Ballkani edicionin e kaluar garues e mbylli si kampion i Kosovës. E përsëriti suksesin duke u kualifikuar për herë të dytë në fazën grupore të Ligës së Konferencës, ndërsa vitin 2023 e mbylli në vendin e parë në Superligë, si kampion vjeshtor.
Skuadra suharekase tani synon që vitin 2024 ta nisë me trofe. Ndërkohë, Prishtina nisjen e zbehtë të edicionit kërkon ta përmirësojë në Antalia të Turqisë, përkatësisht ta fitojë trofeun e Superkupës së Kosovës në futboll.
Ballkani dhe Prishtina të shtunën nga ora 11:00 do të luajnë në “Mardan Palace Stadium” në bregdetin turk për trofeun e Superkupës së Kosovës. Prishtina është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës.
Është hera e tretë që ndeshja për Superkupë organizohet në Turqi, vendin ku shumica e skuadrave elitare po kryejnë përgatitjet për stinorin pranveror.
Ballkani vitin e kaluar e fitoi Superkupën e Kosovës për herë të parë. E mposhti Llapin, 1:0, në ndeshjen shumë të tensionuar.
Për kapitenin e Ballkanit, Edvin Kuç, çdo trofe e ka vlerën e vet. Për këtë arsye ai thotë se skuadra kampione do të luftojë shumë që në fund të dalë fitimtare.
“Çdo trofe është i rëndësishëm dhe secili vlerësohet në mënyrën e vet. Ne e kemi shansin ta fitojmë trofeun duke e fituar një ndeshje dhe ta nisim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Objektivat janë gjithmonë më të lartat. Përpiqemi të jemi më të mirë dhe të arrijmë rezultate më të mira vit pas viti. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të jemi të shëndetshëm. Përgatitjet po shkojnë ashtu siç i kemi imagjinuar. Kemi kushte të shkëlqyera për punë dhe do ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme që të jemi gati për pjesën e dytë të kampionatit”, ka thënë Kuç të premten për KOHËN.
Ballkani barazoi pa gola me Surxon e Uzbekistanit, në ndeshjen e parë miqësore në Turqi. Do t’i zhvillojë edhe dy miqësore të tjera pas Superkupës.
Ndërkohë, Prishtina, që në finale të Kupës së Kosovës në vitin e kaluar mposhti Gjilanin, e ka fituar ndeshjen e parë miqësore në Turqi. Ndaj kampionit të Kazakistanit, Ordabasyt, fitoi 1:0 me golin e sulmuesit Hasan Hyseni.
Edhe Prishtina do t’i luajë dy ndeshje të tjera miqësore para kthimit në Kosovë.
Hyseni, që po shquhet me paraqitje të mira me “bardhekaltrit”, thotë se forma e tij është falë bashkëlojtarëve.
“Besoj që kam qenë në formë të mirë falë punës që kemi bërë. Po ndihem shumë mirë. Por, kjo është edhe meritë e të gjithë grupit dhe shtabit teknik”, deklaroi fillimisht Hyseni, që më pas foli edhe për rëndësinë që ka Superkupa.
“Secili trofe e ka rëndësinë e vet. Kështu që ne e synojmë trofeun e Superkupës pasi të jep vetëbesim para nisjes së kampionatit. Grupi është si asnjëherë më parë, me atmosferë fantastike si te lojtarët ashtu edhe te shtabi teknik dhe kryesia. Besoj që do të jetë më ndryshe nga gjysma e parë e edicionit. Tani jemi të kompletuar në çdo repart. Disa lojtarë janë kthyer nga lëndimet dhe synojmë të arrijmë objektivat e pjesës së mbetur të edicionit”, deklaroi Hyseni.
Ballkani e ka mbyllur stinorin vjeshtor si lider me 40 pikë, gjashtë më shumë se Llapi dhe Drita.
Prishtina, fituese e tetë Superkupave të Kosovës pas luftës, ka mbetur prapa në luftën për titull. Ka vetëm 26 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë.
Dy ndeshjet e para të këtij edicioni mes Ballkanit dhe Prishtinës janë mbyllur baras. Barazim nuk do të ketë të shtunën në Turqi, ku edhe do të ndahet trofeu i parë i futbollit kosovar për vitin 2024.