Futbolli kosovar është tronditur mbrëmjen e së enjtes nga publikimet e mediave franceze, të cilat pretendojnë se klubi që bën gara në Superligën e Kosovës, Llapi, ka kurdisur katër ndeshje për një periudhe të caktuar, sipas hetimeve të autoriteteve franceze. Mund të jetë skandali më i madh ndonjëherë në sportin e Kosovës.
Për ndeshjet e kurdisura janë vënë baste si në Kosovë ashtu edhe në Francë, ka njoftuar Juridiksioni i Specializuar Ndër-rajonal i Nancyt, një institucion hetues në Francë. Janë arrestuar nëntë persona, prej tyre katër nga Kosova, sipas Le Parisien.
Kjo vlerësohet goditje e madhe për futbollin kosovar. Në fakt se ka ndeshje të kurdisura ka pasur gjithnjë dyshime të mëdha. Por në fare pak raste ka pasur të dënuar.
Autoritetet franceze kanë hetuar për gati një vit, ndërsa kurdisjet janë të lidhura me një klub, Llapin e Podujevës. Madje francezët pretendojnë se kurdisjet janë të konfirmuara, bazuar në analizën e koeficientëve dhe video-incizimeve të disa ndeshjeve.
Janë kurdisur katër ndeshje, sipas autoriteteve franceze, ndërsa shuma e fituar është 360 mijë euro. Shumë ndeshje në futbollin kosovar, sidomos në fazat finale të kampionatet janë të dyshuara për kurdisje. Disa gola që shënohen janë thuajse qesharakë. Dhe atë që nuk po e bëjnë autoritetet e Kosovës, për të identifikuar të përfshirët, tani e kanë bërë autoritetet në Francë.
Një nga ndeshjet që dyshohet të jetë e kurdisur
Reagimi i Batatinës dhe i Llapit
Pas publikimit të artikujve për këtë skandal, në një përgjigje për KOHËN, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se të gjitha këto janë dezinformata.
“S'ka shans. Këto janë dezinformata dhe as nuk mendohet një gjë e tillë”, ka thënë shkurtimisht Batatina.
Edhe klubit i Llapit me një reagim në orët e para të së premtes ka thënë se krejt kjo po bëhet për ta dëmtuar imazhin e klubit.
“Kryesia e KF Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh. Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllim keqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës. K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siq janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme”, thuhet në reagimin e Llapit.
Përgjigja e UEFA-s dhe aktivizimi i Prokurorisë në Prishtinë
Organit më i lartë i futbollit evropian, UEFA, ku bën pjesë edhe Federata e Futbollit të Kosovës, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se nuk komenton çështjet pa pasur një procedurë të hapur disiplinore ose të merret ndonjë vendim.
“Në përputhje me praktikën e saj të gjatë, UEFA përmbahet nga komentimi i hetimeve apo edhe ekzistenca e hetimeve të mundshme për kurdisje ndeshjesh të supozuara në mënyrë që të mos komprometojë proceset e hetimit. UEFA komunikon vetëm për raste/ndeshje specifike pasi të jenë hapur procedurat disiplinore dhe/ose të jenë marrë vendimet”, thuhet në përgjigjen e UEFA-s për KOHËN.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se ka nisur ta trajtojë rastin, por për shkak të “integritet të çështjes”, nuk mund të jep detaje.
FFK-ja dhe Ministria e Sportit
Në një mbledhje të mbajtur sot, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së është zotuar të bashkëpunojë me organet vendore dhe ato ndërkombëtare për t’i hetuar këto raportime.
“FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale. FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi”, thuhet në reagim.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka konfirmuar të enjten se autoritetet në Kosovë janë të informuara për hetimet që janë bërë në Francë për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
“Aktualisht rasti është duke u trajtuar në nivel të Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport. Gjatë ditës së nesërme, sapo të kemi informata të detajizuara dhe të sakta, do të dalim me qëndrimin e institucionit”, ka shkruar Osmani në një përgjigje për KOHËN.
Ndërkohë, MKRS-ja të premten ka thënë se në bashkëpunim me organet vendore, autoritetet franceze dhe organizatat ndërkombëtare kanë nisur hetimet për dyshime për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
"Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media. Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”, thuhet në reagim.