Një edicion të mundimshëm, por edhe të suksesshëm e kompletoi të martën mbrëma skuadra prizrenase e basketbollisteve, Bashkimi.
Edicioni është i suksesshëm për shkak të trofeve, ndërsa i mundimshëm pasi Bashkimi të gjitha ndeshjet i ka luajtur jashtë Prizrenit. Kjo i jep vlerë më të madhe suksesit.
Bashkimi u detyrua të luajë si vendas në qytete të tjera për shkak të rinovimit maratonik të palestrës “Sezai Surroi” në Prizren. Punimet nisën në fund të vitit të shkuar dhe ende nuk kanë përfunduar. Bashkimi ndeshjet si vendas i ka luajtur në Suharekë, ndërsa shumicën e stërvitjeve i ka kryer nëpër salla të shkollave të Prizrenit. Përkundër vështirësive, basketbollistet e Bashkimit e mbyllën edicionin 2022/23 në mënyrën më të mirë të mundshme. Të martën mbrëma në Suharekë e fituan titullin e kampionit të Kosovës. Triumfuan ndaj Prishtinës me rezultat 78:64, duke e mbyllur serinë finale të plejofit me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Ishte trofeu i tretë këtë edicion për Bashkimin, i cili fitoi edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Amerikania Khadija Brown-Haywood pranon se edicioni ishte i mundimshëm për të gjithë ekipin. Ajo e njeh mirë ekipin prizrenas pasi ka luajtur për Bashkimin edhe në dy raste të tjera (2018 dhe 2020). Sipas basketbollistes amerikane, ekipi është përballur edhe me lëndime.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme kur e di se të gjithë trofetë e basketbollit kosovar janë kthyer aty ku e kanë vendin, te Bashkimi. Ky sezon përfundimisht ishte ndryshe në shumë aspekte, pasi jemi përballur me shumë lëndime dhe pastaj çështja e palestrës që na ka penalizuar shumë. E them këtë për shkak se nuk e kam luajtur asnjë ndeshje në Prizren si vendas, të gjitha në Suharekë”, shprehet Brown-Haywood, e cila iu bashkua Bashkimit në janar. “Megjithatë ne ishim në gjendje të qëndrojmë të bashkuara, të fokusohemi në synimet tona, ta përkrahim njëra-tjetrën për të tejkaluar çdo pengesë”.
Brown-Haywood thotë se Bashkimi ka merituar suksesin kulmor. Pjesën e rregullt të edicionit Bashkimi e përfundoi në pozitën e parë me 20 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe e riktheu titullin e kampionit pas pesë vjetësh. Herën e fundit Bashkimi ishte shpallur kampion në vitin 2018, ndërsa në total është titulli i shtatë në histori të klubit prizrenas.
“Nuk ishte aspak e lehtë pasi duhej të stërviteshim në një sallë tjetër çdo ditë dhe orari mund të ndryshonte për shkak se ishte sallë e shkollës. Pastaj në ndeshje si vendas nuk i kishim tifozët për të na përkrahur por tejkaluam gjithçka për të shijuar suksesin në fund. Sigurisht kjo u arrit me angazhimin e të gjithëve në klub, përfshirë edhe tifozët që na kanë përkrahur vazhdimisht”, u shpreh Brown-Haywood, e cila ka luajtur me një mesatare prej 23 pikëve, 8 kërcimeve e 4 asistimeve për ndeshje.
Amerikanja 29-vjeçare ka pesë trofe me fanellën e Bashkimit. Brown-Haywood me ekipin prizrenas ka fituar dy tituj kampioni, dy kupa dhe një Superkupë të Kosovës. Ajo pranon se ndihet krenare me këto arritje. Këtë edicion u shpall dy herë MVP (lojtarja më e vlefshme): në finalen e Kupës dhe finalen e plejofit.
“Ndihem krenare dhe e lumtur me këto suksese, pasi Bashkimi është shtëpia ime e dytë. Këtë vit ishim në gjendje të tregojmë paraqitje të mira duke e mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam besuar shumë se do të tejkalojmë gjithçka për shkak se nuk jemi dorëzuar dhe kemi qenë të motivuara për ta kthyer klubin aty ku e ka vendin”, u shpreh Brown-Haywood. “Po ashtu këtë vit ka pasur më shumë lojtare të huaja sesa kur kam qenë në të shkuarën dhe niveli i ligës ishte më i lartë dhe konkurrenca më e fortë. Kështu që ishte ndjenjë e mirë që kam qenë e rrethuar me lojtare cilësore dhe me përvojë, ku së bashku shkuam deri në fund ashtu siç duhet”.
Brown-Haywood insiston se nuk hezitoi aspak të kthehet te Bashkimi, i cili ishte ekipi i saj i parë në nivelin profesional dhe në Evropë. Nuk e përjashtoi mundësinë që të kthehet sërish në Prizren.