Duke mbajtur dokumente para vetes, ish-boksieri i gjeneratës së artë të Prishtinës, Sami Buzolli, kërkonte vetëm një përgjigje. Ai insiston të njoftohet nga dikush prej Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit se për çfarë arsyeje i është ndalur pensioni për të arritura sportive. Buzolli në vitin 2020 ka marrë tri pensione mujore dhe këtë e konfirmon me dokumentin e llogarisë bankare. Pas këtyre pensioneve Buzolli nuk ka marrë asnjë cent dhe ka tre vjet që po pret t’i marrë mjetet që thotë se i takojnë. Por, askush nuk po ia jep një përgjigje.
Buzolli të enjten ka mbajtur një konferencë për shtyp për ta sqaruar situatën në të cilën gjendet. Thotë se i takon pensioni për të arritura sportive në vlerë prej 400 eurosh në muaj. Pos dokumentit të llogarisë bankare, Buzolli ka paraqitur edhe rekomandimin e KOK-ut dhe vendimin e MKRS-së që i takon pensioni për të arriturat sportive. Ai ka dy medalje të argjendta evropiane dhe një medalje të bronztë botërore, rezultate këto që e bëjnë njërin prej boksierëve më të mirë që ka pasur Kosova. Sukseset i ka arritur gjatë kohës sa Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.
Buzolli ka thënë se pensioni i takon edhe Mehmet Bogujevcit e Bajram Hashanit. Por, sipas Buzollit, ata po e marrin rregullisht pensionin.
“Bajram Hashani e Mehmet Bogujevci marrin pension e unë nuk e kam. E kam marrë vetëm tre muaj dhe pastaj m’u ndal, ndërsa nuk e di aspak qëllimin se për çfarë arsyeje m’u ndërpre pensioni. Arsyeja nuk dihet e unë e kam edhe vendimin që me takon pensioni, si dhe konfirmimin e bankës që tregon se vetëm tre muaj kam marrë rrogë. E kam edhe vendimin e KOK-ut që arsyeton rezultatet e mia”, ka thënë Buzolli, i cili jeton në Itali.
Ai ka treguar se së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, kanë shkuar në ministri, por nuk kanë marrë përgjigje. Ka thënë se i kanë kthyer prapa duke u premtuar se gjithçka do të rregullohet për shkak se e ka vendimin për pension dhe ato janë paratë e tij. Mirëpo, deri më tani askush nuk po e merr parasysh Buzollin.
“Prej derës në derë kam që shkoj tashmë tre vjet në Ministri, por unë nuk kam pension i cili më është ndërprerë. Kështu që, nuk po kuptoj edhe pse me vjen të kuptoj një gjë tjetër, vetëm pse jam minoritet. Por, le të dalë dikush të thotë se jam minoritet dhe nuk të takon pensioni, është në rregull. Apo edhe vetëm të më japë një shpjegim se për çfarë arsyeje nuk më takon dhe është në rregull”, ka theksuar Buzolli, njëri prej boksierëve më të mëdhenj që ka pasur Kosova.
Kusht për gëzimin e pensionit për të arritura sportive është që të mos përfitohet për ato rezultate nga një vend tjetër. Pra, që sukseset në karrierë të deklarohet se i takojnë Kosovës. Buzolli thotë se është nga Kosova dhe për këtë arsye dëshiron pensionin ta marrë nga vendi i tij, ndonëse ka pasur ofertë nga vendet e tjera, saktësisht nga Serbia. Ai ngul këmbë se nuk merr pension nga ndonjë vend tjetër.
“Kam pasur shumë oferta, sa herë udhëtoj kah Serbia, kur shkoj atje ku jetoj, më ndalin shokët rrugës dhe më thonë se vetëm një ditë më duhet të jem atje dhe do ta marr pagën prej vitit 1981, kur është futur në fuqi pensioni i sportistëve. Por unë nuk e nënshkruaj, sepse nuk e ndiej veten se jam nga atje. Në fillim, pa hyrë ende në fuqi ky vendim në Kosovë, kam thënë se nëse bëhet ndonjëherë të marr pension, do ta marr të Kosovës, sepse të Serbisë nuk e marr”, ka insistuar Buzolli.
Atij i është konfirmuar se i ka dokumentet në Ministri, por vetëm i duhet një firmë për të proceduar me marrjen e pensionit. Duke parë që gjërat nuk po lëvizin, Buzolli thotë se po e detyrojnë të ndërmarrë një veprim tjetër. Të këshillohet dhe të angazhojë avokat për ta marrë atë që i takon.
“Po më detyrojnë që të veproj, të shkoj të këshillohem me dikë për të më treguar se cilën rrugë duhet të ndjek. Nëse ka nevojë do të angazhoj edhe avokat, sepse më kanë detyruar”, u shpreh ai.
KOHA ka pyetur në MKRS lidhur me pensionin e Sami Buzollit. Nuk ka marrë ende përgjigje.