Sport

Bayern – Real Madrid, spektakli i futbollit i garantuar

Champs

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thënë të hënën se skuadra e tij nuk do të bëjë gabimin që të shikojë kampanjën dëshpëruese të Bayernit në Bundesligë. Ancelotti ka thënë se Reali assesi nuk do ta nënçmojë Bayernin.

Bayerni e Real Madridi takohen të martën prej orës 21:00 në “Allianz Arena” të Munihut, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Bëhet fjalë për dy prej skuadrave më të mëdha evropiane të futbollit dhe spektakli është i garantuar, me gjithë dështimin e Bayernit në Bundesligë.
Bayer Leverkuseni i dha fund dominimit të Bayernit në Bundesligë, duke fituar titullin dy javë më parë. Por Ancelotti ka thënë se e kaluara në Evropë ka rëndësi në gjysmëfinale. Ai e di se kampioni i gjashtëfishtë, Bayerni, ka motiv shtesë për ta fituar trofeun e vetëm për të cilin është në garë.

“Kemi besimin e duhur që të përballemi me një ekip, që ndonëse nuk ia doli në Bundesligë, është paraqitur shumë mirë në Champions ndaj Arsenalit”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp.

“Bayerni ka eliminuar një ekip shumë të fortë. Në Ligën e Kampionëve historia ka vlerë të madhe. Ka vlerë të madhe për Bayernin, por po ashtu për ne”, ka shtuar tekniku italian.

Bayerni arriti në gjysmëfinale për herë të parë pas katër vjetësh, falë fitores me rezultatin e përgjithshëm 3:2 ndaj Arsenalit.

Real Madridi është vetë historia e Championsit. Kampion evropian është shpallur 14 herë dhe tashmë llogaritet favoriti kryesor. Reali në gjysmëfinale arriti duke eliminuar kampionin në fuqi, Manchester Cityn, me penallti. Reali po ashtu është shumë afër që të sigurojë titullin e 36-të në La Liga.
Ancelotti ka thënë se Bayerni e Reali janë ekipe të ngjashme sa i takon mënyrës se si janë të afta të përshtaten në rrethana të ndryshme. Reali po bëhet gati për të “papriturën”, me Thomas Tuchelin që synon të largohet me trofe të madh nga Bayerni.

“Jemi dy ekipe pa identitet të qartë dhe që mund të luajmë ndeshjen në mënyrë të ndryshme. Sa i takon kualitetit, bavarezët janë të fortë në tranzicion, mund të ndryshojnë stilin dhe janë të rrezikshëm. Por është vetëm ndeshja e parë. Na presin 180 minuta dhe do të paraqitemi me besim, duke pasur parasysh që kemi një kundërshtar cilësor me individë të shkëlqyer”, ka thënë Ancelotti.

Ai nuk ka dhënë detaje lidhur me formacionin. Ka dilema për partnerin e Antonio Ruedigerit në qendër të mbrojtjes. Mesfushori Aurelien Tchouameni ishte impresiv në mbrojtje në mungesë të Eder Militaot dhe David Alabas. Mund ta ketë sërish besimin e Ancelottit.

Te Bayerni mbështeten edhe në përkrahjen e madhe nga tribunat në synim për rezultat sa më të favorshëm para ndeshjes së kthimit në Madrid. Trajneri Thomas Tuchel ka kërkuar nga tifozët që të krijojnë atmosferë të veçantë në ndeshjen e së martës mbrëma.

“Na duhet që atmosfera të jetë e jashtëzakonshme. Na duhen tifozët për të na përkrahur, edhe në momentet më të vështira. Së bashku me tifozët ne duhet të krijojmë atmosferë që na jep avantazh”, ka thënë Tuchel.

Sipas tij, kur skuadrat evropiane luajnë kundër Real Madridit, luajnë edhe ndaj legjendës që i shoqëron madrilenët. Tuchel ka premtuar se fokusi do të jetë maksimal.

“Na pret një ndeshje e madhe”, ka thënë Tuchel.

Tucheli përballet me disa vendime të vështira sa i takon formacionit për shkak të lëndimeve. I dyshimtë mbetet edhe Jamal Musiala, që ka 12 gola e shtatë asistime këtë edicion. 
Joshua Kimmich ka thënë se fokusi është që Bayerni të jetë në pozitë samë të mirë para ndeshjes së kthimit në “Santiago Bernabeu”, më 8 maj.

“Është përballje e dy klubeve të mëdha. Ne e dimë që Bayerni ka përvojë dhe kualitet. Madrilenët besojnë në vetvete dhe njohin cilësitë e tyre”, ka thënë mesfushori.
Në gjysmëfinalen tjetër, të mërkurën mbrëma, takohen Borussia Dortmundi e Paris Saint-Germaini.