Flakrim Beqiraj ka pritur penallti në sekondat e fundit për të ndihmuar Besa Famgasin që ta kalojë Kastriotin në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Kampionia aktuale, Besa, të mërkurën mbrëma në “Karagaçi” e mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultat 34:33.
Me rezultatin e përgjithshëm prej 2:1, Besa kaloi në finale ku tashmë pret Rahoveci.
Portieri i skuadrës pejane, Beqiraj, në fund ndali gjuajtjen nga penalltia të Deniz Terziqit për festën e madhe të Besës.
Kastrioti në pjesën e parë u shkëput deri në gjashtë gola, ndërsa pjesa e dytë ishte e barabartë dhe shumë e fortë. Besa e mbylli më mirë ndeshjen, por edhe falë goditjes së pafat të Terziqit nga penalltia.
Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me nëntë gola. Nëntë gola te Besa i kishte Arbios Mushkolaj.
Portierët, Beqiraj i Besës dhe Liridon Esati i Kastriotit i kishin nga 11 pritje.
Në gjysmëfinalen tjetër, Rahoveci e ka eliminuar Trepçën.
Ndeshja e parë finale është të shtunën mbrëma në Rahovec.