Basketbollisti amerikan, Jacob Calloway, nuk është aspak i befasuar me formën e mirë që Peja po e shfaq në fillim të këtij edicioni, si në Superligën e Kosovës ashtu edhe në FIBA Europe Cup.
Calloway është i kënaqur edhe me paraqitjet e tij, por insiston se si ai ashtu edhe ekipi mund të luajnë edhe më mirë dhe se po përmirësohen nga ndeshja në ndeshje. Në kampionatin e Kosovës, Peja është ekipi i vetëm pa humbje. Kampionia aktuale ka shtatë fitore në po aq ndeshje të luajtura. Ndërkohë në FIBA Europe Cup ka regjistruar dy fitore karshi një disfate në tri duelet në kuadër të Grupit H.
Calloway (202 cm) është prej lojtarëve kryesorë te Peja. Ai luan me mesatare prej 12.7 pikëve e 5 kërcimeve në Superligën e Kosovës. Ndërsa në garën e FIBA-s ka 13.3 pikë dhe 7.5 kërcime për ndeshje.
“Nuk do të thosha se jam i befasuar me këtë start të mirë, pasi kemi ekip fantastik, të përbërë nga lojtarë të mirë dhe trajner të madh. Ne punojmë shumë dhe prej ditës së parë të përgatitjeve ky ishte synimi jonë. Deri më tani kemi bërë gjëra të mira si në aspektin kolektiv ashtu edhe individual, por duhet t’i përmirësojmë disa gjëra pasi nga ndeshja në ndeshje po luajmë më mirë”, ka thënë Calloway të hënën për KOHËN.
“Po e njohim më mirë njëri-tjetrin dhe po ashtu kemi edhe lojtarë vendorë të talentuar që po na ndihmojnë shumë të fitojmë secilën ndeshje”.
Sa i përket kampionatit, Calloway thotë se synimi i Pejës është ta fitojë secilën ndeshje në mënyrë që në fund të edicionit ta mbroj me sukses titullin. Në FIBA Europe Cup, thekson se avancimi nga faza e parë e grupeve është si një lloj obligimi dhe këtë e kanë parasysh të gjithë lojtarët e ekipit pejan.
“Në Kosovë synimi është ta fitojmë secilin ndeshje në mënyrë që të fitojmë një titull tjetër të kampionit. Ndërkohë, sa i përket garave të Evropës, në momentin kur kam firmosur me Pejën në qershor kam pasur një bisedë me trajnerin dhe më është bërë me dije se arritja sa më larg në Evropë mbetet synim. Kështu që sigurisht se duam ta kalojmë grupin pas dy fitoreve të fundit që i kemi marrë, të cilat ishin shumë të rëndësishme”, shtoi Calloway.
Ndeshja e radhës në FIBA Europe Cup mund të jetë vendimtare për fatin e Pejës në grup. Këtë e pranon edhe Calloway. Të mërkurën mbrëma, Peja në palestrën “Karagaçi” e pret skuadrën e Bundesligës së Gjermanisë, Niners Chemnitz.
Niners Chemnitz i ka tri fitore ndërsa në xhiron e parë triumfoi ndaj Pejës në Gjermani me rezultat bindës, 98:72. Peja ka një pikë më pak dhe fitorja të mërkurën mbrëma do t’i shtonte shumë gjasat që kampionia e Kosovës të avancojë tutje.
“Mendoj se është një ndeshje shumë e rëndësishme, e cila mund të jetë vendimtare se si do të rrjedhin gjërat në grup. Ata patën një paraqitje shumë të mirë në Gjermani, por ne mund të fitojmë në shtëpi. Luajmë para tifozëve tanë, të cilët me përkrahjen e fuqishme mund të na ndihmojnë shumë. Nuk jam i sigurt nëse Chemnitzi ka luajtur ndaj një ekipi që ka tifozë që krijojnë një atmosferë të zjarrtë”, shtoi Calloway.
Para se t’i bashkohej Pejës, 27-vjeçari ka luajtur në vende të ndryshme të Evropës dhe ka përvojë të madhe. Fillimisht, në edicionin e parë si profesionist, Calloway ka luajtur në Kolumbi, përpara se të bëjë karrierë në Zvicër, Çeki, Hungari e Islandë. Ka qenë pjesë e skuadrave si Pully Lausanne Fox, Ostrava, Ose Lions e Valur. Në Islandë ai e ka fituar titullin e kampionit në edicionin 2021/22 dhe është shpallur MVP i serisë finale.
“Kam luajtur në shumë vende, si Zvicër, Çeki, Kolumbi e Islandë dhe përvoja e krijuar më ka ndihmuar edhe te Peja. Në Islandë e kam fituar titullin dhe jam shpallur më i mirë i finaleve. Te Peja kam ardhur për titullin e dytë dhe mendoj se kemi ekip për ta arritur një sukses të tillë”, tha Calloway.
Në kuadër të Grupit H të FIBA Europe Cup, Peja fitoi 99:84 ndaj Heroes Den Bosch të Holandës me rezultat 99:84. Javën e kaluar e mposhti Spojnia Stargardin në Poloni me rezultat 83:79.