Sport

Arkadag, ekipi i themeluar nga shteti fiton ligën pa asnjë humbje në Turkmenistan

Një ekip futbolli në Turkmenistan ka bërë debutim të pabesueshëm në Superligën e këtij vendi, duke e fituar titullin e kampionit në edicionin e tij të parë. Mirëpo Arkadag nuk është një klub i zakonshëm. Është themeluar nga ish-lideri autoritativ i Turkmenistanit, Kurbanguly Berdymukhamedov dhe në radhët e veta ka pothuajse të gjithë futbollistët e përfaqësueses.

Raportet thonë se Arkadagu nuk e ka fituar titullin me meritë, ndonëse është shpallur kampion katër xhiro para përfundimit të edicionit. Sipas tifozëve të skuadrave të tjera, Arkadagu ka manipuluar ndeshjet dhe është ndihmuar nga arbitrat për shkak të Berdymukhamedovit, i cili ka qenë kryetar i Turkmenistanit deri në vitin e shkuar.

Berdymukhamedov, i cili udhëhoqi një shtet represiv dhe me plot sekrete, ia dorëzoi presidencën djalit të tij, Serdarit, në mars të vitit 2022. Aktualisht ai është kryetar i Parlamentit të Turkmenistanit. Ish-presidenti e themeloi klubin Arkadag në prill të këtij viti, duke e bërë klubin emblemë të qytetit të ri me të njëjtin emër, i cili u ndërtua brenda pesë vjetësh dhe u përurua në qershor.

Qyteti Arkadag njihet si “qyteti i mençur”, i ndërtuar në nderim të Berdymukhamedovit dhe vlerësohet se ka kushtuar pesë miliardë dollarë. Ish-presidenti i dizajnoi logon dhe fanellat e ekipit të futbollit. Arkadag është gjithashtu titulli zyrtar i lartë i Berdymukhamedov, që do të thotë mbrojtës ose kujdestar. Skuadra ka transferuar lojtarët më të mirë të rivalëve para fillimit të edicionit. Aktualisht, pas 20 xhirove të zhvilluara, Arkadagu ka regjistruar po aq fitore dhe ka goldallim prej 70 golave të shënuar dhe vetëm 14 të pranuar.

Në pozitën e dytë është Altyn Asyr, i cili ka 30 pikë më pak, kur kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar deri në fund.

Arkadagu prej themelimit i ka fituar të gjitha ndeshjet, me përjashtim të miqësores së zhvilluar në Bullgari, ku ishte për fazën përgatitore. Në atë miqësore, Arkadagu barazoi 1:1 me ekipin Besa nga Dobërdoli, që bën gara në divizionin e dytë të Maqedonisë së Veriut.

Pas titullit të kampionit, Arkadagu po synon edhe trofeun tjetër, atë të Kupës së Turkmenistanit.

“Ky sukses na inkurajon të fitojmë edhe më shumë ndeshje dhe pas titullit të kampionit do të fokusohemi në Kupën e Turkmenistanit”, ka thënë sulmuesi i Arkadagut, Didar Durdyev. “Unë iu bashkova Arkadagut para fillimit të edicionit, pasi ishte e pamundur të refuzoje një ofertë të tillë”.

Sajti me bazë në Evropë, “Hronika Turkmenistana” citoi një tifoz të një klubi rival, i cili ka thënë se Arkadagu është ndihmuar nga të gjithë për ta fituar titullin e kampionit. Në një ndeshje kundër ekipit Shagadam, tha tifozi, arbitri i akordoi në mënyrë të padrejtë një penallti për Arkadagun në minutën e 91-të, falë së cilës e siguroi fitoren. Tifozi shtoi se Arkadagu po vriste çdo interesim për futbollin në Turkmenistan për shkak të dominimit total.

Ish-presidenti Berdymukhamedov, tani 66 vjeç, ishte i njohur për fitimin e garave të ndryshme sportive kur ishte në detyrë, si çiklizmi, garat me kuaj dhe motorë, dhe shpesh shfaqej në video që tregonin aftësitë e tij sportive. Ai gjithashtu promovoi në mënyrë aktive sportin midis qytetarëve dhe zyrtarëve qeveritarë, duke udhëhequr vrapime masive, shëtitje dhe çiklizëm. Të gjitha këto shiheshin si tipare të atij që konsiderohej një regjim autokratik, të cilin ai e drejtonte. Pak gjëra kanë ndryshuar nën udhëheqjen e djalit të tij Serdar, i cili tani është president i Turkmenistanit.