Sport

Caktohet data për seancën gjyqësore ndaj Cityt

Një zgjidhje për çështjen ligjore të Manchester Cityt me Premier Leaguen nuk është shumë larg. Richard Masters, shefi ekzekutiv i Premier Leagues, ka treguar të martën se tashmë është caktuar data për seancën dëgjimore në një gjykatë sportive. Megjithatë, ai nuk e ka zbuluar datën kur do të mbahet kjo seancë, por ka thënë se do të ndodhë së shpejti.

Premier League e ka akuzuar Cityn për rreth 80 shkelje financiare dhe 30 të tjera për dështimin e kampionit në fuqi të Anglisë që të bashkëpunojë me hetuesit. Këto akuza ndaj Manchester Cityt janë ngritur dhe janë bërë publike në muajin shkurt të vitit të shkuar. Në rast se City shpallet fajtor, atëherë do të pasojnë gjobat që do të jenë shumë të rënda për klubin nga “Etihad Stadium”.

Krahas heqjes së pikëve, City rrezikon edhe përjashtimin nga elita e futbollit anglez.

Duke folur para komitetit parlamentar, Masters është pyetur edhe për hetimet ndaj klubeve të tjera për thyerjen e rregullave financiare. Ai ka thënë se tashmë Evertoni është gjobitur me heqje të pikëve, ndërsa hetimet po vazhdojnë edhe ndaj Nottingham Forestit. Madje, Masters ka paralajmëruar gjoba të tjera ndaj Evertonit, duke shtuar se rasti i këtij klubi është proceduar më shpejt në krahasim me atë të Cityt që ka zgjatur më shumë.

Evertonit javë më parë i janë hequr dhjetë pikë dhe shkaku i këtij dënimi ka rënë në pjesën e poshtme të tabelës dhe po lufton për mbijetesë në Premier League. Aktualisht zë vendin e 17-të në tabelë me po aq pikë të tubuara pas 21 ndeshjeve të luajtura në kampionat.

“Volumi dhe karakteri i akuzave të ngritura ndaj Manchester Cityt, për të cilat nuk mund të flas fare, po hetohen dhe do të dëgjohen në një mjedis krejtësisht tjetër. Tashmë data është caktuar për seancën e parë, por për fat të keq nuk mund ta zbuloj. Megjithatë, procedura është përshpejtuar dhe tashmë janë caktuar të gjitha”, është shprehur Masters.

Gazeta britanike “Daily Mail” në muajin nëntor ka raportuar se seanca dëgjimore do të mbahet më së largu në vjeshtën e këtij viti. Prejse është goditur me akuza nga Premier League, City jo vetëm që ka mbrojtur titullin e kampionit të Anglisë, por ka triumfuar në Kupën FA, ka fituar për herë të parë trofeun e Ligës së Kampionëve dhe Botërorin e klubeve.

Dënimi i dhënë ndaj Evertonit për heqjen e dhjetë pikëve është sanksioni më i madh sportiv në historinë e Premier Leagues. Evertoni u shpall fajtor nga një komision i pavarur për shkak se kishte pasur humbje prej 124.5 milionë funteve gjatë tre vjetëve. Rregullat e ligës për përfitimin dhe stabilitetin financiar u lejojnë klubeve të kenë humbje deri në 105 milionë funte në një periudhë trevjeçare, në të kundërtën përballen me sanksione.