I kanë mjaftuar vetëm pak paraqitje këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll për t’u shndërruar në lider të skuadrës së Pejës. Amerikani Jay Jay Chandler po del të jetë njëri prej përforcimeve më të mira jo vetëm të Pejës, por i të gjitha skuadrave të elitës së basketbollit kosovar. Me vetëm katër ndeshje të luajtura Chandler është koshashënuesi më i mirë i Superligës me mesatare prej 24.3 pikëve për takim. Ai po luan edhe me katër kërcime dhe tri asistime për ndeshje, ndërsa Peja kryeson në tabelë me pikë maksimale. Kampionia mbetet skuadra e vetme që ende këtë edicion nuk di për humbje.
25-vjeçari Chandler beson se me paraqitje të mira do të vazhdoj deri në fund të edicionit. Thotë se pothuajse është përshtatur plotësisht në ambientin e ri. Amerikani insiston se prej fillimit ka besuar se do ta ketë një start të fuqishëm me fanellën e Pejës.
“Po, besoj fuqishëm se i kam të gjitha elementet për të pasur një supersezon si në aspektin personal ashtu edhe me ekip. Mendoj se ne tashmë kemi dëshmuar si ekip që duam të kemi një sezon madhështor”, ka thënë Chandler të martën për KOHËN. “Kam besuar në një start të tillë, pasi prej ditës së parë kam punuar për të qenë sa më i përgatitur. Në fakt gjithë ekipi është përgatitur mirë për këtë sezon”.
Chandler është njëri prej gjashtë amerikanëve që janë pjesë e kampiones në fuqi. Krahas tij, te Peja janë edhe Beck Terwell, Justin Davis, Aaron Cook, Jacob Calloway e Malcolm Armstead. Ky i fundit llogaritet vendor për shkak se posedon pasaportën e Kosovës.
Para se t’i bashkohet Pejës, Chandler karrierë në Evropë ka bërë edhe në Zvicër, ku edicionin e shkuar ishte pjesë e skuadrës Monthey. Ai thotë se nuk hezitoi fare t’i bashkohet Pejës kur mori ofertën pasi veçse kishte njohuri për basketbollin në Kosovë.
“I kam pasur disa shokë që i kam shikuar duke luajtur në Kosovë vite më parë dhe në momentin që agjenti më propozoi ardhjen këtu, nuk hezitova aspak. Nuk mund ta refuzoja mundësinë për t’u paraqitur në garat e FIBA-s, pasi kjo është diçka fantastike për karrierën time”, insistoi Chandler.
Fundori amerikan i ka parasysh synimet e Pejës. Ai e di se është pjesë e kampiones në fuqi, e cila jo vetëm që kërkon ta mbrojë titullin e edicionit të kaluar por edhe të luftojë për Kupën e Kosovës.
“Me pëlqen të fitojmë dhe sigurisht që dua trofe në edicionin tim të parë në Kosovë. Kështu që në secilën ndeshje që luaj mundohem të bëjë gjithçka që i nevojitet ekipit për të fituar. Synimet i kemi të mëdha dhe mund t’i arrijmë nëse vazhdojmë me paraqitje të mira që i kemi pasur deri më tani”, u shpreh Chandler.
Chandler është i kënaqur edhe me nivelin e ligës. Insiston se të gjitha ekipet janë të forta dhe ndeshjet nuk janë aspak të lehta. Amerikani është i fascinuar me atmosferën që tifozët po e bëjnë nëpër palestrat ku po zhvillohen ndeshjet e basketbollit.
Thotë se liga e Kosovës nuk ka dallim të madh prej ligave tjera dhe se po ndihet mirë që është pjesë e kampionatit kosovar.
“Me pëlqen liga në përgjithësi. Tifozët janë shumë të dhënë pas ndeshjeve dhe i kuptojnë mirë ato, gjë që i bën përballjet edhe më interesante dhe të detyrojnë të luash në nivel shumë të lartë për të qenë i barabartë me energjinë që e japin adhuruesit”, tha Chandler. “Liga e Kosovës dallon prej ligave tjera vetëm në aspektin fizik me sa e kam kuptuar. Kështu që më është dashur të përshtatem shpejt në mënyrë që të jem në gjendje të luaj rehatshëm”.
Krahas suksesit në Kosovë, Chandler do të mundohet ta ndihmojë Pejën të ketë paraqitje të mira edhe në FIBA Europe Cup. Peja këtë edicion do të paraqitet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pasi nuk arriti të kualifikohet në Ligën e Kampionëve. U eliminua në çerekfinale të turneut kualifikues të Championsit nga Bakken Bears i Danimarkës.
“Nuk do të jetë aspak lehtë në FIBA Europe Cup, por mendoj se jemi gati. Besoj se nëse japim më të mirën nga vetja në secilën ndeshje, atëherë mund edhe të shënojmë fitore. Sigurisht që paraqitja në këtë garë e ka edhe presionin me vete, por ne duam të jemi të gjendje të shkojmë një nivel më lartë dhe jam optimist për këtë”, deklaroi Chandler.
Ai është mirëpritur nga të gjithë në Pejë dhe po ndihet sikur të jetë pjesë e këtij qyteti. Chandler është shpallur MVP i xhiros së tretë të Superligës pas paraqitjes fantastike që e pati në fitoren e Pejës ndaj Trepçës, 92:80. Këtë derbi Chandler e përfundoi me 39 pikë, 5 kërcime e 3 asistime.