Pas fitoreve të para këtë edicion në Ligën Ballkanike, skuadra e Bashkimit synon të vazhdojë me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll. Bashkimi fitoi dy ndeshje për dy ditë në Ligën Ballkanike, ndërsa të dielën i kthehet kampionatit vendor. Në Bullgari, Bashkimi mposhti Beroen e Levskin, duke regjistruar rezultatet e para pozitive pas një serie prej pesë humbjeve në këtë ligë.
Në Superligë, Bashkimi do të përballet me Trepçën, ekip që vikendin e shkuar e fitoi Kupën e Kosovës. Kjo ndeshje luhet të palestrën “13 Qershori” në Suharekë, ku Bashkimi është vendas, dhe nis në orën 17:00.
Trepça është në seri të mirë që nga ardhja e trajnerit nga Turqia, Engin Gençoglu, nën drejtimin e të cilit ka regjistruar shtatë fitore në po aq ndeshje të luajtura në të gjitha garat. Në Superligë, është në seri prej katër fitoreve dhe zë vendin e katërt në tabelë me 35 pikë, tri më shumë se Bashkimi që renditet një pozitë më poshtë.
“Ndeshja me Trepçën është e rëndësishme për ne. Do të përballemi me një ekip të fortë që ka rotacion dhe që është tejet i motivuar pas triumfit në Kupën e Kosovës. Ne duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe mos të bëjmë gabime, ndërsa në mbrojtje duhet të jemi agresivë për ta ndalur Trepçën. Nëse e bëjmë këtë, atëherë do të mund ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Audrius Prakuraitis.
Te Trepça kanë pranuar se janë të movituar maksimalisht pas suksesit në Kupë dhe kanë shtuar se ndaj Bashkimit synojnë që ta vazhdojnë serinë pozitive. Fundori i Trepçës, Amin Hot, ka vlerësuar ekipin e Bashkimit.
“Bashkimi ka një ekip të mirë, por ne jemi të motivuar pas suksesit në kupë dhe sigurisht se do të përpiqemi ta fitojmë çdo ndeshje deri në fund. Nuk do të jetë lehtë por jemi të përgatitur dhe të gatshëm”, ka thënë Hot.
Xhiroja e 23-të e elitës së basketbollit kosovar nis të shtunën me dy ndeshje. Në palestrën “Mizahir Isma” prej orës 17:00, Rahoveci e pret skuadrën e Vëllaznimit. Rahoveci është i fundit në tabelë me 24 pikë dhe pa gjasa për t’i ikur kësaj pozite, ndërsa Vëllaznimi ka 30 pikë dhe zë vendin e gjashtë. Ndërkohë prej orës 19:00, Peja do të përballet me Ponte Prizrenin. Në duelin që luhet në palestrën “Karagaçi”, në krye të Pejës do të debutojë trajneri nga Izraeli, Rami Hadar. Ai ditë më parë e zëvendësoi turkun Can Sevim, i cili u largua pas eliminimit në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Peja është e treta me 37 pikë, ndërsa Ponte Prizreni i parafundit me 29 pikë. Skuadra prizrenase po lufton për të ikur nga pozita e plejautit.
Ndërkohë, derbi i kësaj xhiroje ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, është shtyrë për 28 shkurt me kërkesën e ekipeve. Trajneri i Yllit, Adis Beqiragiq ka angazhime me Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa lojtari i Prishtinës, Lejson Zeqiri është grumbulluar me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.
E shtunë
Rahoveci – Vëllaznimi (17:00)
Peja – Ponte Prizreni (19:00)
E diel
Bashkimi – Trepça (17:00)
1. G.E. Ylli 22 39
2. S. Prishtina 22 38
3. Peja 22 37
4. Trepça 22 35
5. Bashkimi 22 32
6. Vëllaznimi 22 30
7. P. Prizreni 22 29
8. Rahoveci 22 24