Sport

Bashkimi e Ponte pritet të bashkohen, Prizreni me një skuadër në Superligë

Prej edicionit 2018/19 qyteti i Prizrenit është përfaqësuar në Superligën e Kosovës në basketboll me dy skuadra – Bashkimin dhe Ponte Prizrenin. Por prej edicionit të ardhshëm, 2023/24, kjo pritet të ndryshojë dhe Prizreni të përfaqësohet vetëm me një ekip në elitë. Pretendohet një ekip i fortë.

Bashkimi dhe Ponte Prizreni mund të bashkohen në një ekip të vetëm në tentim për të luftuar për trofe në basketbollin kosovar. Ideja e bashkimit të dy ekipeve rivale të qytetit mund të bëhet realitet brenda këtij muaji. Një ide e tillë është propozuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ndërsa deri diku është përqafuar nga të dyja klubet dhe tifozët prizrenas.

Gjithçka do të definohet në një takim që pritet të mbahet së shpejti ndërmjet të gjitha palëve, kanë thënë burime të afërta të KOHËS. Në rast se realizohet bashkimi i dy ekipeve, atëherë Prizreni në edicionin e ri do të ketë një ekip konkurrent për titullin e kampionit. Ideja e bashkimit të klubeve ka bërë që ende as Bashkimi e as Ponte Prizreni të mos fillojnë me planet për edicionin e ri, që do të startojë në muajin shtator.

“Prejse ka përfunduar kampionati është një ide që po përflitet që Ponte Prizreni dhe Bashkimi të bëhen bashkë. Kjo ide po qarkullon kohët e fundit dhe presioni është bërë i madh prej të gjitha anëve që Prizreni të ketë vetëm një ekip në Superligë. Me bashkimin e Pontes dhe Bashkimit do të krijohej një ekip i fuqishëm dhe do ta përfaqësonte denjësisht Prizrenin, pasi do të synonte trofe”, ka thënë një burim i KOHËS. “Kjo ide ka ardhur nga kryetari i Komunës së Prizrenit. Dhe nëse çdo gjë shkon sipas planit, atëherë gjithçka mund të finalizohet në takimin që do ta kenë të gjitha palët së bashku. Disponimi ekziston prej të gjitha anëve, duke filluar nga qyteti, pastaj Komuna, si dhe klubet, por mbetet të shihet si do të rrjedhin gjërat”.

Në rast të arritjes së marrëveshjes dhe realizimit të idesë, atëherë emri i klubit do të mbetej Bashkimi, duke u bazuar në historinë e klubit. Ndërsa trajner i ekipit do të ishte Arbnor Rifati.

Rifati ka qenë në krye të Ponte Prizrenit tashmë një periudhë të gjatë dhe po shihet si zgjidhja më e mirë e mundshme për klubin e fortë.

“Niveli i ligës është ngritur shumë kohët e fundit dhe për këtë arsye bashkimi i këtyre dy ekipeve do të krijonte një ekip të fortë, që do të sfidonte të gjithë trofetë në basketbollin kosovar. Po ashtu do të kishte përkrahje më të fuqishëm edhe nga komuna, por edhe nga sponsorët, sepse do të jetë vetëm një klub”, është shprehur burimi i gazetës. Pos parave të komunës, të dy klubet kanë bërë që të ndahen edhe paratë e sponsorëve e po ashtu lojtarët vendorë, që nuk janë të shumtë.

“Emri i ekipit do të jetë Bashkimi dhe trajner Arbnor Rifati, i cili ka drejtuar Ponten me mjaft sukses në Superligë. Një ekip i fortë do të ishte shumë më i mirë sesa dy ekipe që do t’i krijonin rivalitet njëri-tjetrit drejt synimeve”.

Qytetit të Prizrenit kohët e fundit po i mungojnë sukseset në basketbollin e meshkujve. Në pesë edicionet e fundit janë fituar dy trofe dhe atë një nga Bashkimi e një nga Ponte Prizreni.

Në vitin 2018, Bashkimi e fitoi titullin e parë të kampionit në histori, ndërsa Ponte Prizreni në edicionin 2021/22 triumfoi në Superkupën e Kosovës. Edhe për Ponten ishte trofeu i parë i madh në basketbollin kosovar.

Te Bashkimi dhe te Ponte Prizreni nuk kanë dashur të flasin për idenë e bashkimit në një klub të vetëm.

“Edhe palestra është rinovuar tërësisht dhe në edicionin e ri do të ishte fantastike që Prizreni të ketë një ekip të fortë në Superligë, që do të fitonte ndonjë trofe”, është shprehur burimi i KOHËS.

Në edicionin e fundit as Bashkimi e as Ponte Prizreni nuk kanë pasur rezultate të mëdha. Ponte Prizreni e ka siguruar mbijetesën nëpërmjet ndeshjeve të plejautit, kurse Bashkimi është eliminuar në çerekfinale të plejofit.