Sport

Brad Waldow kthehet për një titull tjetër në Kosovë

Edicionin e shkuar Bradley Waldow u shpall kampion i Kosovës në basketboll me skuadrën e Pejës. Qendra amerikane ishte ndër më të merituarit që Peja arriti ta kthente titullin pas një dekade.

Në fakt Waldow kontribuoi shumë në këtë sukses të Pejës. Ai në sekondat e fundit të vazhdimit prej pesë minutave në ndeshjen e pestë të serisë finale ndaj Trepçës shënoi pikët për fitoren 93:91 në Mitrovicë. Peja e fitoi serinë finale me rezultatin e përgjithshëm 3:2.

Basketbollisti i gjatë 208 centimetra është kthyer në basketbollin kosovar me misionin e njëjtë, por nuk do ta ketë lehtë. Ai do të përpiqet që ta fitojë titullin e kampionit me fanellën e Bashkimit, ekip që nuk e ka fituar kampionatin prej vitit 2018.

Waldow pa dyshim se është përforcimi më i madh i skuadrës prizrenase për këtë edicion. Qendra gjigante këtë e ka parasysh dhe do të përpiqet që ta ndihmojë Bashkimin për ta kthyer titullin. Ai vendosi të kthehej në Kosovë pasi e shkëputi kontratën në Izreal për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Thotë se zgjodhi Bashkimin përkundër se pati oferta edhe të tjera nga Kosova. Ekipi prizrenas i ofroi kushtet më të mira për të.

Tani Waldow është gati për një aventurë tjetër në Kosovë por me fanellë të portokalltë dhe jo të verdhë.

“Kisha oferta dhe më duhet ta pranoj këtë. Por, Bashkimi më dha gjithçka që kërkova dhe jam i lumtur që do të jem pjesë e këtij ekipi. Jam më se i bindur se Prizreni do të jetë një qytet shumë i mirë dhe i dashur për mua dhe familjen time”, tha Waldow të mërkurën për KOHËN.

Te Peja, Waldow luajti me mesatare prej 12 pikëve dhe 11 kërcimeve për ndeshje në Superligë dhe me paraqitje të tilla, ndoshta edhe më të mira, shpreson të paraqitet me Bashkimin. Ai e di që Bashkimi ka emër në basketbollin kosovar dhe është në kërkim të titullit pas një kohe të gjatë, synim që shpreson ta përmbush këtë edicion. Amerikani pranon se nuk do të jetë aspak mision i lehtë.

“Fitimi i titullit në secilën ligë gjithmonë është shumë i vështirë. Vështirë ishte edhe edicionin e shkuar, por ia dolëm. Edhe këtë edicion nuk do të jetë lehtë por do të përpiqemi së bashku me pjesën tjetër të ekipit. Pra, synimi është të përpiqemi dhe të sigurojmë trofe”, shtoi Waldow. “Dua të jem lider i kampionatit në kërcime dhe ta ndihmoj ekipin tim të ri për t’u shpallur kampion i Kosovës. Jam gati për të dhënë më të mirën nga vetja”.

Edhe pse edicionin e nisi në Izrael, Waldow e ka përcjellë basketbollin në Kosovë. Sipas tij, edhe këtë edicion kampionati do të jetë shumë interesant pasi të gjitha skuadrat janë të forta. Aktualisht, Bashkimi nuk është në seri të mirë. Ka regjistruar katër humbje rresht dhe ka bilanc prej tri fitoreve e pesë disfatave pas tetë ndeshjeve të luajtura.

“Liga edhe këtë vit është shumë e fortë, ku secila skuadër mund ta mposhtë secilën dhe kjo do ta bëjë edhe më interesant kampionatin. E di çfarë më pret dhe e njoh basketbollin në Kosovë, kështu që më mbetet vetëm të dal në ndeshje dhe të jap më të mirën nga vetja, siç kam bërë edicionin e kaluar”, ka shtuar Waldow.

Para ardhjes në Kosovë vitin e kaluar, Waldow karrierë ka bërë edhe në Belgjikë, Francë, Japoni, Holandë e Poloni.

Bazuar në përvojën e Waldowit dhe faktin që ai është kampion, te Bashkimi po shpresojnë që këtë vikend të rikthehen tek fitorja, ndonëse Vëllaznimi është në seri prej katër fitoreve dhe ka tubuar 12 pikë, një më shumë se skuadra nga Prizreni.

Waldow e kishte kompletuar kampionatin te Peja, si pak lojtarë të huaj në Kosovë. Ishte shquar për vazhdimësi dhe kontribut jo vetëm me pikë.