Armando Broja i ka kompletuar testet mjekësore te skuadra e Ipwsichit, pjesë e të cilit ekip është edhe portieri i Kosovës, Arijanet Muriq.
“Sky Sports” ka raportuar të mërkurën në mbrëmje se Broja së shpejti pritet ta finalizojë kalimin nga Chelsea.
Marrëveshja do të jetë në formë huazimi, e cila do të bëhet e obligueshme në fund të edicionit.
Ipswichi do të detyrohet t’i paguajë Chelseat rreth 35 milionë euro, nëse skuadra e siguron qëndrimin në Premier League.
Broja mund të debutojë të shtunën kundër Manchester Cityt në ndeshjen e xhiros së dytë të elitës angleze, nëse regjistrimi i tij përfundon të premten.