Sport

Ballkani dhe Drita me synim të njëjtë, ta fitojnë derbin

Përballja mes Ballkanit dhe Dritës do të jetë dueli që do ta ketë vëmendjen kryesore këtë mesjavë në futbollin kosovar. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja skuadrat që këtë edicion synojnë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës. Me fitore eventuale, Ballkani do të shkëputej edhe më shumë në tabelë, ndërsa triumfi i Dritës do të bënte që ekipi nga Gjilani ta ngushtojë diferencën e pikëve në tabelë. Aktualisht Ballkani është lider me 26 pikë të mbledhura, katër më shumë se Drita që zë vendin e dytë. Të dy skuadrat kanë të zhvilluara nga dhjetë ndeshje këtë edicion, një më pak se pjesa tjetër e ekipeve të Superligës.

Ballkani dhe Drita, po përballen për herë të parë këtë edicion, pasi dueli i shtyrë i xhiros së tretë për shkak të angazhimeve të Ballkanit nuk është zhvilluar ende. Dueli i së mërkurës, që i takon xhiros së 12-të të elitës së futbollit kosovar, luhet në Suharekë dhe nis në orën 13:00. Në fakt, kjo edhe do të jetë ndeshja më interesante e kësaj xhiroje, bazuar në formën që e kanë treguar si Ballkani ashtu edhe Drita. Asnjëra nuk di ende për humbje, por Ballkani ka dy fitore më shumë se Drita. Krahas tetë fitoreve ka regjistruar edhe dy barazime, ndërsa Drita ka katër barazime karshi gjashtë fitoreve.

Te Ballkani e kanë parasysh rëndësinë e këtij derbi dhe insistojnë se do të futen në fushë për fitore. Kështu ka thënë mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, të martën për KOHËN. Sipas tij, ekipi është maksimalisht i motivuar për fitore ndaj Dritës, e cila do t’ia jepte qetësinë Ballkanit në vazhdim të kampionatit. Po ashtu, tri pikët në këtë derbi do të konfirmonin edhe më shumë synimin e Ballkanit për ta mbrojtur titullin e kampionit.

“Është ndeshje derbi dhe na pret një luftë në fushën e lojës, pasi ndeshjet derbi janë të tilla. Jemi në një moment shumë të mirë në Superligë dhe shpresojmë të vazhdojmë tutje me këtë ritëm që e kemi treguar deri më tani. Edhe pse është ndeshja kryesore, ne do të futemi shumë të qetë por me motiv maksimal për të arritur fitoren, e cila do të na jepte qetësinë në vazhdim të sezonit. Pavarësisht rezultatit, asgjë nuk përfundon sepse ka edhe shumë ndeshje deri në fund. Mirëpo ne duam ta fitojmë këtë derbi dhe të vazhdojmë rrugën drejt titullit të kampionit”, tha Thaqi.

E motivi nuk mungon as te futbollistët e Dritës për duelin me Ballkanin. Kështu ka insistuar trajneri Akis Vavalis në konferencën për shtyp të mbajtur të martën. Ai ka thënë se kjo ndeshje në kuptimin e plotë të fjalës mund të vlerësohet si derbi i vërtetë, duke pasur parasysh se përballen dy skuadrat më të mira në Superligë. Drita në xhiron e fundit luajti 1:1 në shtëpi me Lirinë e Prizrenit, duke i dhënë fund serisë prej pesë fitoreve rresht. Vavalis ka thënë se Drita ndaj Ballkanit do të kërkojë të rikuperojë pikët e humbura ndaj Lirisë dhe insistoi se ekipi i tij është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, duke e mposhtur Ballkanin në Suharekë.

“Siç e dini, është ndeshje derbi dhe luajmë kundër një ekipi shumë të mirë, luajnë dy skuadrat më të mira në Superligë. Vijmë nga një barazim, por fatmirësisht menjëherë në derbi mund ta dëshmojmë duke rikuperuar pikët. Nuk kemi pasur shumë kohë për t'u përgatitur por në derbi të tillë luan pasioni dhe motivi për ta fituar atë. Jam i bindur se do të tregojmë një lojë të mirë dhe nëse japim 100 për qind nga vetja mund të fitojmë. Është derbi dhe mund të ndodhë gjithçka, por unë do të vazhdoj të besoj në djemtë e ekipit im. Të jemi agresivë dhe kompetitivë nga fillimi i ndeshjes deri në fund. Besoj se do të mund të rikthehemi”, ka thënë Vavalis.

Nën hijen e këtij derbi, të mërkurën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera të kësaj xhiroje, të cilat, po ashtu, startojnë në orën 13:00. Në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, skuadra vendëse e pret Prishtinën. Malisheva është në një seri prej tri ndeshjeve pa fitore, ndërsa Prishtina xhiron e shkuar i dha fund serisë prej shtatë ndeshjeve pa fitore pasi mposhti Gjilanin (2:1). Prishtina është e katërta në tabelë me 16 pikë, tri më shumë se skuadra e Malishevës. Edhe Gjilani këtë xhiro luan në shtëpi. E pret Feronikelin ’74 në tentim për t’u kthyer tek fitorja. Edhe skuadra nga Drenasi pësoi humbje xhiron e shkuar dhe ka 11 pikë të mbledhura sikurse Gjilani pas po aq ndeshjeve të zhvilluara deri më tani. Ndërkohë, të enjten, do të luhen dy ndeshjet e fundit të xhiros së 12-të në elitën e futbollit kosovar. Llapi që në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë, e pret Fushë Kosovën në stadiumin “Zahir Pajazit” në Podujevë. Llapi është i treti në tabelë më 20 pikë të mbledhura, 13 më shumë se Fushë Kosova që zë vendin e fundit dhe ka vetëm një fitore. Një fitore deri më tani e ka edhe Liria e Prizrenit, që në stadiumin “Përparim Thaqi” do të përballet me Dukagjinin, ekip që në nëntë ndeshjet e fundit nuk di për humbje. Edhe ndeshjet e ditës së enjte, nisin në orën 13:00.

Superliga – 12

E mërkurë (13:00)

Ballkani – Drita

Malisheva – Prishtina

Gjilani – Feronikeli ‘74

E enjte (13:00)

Llapi – F. Kosova

Liria – Dukagjini


1. Ballkani 10 8 2 0 21:7 26

2. Drita 10 6 4 0 17:5 22

3. Llapi 11 6 2 3 16:9 20

4. Prishtina 11 3 7 1 14:12 16

5. Malisheva 11 4 1 6 21:19 13

6. Dukagjini 11 2 7 2 12:14 13

7. Gjilani 11 3 2 6 7:12 11

8. Feronikeli ’74 11 3 2 6 12:21 11

9. Liria 11 1 4 6 8:17 7

10. F. Kosova 11 1 3 7 8:20 6