Sport

Beqiragiqi pritet të emërohet trajner te Trepça

Klubi basketbollistik, Trepça, ka nisur menjëherë përgatitjet për sezonin e ri, pas humbjes së titullit. Pritet ta emërojë në krye të skuadrës ish-trajnerin e KB Yllit, Adis Beqiragiq.

KOHA ka mësuar se Trepça ka arritur dakordim me Beqiragiqin dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet për sezonin e ri.

Beqiragiq fitoi dy herë titullin e kampionit të Kosovës me Yllin. Këtë sezon, me skuadrën suharekase u eliminua në gjysmëfinale nga Peja. Udhëhoqi Yllin që nga sezoni 2020/21.

Beqiragiqi e ka drejtuar edhe Pejën. Gjatë sezonit që u ndërpre nga pandemia, trajneri boshnjak e fitoi Kupën e Kosovës me skuadrën pejane.

Ai është edhe trajner i Përfaqësueses së Bosnjës.

Trepça nuk arriti të shpallet kampione as këtë sezon. U mposht nga Peja të enjten mbrëma në “Minatori” në ndeshjen e pestë vendimtare.