Sport

Çeku: Deri në vitin 2028 synojmë të jemi të parët në rajon për infrastrukturë futbolli

Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, duke folur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes  Vetëvendosje ka thënë se po planifikon të bëhen deri 200 milionë euro investime në infrastrukturë të futbollit. 

Ai ka thënë se po planifikohet të ndërtohet edhe stadiumi nacional, ku do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. 

Ai tha se synimi është që deri në vitin 2028, “Kosova të jetë e para në rajon për infrastrukturë të futbollit dhe eksportuese e futbollistëve të talentuar”. 

Ndërsa, për stadiumin nacional, së bashku me ministrin e financave, Hekuran Muratin po negociojnë kredi ndërkombëtare.

“Po investojmë mbi 200 milionë euro për të kompletuar infrastrukturën e futbollit në vendin tonë... Deri në vitin 2028 synojmë që të jemi të parët në rajon, për infrastrukturën e futbollit dhe të jemi vend eksportues i futbollistëve të talentuar. Ndërsa, lajm tjetër i mirë në futboll që aktualisht, me ministrinë e Financave jemi duke negociuar kredi ndërkombëtare, për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës. Ende nuk e dimë lokacionin e saktë sepse, po bëhen analizat se ku do të ndërtohet, mirëpo ajo që e dimë është kjo në këtë stadium nacional do të bëhet ceremonia e hapjes së lojërave mesdhetarë në vitin 2030”, ka thënë Çeku, raporton "KosovaPress".

Çeku ka folur edhe për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030, e ku Kosova pritet të mirëpresë rreth 5 mijë sportistë nga 26 shtete. 

“Kemi siguruar të drejtën e organizmit të lojërave mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare, multi-sportive në Kosovë. Janë 250 milionë investime të planifikuara në të gjithë vendin dhe në vitin 2030, i presim 5 mijë sportistë në 25 disiplina sportive nga 26 shtete. E kështu për krahasim, Lojërat Olimpike në Paris sivjet kishin 10 mijë e 500 sportistë me 32 disiplina, por po flasim për një lloj gjysmë olimpiade që do të organizohet në vendin tonë”, ka thënë Çeku.

Më 8 shtator të vitit të kaluar, në Heraklion të Greqisë, u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Është kjo ngjarja dukshëm më e madhe sportive që do të organizohet në Kosovë. Punët në infrastrukturë dhe në fusha të tjera vlerësohet se do të jenë të mëdha që Prishtina e Kosova të jenë gati për të pritur mijëra sportistë nga shumë vende rreth Mesdheut.

Pritej që punët të nisin menjëherë, por kjo megjithatë nuk ka ndodhur. Ka kaluar më shumë se një vit dhe nuk është bërë asnjë hap drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare.  Afate tashmë janë shkelur.
Ka pasur përplasje mes Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës e Komitetit Olimpik të Kosovës  dhe kjo bëri që procesi të stopohet. Nuk është funksionalizuar Komiteti Organizativ dhe nuk është bërë asnjë hap para drejt organizimit të ngjarjes.

MKRS-ja thotë se së shpejti do të themelohet këshilli dhe se punët për infrastrukturë për Lojërat Mesdhetare po zhvillohen sipas planeve.

“Punët kryesore në përgatitje për LM 2030 janë investimet në infrastrukturën sportive. Dhe ky plan është duke u realizuar në përpikëri, me shumë punë në zbatim për stadiume dhe negocime të kredive ndërkombëtare për stadiumin nacional, pallatin e rinisë dhe qendrën e studentëve e cila do të shndërrohet në fshatin mesdhetar të Lojërave në vitin 2030. Ndërsa themelimi i Komitetit Organizativ është në finalizim dhe për këtë janë duke u zhvilluar konsultimet përfundimtare mes Qeverisë së Kosovës, Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës, komunave tjera pjesëmarrëse, institucioneve të Shqipërisë dhe Komitetit Ndërkombëtar për Lojërat Mesdhetare. Jemi gjashtë vite para LM 2030 dhe nuk kemi asnjë vonesë në aspektin organizativ për të cilin do të kujdeset Komiteti Organizativ që pritet të themelohet së shpejti”, thuhet në reagimin e Ministrisë.