytë angleze - pas Manchester Unitedit në vitin 1999 - që fitoi Premier Leaguen, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve në të njëjtin edicion. Trajneri Pep Guardiola parashikoi se do të ndodhte një gjë e tillë. Edhe ish-lojtarët e Unitedit paralajmëruan se kjo do të ndodhte. U deshën disa muaj për këtë dhe tani duket se po ndodh. Mund të jetë vetëm një rënie e vogël. Por tri barazime radhazi në Premier League erdhën për herë të parë që nga viti i parë i Guardiolas në krye të Cityt. Fillimisht ishte një barazim 4:4 në udhëtim te Chelsea, më pas barazimi 1:1 me Liverpoolin dhe tani barazimi në shtëpi ndaj një Tottenhami të goditur nga lëndimet.
Të mërkurën City ka një udhëtim të vështirë tek Aston Villa, e cila ka bilanc të përsosur në shtëpi në kampionat dhe Guardiola do të jetë pa mesfushorin e pazëvendësueshëm, Rodri. Spanjolli është i suspenduar, arsye për të cilën do të mungojë edhe Grealish, ndërsa Jeremy Doku nuk do të jetë në dispozicion për shkak të lëndimit që e pësoi kundër Tottenhamit.
Ndërkohë Arsenali mund të shkëputet në gjashtë pikë deri në fillimin e ndeshjes mes Aston Villas dhe Cityt. Ekipi nga Londra, që kryeson në tabelë, luan me Lutonin të martën. Në shikim të parë Guardiola mund të mos ketë shumë shqetësime. City nuk humbi asnjë nga ndeshjet e tri xhirove të fundit, diferenca me Arsenalin është vetëm tri pikë në këtë fazë të hershme të edicionit dhe skuadra tashmë është kualifikuar në raundin nokaut të Ligës së Kampionëve.
Shumica e skuadrave do të donin të ishin në pozicionin e Cityt tani. Megjithatë, ka disa çështje që shfaqen dhe elementi kryesor është mesfusha. City nuk ka qenë në gjendje të ushtrojë kontroll në duelet e fundit, veçanërisht në mesfushë ku Rodri ka shfaqur lodhje dhe është tejkaluar me lehtësi. Mungesa e John Stones, i cili shkëlqen në rolin e mesfushorit defanziv, ka pasur efekt destabilizues te City. Ai mungon për shkak të lëndimit.
Vendimi për të zëvendësuar Ilkay Gundoganin e larguar me mesfushorë që mbajnë topin si Mateo Kovaçiq dhe Matheus Nunes, të cilët nuk e kanë stabilizuar veten si lojtarë të rregullt, ia ka humbur gjithashtu Cityt kontrollin. Edhe fokusi i lojtarëve po duket të jetë problem dhe këtë e dëshmoi Dias që shkaktoi penallti të panevojshme ndaj Chelseat. Guardiola do të jetë përgatitur për të gjitha këto. Dhe ai duket se po merr gradualisht masat, duke eliminuar polemikën e lodhjes dhe duke thënë se kishte mësuar nga mentori Johan Cruyff se “fati i keq në futboll nuk ekziston”.
“Ekipet e mira nuk përcaktohen nga momentet e mira”, tha Guardiola. “Nuk është hera e parë që përballemi me këtë situatë ku po luajmë mirë, por rezultatet nuk vijnë. Gjithmonë gjejmë një zgjidhje, por së fundmi rezultatet nuk vijnë dhe ne jemi duke luftuar”.
Në fund të shkurtit shumë thoshin se shanset për trofe të Cityt po pakësoheshin pasi Guardiola nuk po u besonte lojtarëve kryesorë. Disa muaj më vonë ata fituan “tripletën”. Pak do të befasoheshin nëse City do të vazhdonte të ruante titullin e ligës, por do t'i duhet që skuadra të kthehet në lojë ndaj Aston Villas dhe të jetë më e fortë në prapavijë.
“Ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi, pasi është vetëm çështje kohe përpara se të kthehemi te fitorja”, ka paralajmëruar Guardiola.