Sport

Çerekfinalja e Ligës së Evropës ofron ndeshje interesante

Liga e Evropës

Liga e Evropës ka arritur në fazën çerekfinale, ndërsa ekipet për t’u mposhtur janë Bayer Leverkuseni dhe Liverpooli.

Të enjten prej orës 21:00 janë ndeshjet e para të çerekfinales.

Ende i pamposhtur

Janë 41 ndeshje pa humbje dhe numërimi po vazhdon për Bayer Leverkusenin dhe trajnerin Xabi Alonso.

Në edicionin historik klubi gjerman ende nuk është mposhtur në ndonjë ndeshje të ndonjë gare dhe synon ta vazhdojë ecurinë edhe në ndeshjen kundër West Ham Unitedit.

Bayer Leverkusen – West Ham United luhet të enjten nga ora 21:00, në terminin e njëjtë me të gjitha çerekfinalet e tjera të Ligës së Evropës.

Leverkuseni është shumë afër titullit historik këtë vikend, të parin në Bundesligën gjermane, pasi ka krijuar diferencë prej 16 pikëve me skuadrat e vendit të dytë dhe të tretë, Bayernin dhe Stuttgartin.

Trofeu do të jetë i Leverkusenit nëse Bayern Munihu mposhtet nga Koelni të shtunën, apo nëse të dielën Leverkuseni fiton në shtëpi ndaj Werder Bremenit.

Ekipi i drejtuar nga Alonso po ashtu është në finale të Kupës së Gjermanisë, kështu që është ende në garë për “tripletë”.

West Hami është duke kaluar tjetër edicion mbresëlënës në Evropë, pasi e fitoi Ligën e Konferencës në kampanjën e kaluar.

Përfundimi përrallor

Liverpooli është ekipi tjetër që po lufton për “tripletë”. Tre trofetë i kërkon në edicionin e fundit të Juergen Kloppit si trajner i skuadrës.

Kupën e Ligës tashmë e ka fituar dhe është në garë të fortë për titull në Premier League, bashkë me Arsenalin dhe Manchester Cityn. Vetëm një pikë i ndanë këto tri skuadra në krye të tabelës, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund.

Nëse Liverpooli e arrin finalen e Ligës së Evropës, ajo do të ishte ndeshja e fundit e Kloppit në krye të ekipit pas afër nëntë vjetësh. Do t’ua siguronte mijëra tifozëve të “të kuqve” udhëtimin e shkurtër në Dublin, me shpresën e një përfundimi përrallor për trajnerin gjerman.

Kundërshtarja e Liverpoolit në çerekfinale të Ligës së Evropës është Atalanta. Këto dy ekipe janë takuar në fazën grupore të Ligës së Kampionëve në edicionin 2020/21, ndërsa të dyja ekipet i fituan ndeshjet në udhëtim.

Liverpool – Atalanta është ndeshja e parë, të enjten nga ora 21:00.

Trofeu që mungon

Ngritja e trofeut të Ligës së Evropës do të bënte që Milani ta kompletonte vitrinën e trofeve në futbollin kontinental.

Milani, shtatë herë fituesi i Kupës Evropiane apo Ligës së Kampionëve, po ashtu e ka fituar Kupën e fituesve të Kupave të Evropës dy herë, si dhe Superkupën e Evropës pesë herë, që është rekord. Por, asnjëherë nuk ka fituar në Ligën e Evropës apo në Kupën e UEFA-s, siç njihej më parë gara e nivelit të dytë kontinental.

“Rossonerët” asnjëherë nuk kanë arritur në finale, diçka që Roma, kundërshtarja e çerekfinales, e ka arritur dy herë. Roma u mposht në vitin 1991 dhe në vitin e kaluar.

Milani i ka të njohur kundërshtarët italianë në fazën nokaut. E kishte mposhtur Napolin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në edicionin e kaluar, para se të humbte nga Interi në gjysmëfinale.

Ndeshja e parë mes Milanit e Romës është në “San Siro”, të enjten mbrëma.

Humbja e shkëlqimit  

Ringjallja e Marseillet nën drejtimin e Jean-Louis Gasset, ka hasur në pengesë. Pasi i fitoi pesë ndeshjet e para me Gassetin në krye të skuadrës, me 18 gola të shënuar përgjatë asaj periudhe, skuadra franceze ka humbur në katër ndeshjet e kaluara në të gjitha garat.

Lëshimet e Marseillet janë rikthyer. Gabimet në mbrojtje, loja e dobët në mesfushë dhe mungesa e shkëlqimit në fazën e sulmit kanë qenë të dukshme së fundmi. Pavarësisht kësaj, Pierre-Emerick Aubameyang ende është duke shënuar dhe ka 23 gola këtë edicion. Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Barcelonës ka qenë shumë efikas në këtë kampanjë evropiane me 11 gola të shënuar në 11 ndeshje. Por, Gassetit i duhet edhe dikush tjetër të japë kontribut në sulm për duelin çerekfinal kundër Benficas.

Çerekfinalja e parë e Ligës së Evropës mes Benficas e Marseillet zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në Lisbonë.