Te kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani nuk po e llogarisin fitoren 4:1 ndaj BATE Borisovit në ndeshjen e parë të fazës së plejofit të Ligës së Konferencës. Skuadra e trajnerit Ilir Daja është e vendosur për ta mposhtur ekipin bjellorus edhe në ndeshjen e kthimit, pasi po dëshiron që me fitore ta konfirmojë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kështu, ka insistuar kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, të mërkurën për KOHËN.
Dueli i dytë mes BATE-s dhe Ballkanit, zhvillohet të enjten prej orës 20:00 në Hungari. BATE detyrohet të luajë në terren neutral, pasi UEFA nuk lejon skuadrat dhe përfaqësueset bjelloruse të luajnë në territorin e tyre, për shkak të përfshirjes së Bjellorusisë në pushtimin rus të Ukrainës. BATE ka zgjedhur Hungarinë dhe Mezokovesdin, ndërsa ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve, fakt ky që shkon në favor të Ballkanit. Me kalimin e BATE-s, Ballkani për herën e dytë rresht në po aq paraqitje në garat evropiane, do të luante në fazën e grupeve. Edhe edicionin e shkuar, Ballkani luajti në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por nuk avancoi përtej saj. Në duelin e parë, të luajtur të enjten e shkuar në Prishtinë, Ballkani ishte superior ndaj BATE-s dhe ndeshjen ka mundur ta fitojë me rezultat edhe më të thellë sikur të shfrytëzonte të gjitha garat. Kështu që, në Hungari, Ballkani është larg vetëm 90 minuta për një kualifikim tjetër, të cilin e vlerësojnë sërish historik. Mesfushori Kuç, ka insistuar se te Ballkani janë maksimalisht të përgatitur edhe për ndeshjen e kthimit.
Ai ka thënë se Ballkani dëshiron ta fitojë edhe këtë ndeshje, duke pasur parasysh se në pesë përballje të luajtura deri më tani në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës, ka regjistruar po aq fitore. Kuç ka thënë se e kanë parasysh se BATE do të përpiqet të bëjë rikthim në rezultat dhe prej fillimit të ndeshjes do të sulmojnë. Por, shton se janë të përgatitur edhe për këtë skenar.
“Sigurisht, BATE do të shkojë në krejt ose asgjë për shkak se e ka humbur ndeshjen e parë dhe do të tentojë të bëjë të pamundurën për të avancuar tutje. Mirëpo, ne e kemi rezultatin prej ndeshjes së parë dhe duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm. Po ashtu, duhet të presim në gabimet e tyre për t’i ndëshkuar”, është shprehur Kuç. “Ne shkojmë për kualifikim në fazën e grupeve dhe kjo na intereson. Natyrisht, që duam ta fitojmë edhe këtë ndeshje pasi janë edhe 90-të minuta dhe duhet të jemi të fokusuar deri në fund. Nëse paraqitemi si në ndeshjen e parë, atëherë besoj se në fund do të festojmë ne”.
Kuç nuk ka dashur të flas për fazën e grupeve apo kundërshtarët që do t’i dëshironte gjatë shortit. Ai ka insistuar se fokusi jo vetëm i tij, por i gjithë ekipit të Ballkanit është ndeshja e kthimit në Hungari. Ka shtuar se Ballkani ka një avantazh pasi ndeshja luhet në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve.
“Herët është të flasim për grupet. Fillimisht, ta kalojmë edhe këtë pengesë dhe pastaj mund të flasim për fazën e grupeve, të cilën e kemi pasur synim prej fillimit të këtij edicioni. Jam i bindur në paraqitje të mirë, pasi deri më tani kemi treguar ndeshje të mira”, ka shtuar Kuç. “Është një përparësi për ne terreni neutral, por ne duhet të sigurohemi në fushë që do të jemi në fazën e grupeve”.
Liga e Konferencës është gara e tretë evropiane për BATE-n këtë edicion. Nisi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në raundin e dytë kualifikues të Championsit, BATE Borisovi u eliminua dhe u bart në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Pasi u eliminua nga Liva e Evropës, BATE vazhdoi garat në plejofin e Ligës së Konferencës dhe e humbi ndeshjen e parë nga Ballkani (4:1). Në anën tjetër, edhe Ballkani garat evropiane këtë edicion i nisi në Champions, por u eliminua në raundin e parë nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Pas këtij eliminimi, Ballkani vazhdoi fuqishëm në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku eliminoi Larnen dhe Linconlin, në rundin e dytë dhe të tretë për të avancuar në plejof.