Ballkani ka marrë rrugën drejt Kazakistanit me qëllim të qartë. Kampioni i Kosovës në futboll do të dalë në fushë kundër Astanas për ta kompensuar humbjen që ekipi nga Kazakistani ia shkaktoi në Prishtinë.
Më 26 tetor Astana e mposhti 2:1 Ballkanin në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së tretë të Grupit C të Ligës së Konferencës. Për Ballkanin ishte humbja e parë si vendas në garat evropiane këtë edicion, përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese. Disfata nga Astana erdhi pas një serie prej pesë fitoresh në po aq ndeshje si vendas, ku skuadra suharekase mposhti Dinamo Zagrebin, BATE Borisovin, Lincolnin, Larnen dhe Ludogoretsin.
Të enjten prej orës 16:30 Ballkani në stadiumin “Astana Arena” do të përpiqet ta mposht Astanan për të mbetur në garë që të avancojë nga faza grupore. Në fakt rezultati pozitiv në këtë përballje i jep shpresa Ballkanit për të kaluar tutje. Kështu ka insistuar kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç të hënën për KOHËN. Mesfushori i Malit të Zi, Kuç, ka thënë se Ballkani ka cilësi për ta kaluar grupin.
Aktualisht, Ballkani ka tri pikë, sa i kanë edhe Dinamo e Astana pas tri xhirove të zhvilluara. Këto tri skuadra pritet të luftojnë për vendin e dytë në grup, i cili garanton kalimin në raundin tjetër. Në grup prin Viktoria Plzeni me nëntë pikë të tubuara.
Deri në fund janë edhe tri xhiro, kështu që gara është plotësisht e hapur.
“I kemi edhe tri ndeshje deri në fund të fazës së grupeve, që do të thotë se edhe 9 pikë janë në lojë. Çdo rezultat pozitiv, duke filluar nga Astana, na bën që t’i afrohemi edhe më shumë synimit tonë, pra kalimit të grupit. Po ashtu shpresoj që të kemi edhe pak fat duke na u përshtatur edhe rezultatet tjera për të vazhduar tutje. Mendoj se kjo skuadër e Ballkanit ka cilësi për ta kaluar grupin”, ka thënë Kuç para nisjes për në Kazakistan. “Në këto tri ndeshjet e fundit do të luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi përderisa ekzistojnë gjasat tona edhe matematikisht”.
Kuç kishte shënuar golin e vetëm në humbjen 2:1 nga Astana në Prishtinë.
Për ndeshjen e vështirë në Kazakistanin e largët, Kuç thotë se Ballkani është gati për të dëshmuar veten edhe një herë në skenën evropiane. Pranon se nuk do të jetë lehtë, por thotë se e kanë parasysh qëllimin dhe do të përpiqen të kthehen me pikë të plota nga Kazakistani. Para fitores ndaj Ballkanit, Astana kishte humbur nga Plzeni e Dinamo.
“Kurrë nuk ka ndeshje të lehtë, sidomos në këtë nivel të garave, pasi të gjitha ekipet kanë histori të madhe. Ne këtë e kemi parasysh dhe secilës ndeshje i futemi me seriozitetin më të madh dhe për të dhënë më të mirën nga vetja. Do të jetë ndeshje e vështirë, por jemi të gatshëm”, tha Kuç.
Sipas 30-vjeçarit, Ballkani ka ekip për t’ia dalë ndaj secilit kundërshtar, por shton se në futboll gjithçka mund të ndodhë.
Për humbjen në Prishtinë nga Astana, Kuç thekson se Ballkani nuk e pati natën e tij dhe kjo i kushtoi, ndonëse tregoi lojë të mirë dhe krijoi raste.
“Ne kemi skuadër që mund të bëjë gjithçka, por në futboll nuk ka asgjë të sigurt. Ne ndeshjen e parë ne nuk e nënçmuam për asnjë moment kundërshtarin tonë, por thjeshtë nuk e patëm natën tonë. Megjithatë, tani kemi rastin ta përmirësojmë atë gabim dhe të rikthehemi në lojë për të kaluar grupin”, tha Kuç.
Pas ndeshjes ndaj Astanas, Ballkani e pret Plzenin në Prishtinë më 30 nëntor. Duelin e fundit do ta luajë në udhëtim ndaj Dinamos në Zagreb, më 14 dhjetor.
Për ekipin nga Suhareka ky është edicioni i dytë rresht që paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Edicionin e shkuar, Ballkani këtë fazë e mbylli në pozitën e fundit në grup, ku në gjashtë ndeshje të zhvilluara regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje. Kundërshtarë të Ballkanit ishin Slavia Praga e Çekisë, Cluji i Rumanisë dhe Sivasspori i Turqisë.