Sport

City i gëzohet kthimit të Haalandit në fushë pas dy muajve

Sulmuesi Erling Haaland është sërish në dispozicion për Manchester Cityn pas gati dy muajsh jashtë fushe shkaku i një dëmtimi në këmbë, tha të martën trajneri Pep Guardiola.

Norvegjezi do të kthehet në skuadër për ndeshjen e Cityt që e luan në shtëpi në kuadër të Premier Leagues kundër ekipit të Burnleyt, të mërkurën.

Guardiola nuk zbuloi nëse Haaland do të jetë titullar në duelin që luhet në stadiumin “Etihad” dhe nis në orën 20:30.

“Për herë të parë mund të them tani se Haaland është kthyer”, tha Guardiola. “Dy muaj jashtë fushe është kohë e gjatë, por ai po ndihet shumë mirë. Me rëndësi është se Haaland do të jetë pjesë e ekipit dhe do të shohim nëse do të aktivizohet prej fillimit apo do të inkuadrohet më vonë”.

Ndeshja e fundit e Haalandit për Cityn këtë edicion ka qenë ajo kundër Aston Villas më 6 dhjetor dhe prej asaj kohe 23-vjeçari ka pasur telashe me këmbën e tij. Megjithatë, gjasat janë të mëdha që Guardiola ta inkuadrojë gradualisht Haalandin në ekip duke mos dashur të rrezikojë.

Në fakt, Guardiola ka menaxhuar minutat e Kevin De Bruynet prejse belgu është rikthyer në fushë nga lëndimi i rëndë që e mbajti pesë muaj larg ekipit. De Bruyne i ka regjistruar tri ndeshje rresht duke u inkuadruar si rezervist, por Guardiola tha se për Haalandin ka gjasa të mos ketë nevojë një kujdes i tillë. Sipas tij, Haalandit i duhet sa më shpejt ta rikthejë formën dhe të fillojë shënimin e golave për Cityn.

“Haalandi ka pasur një lëndim krejtësisht tjetër prej Kevinit dhe për këtë arsye qasja mund të jetë ndryshe prej njëri-tjetrit. Megjithatë, do të shkojmë hap pas hapi edhe pse Haaland ndoshta nuk ka nevojë për një gjë të tillë”, shtoi Guardiola.

Haalandi është edhe golashënuesi më i mirë në kampionatin anglez me 14 gola të realizuar në 15 paraqitje, ndërsa ka edhe katër asistime. Në total, Haalandi këtë edicion ka shënuar 19 gola në 22 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.

“Shpresoj që sa më shpejt të jetë në formën e tij më të mirë për shkak se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Me Haalandin në përbërje, sigurisht se jemi më të fortë”, paralajmëroi Guardiola.

Krahas tentimit për ta mbrojtur titullin e kampionit, City është në garë edhe për trofeun e Ligës së Kampionëve dhe Kupës FA.

Në të vërtetë, City i fitoi të tri garat edicionin e shkuar duke e rrëmbyer “tripletën”, ndërsa njëri prej më të merituarve për këtë sukses ishte pikërisht Haalandi. Ai në edicionin e parë me fanellën e Cityt realizoi hiq më pak se 52 gola në 53 paraqitje në të gjitha garat.