Sport

Ballkani harron Superkupën, fokusohet te mbrojtja e titullit dhe Kupa

Te skuadra e Ballkanit nuk kanë pasur kohë të merren me humbjen nga Prishtina në Superkupën e Kosovës, por kanë vazhduar me përgatitje intensive për stinorin pranveror që nis muajin e ardhshëm. Në fakt, te Ballkani tashmë e kanë lënë pas vetes dështimin për ta mbrojtur trofeun e Superkupës. Të dielën në Antalia të Turqisë suharekasit pësuan 2:1 nga Prishtina.

Pas këtij dueli Ballkani ka vazhduar me përgatitjet në Antalia përpara se të rikthehet në Kosovë për t’u bërë gati për pjesën e dytë të këtij edicioni.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ka thënë të mërkurën për KOHËN se Ballkani do të jetë gati për stinorin pranveror të Superligës dhe garën për Kupë.

“Po e zhvillojmë një fazë përgatitore shumë të mirë, me ritëm shumë të lartë dhe stërvitje të shpeshta, të cilat janë normale dhe mendoj se do të jemi në formën optimale për stinorin pranveror”, është shprehur Thaqi.

Thaqi nuk e vajton shumë humbjen në Superkupë nga Prishtina, pasi thotë se Ballkani mori një leksion të mirë dhe se tani e ka parasysh se çfarë e pret në pjesën e dytë të këtij edicioni.

“E humbëm Superkupën dhe ky ishte një mësim i mirë për ne, pasi në atë ndeshje u zgjuam vonë nga gjumi. Kështu që tash e kemi parasysh se çfarë na pret në kampionat dhe kupë kur të rifilloj edicioni dhe nuk guxojmë të bëjmë një paraqitje të tillë pasi mund të na kushtoj në fund”, shtoi Thaqi.

Ai insiston se Ballkani ka forcë jo vetëm për ta mbrojtur titullin e kampionit, por edhe për ta fituar Kupën e Kosovës, suksese këto që do të kompensonin humbjen e Superkupës.

Më 4 shkurt, Ballkani luan në Suharekë kundër Vëllaznimit të Gjakovës në kuadër të 1/8 së finales të Kupës së Kosovës. Ndërkohë, një javë më vonë, Ballkani do ta nis mbrojtjen e titullit. Aktualisht prinë në tabelë me 40 pikë, gjashtë më shumë se Llapi dhe Drita që mbajnë pozitën dy dhe tre.

“Ballkani ka forcë dhe shumë cilësi për t’i fituar dy trofetë e mbetur të këtij edicioni, por vetëm me qasje serioze dhe motivim maksimal. Ne duhet të vazhdojmë fuqishëm dhe në fund ta fitojmë titullin edhe Kupën, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Tani jemi edhe më të vendosur për këta dy trofe”, është shprehur Thaqi.

Ai ka pranuar se misioni i Ballkanit nuk do të jetë aspak i lehtë, duke pasur parasysh përforcimet që i kanë bërë skuadrat tjera. Sipas Thaqit, Ballkani duhet të jetë perfekt në secilën ndeshje, në mënyrë që në fund të festojë trofetë së bashku me tifozët e tij.

“Pranvera do të jetë shumë e vështirë, sepse nuk ka kthim prapa as për gabimin më të vogël, i cili mund të kushtoj me titull në fund të edicionit. Ka shumë skuadra të forta që do t’i kemi rivalë por ne do të jemi më të motivuar se kurrë për të luftuar deri në fund për synimin tonë të madh, titullin dhe kupën”, shtoi Thaqi.

Ballkani është shpallur kampion në dy edicionet e fundit, ndërsa po ashtu është paraqitur dy herë rresht në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Krahas humbjes nga Prishtina në finalen e Superkupës, Ballkani në Antalia të Turqisë ka zhvilluar edhe dy ndeshje kontrolluese. Ka luajtur pa gola me Surxonin e Uzbekistanit si dhe ka mposhtur Jagiellonian e Polonisë me rezultatin 2:1.

Deri në fund të fazës përgatitore në Antalia, Ballkani do ta luajë edhe një ndeshje miqësore përpara se të kthehet në Kosovë. Të premten do të përballet me ekipin e madh nga Ukraina, Dynamo Kiev.