Të gjitha ndeshjet e turneut “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll do të drejtohen nga arbitra të huaj, me përjashtim të finales që do të zhvillohet të dielën mbrëma. Këtë e ka konfirmuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të martën.
Turneu i Kupës së Kosovës nis të mërkurën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, në të njëjtën ditë me kampin e gjyqtarëve të talentuar të FIBA-s.
Në këtë kamp janë përzgjedhur nëntë gjyqtarë nga Greqia, Turqia, Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Qiproja, Italia dhe një nga Kosova. Kampi do të udhëhiqet nga menaxheri i departamentit të FIBA-s, Davorin Nakiq, dhe instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov i Maqedonisë së Veriut dhe Georgios Tanatzis i Greqisë.
“Në këtë kamp në orët e paradites (e mërkurë) do të prezantohen ekipet me interpretimet e rregullave të basketbollit, kurse në orët e pasdites do të gjykojnë ndeshjet në kuadër të Final 8 Kupa e Kosovës në Rahovec. Prezent në punën teorike, si dhe në ndeshjet e Final 8 do të jenë edhe gjyqtarët e FBK-së”, ka njoftuar FBK-ja të martën.
Ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, që do të zhvillohen të mërkurën, enjten dhe premten, do të gjykohen nga arbitrat e huaj. Ndërsa, finalja si te meshkujt, ashtu edhe femrat, të dielën, do ta ketë treshe të gjyqtarëve nga Kosova. Kjo për shkak se arbitrat e huaj të shtunën e përfundojnë kampin dhe largohen nga Kosova.
“Deri në finale ndeshjet e Kupës së Kosovës do të drejtohen nga arbitrat e huaj, pasi ata shkojnë të dielën. Finalja luhet të dielën dhe aty do të jenë gjyqtarët tanë. Të huajt janë këtu në kuadër të kursit që jemi duke e mbajtur në bashkëpunim mes FIBA-s dhe FBK-së. Të gjithë janë nën mbikëqyrje të Davorin Nakiqit, i cili është drejtor i Departamentit të referëve të FIBA Evropës”, ka konfirmuar sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, për KOHËN.
Përgjatë katër ditëve, sa është planifikuar të zgjasë turneu i Kupës së Kosovës, do të zhvillohen nga tri ndeshje. Vetëm të dielën do të luhen dy ndeshje - finalet.
Të mërkurën dueli i parë do të jetë ai gjysmëfinal i Kupës së Ligës të Parë ndërmjet Borës dhe Istogut (14:00). Pastaj do të vazhdohet me ndeshjet çerekfinale të Superligës, ku do të jenë ndeshjet Trepça – Vëllaznimi (17:00) dhe Peja – Rahoveci (20:00).
Të enjten krahas gjysmëfinales të Ligës së Parë mes New Basketit dhe Vushtrrisë, do të përcaktohen edhe dy gjysmëfinalistët e Superligës me ndeshjet Sigal Prishtina – Bashkimi dhe Golden Eagle Ylli – Ponte Prizreni.
Të premten do të zhvillohen dy gjysmëfinalet e Superligës dhe finalja e Ligës së Parë. Finalet e Kupës janë të planifikuara të zhvillohen në orën 14:00 (femrat) dhe 17:00 (meshkujt).
“Kjo është bërë në kuadër të kampit që do ta mbajmë gjatë këtyre ditëve kur do të jetë edhe turneu i Kupës së Kosovës. Gjyqtarët e huaj të talentuar nuk do të jenë në asnjërën prej finaleve, të cilat do të drejtohet nga arbitrat e Kosovës. Kjo është bërë vetëm për shkak të kampit, pasi bëhet fjalë për gjyqtarë të talentuar nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët krahas ligjëratave paradite, do t’i drejtojnë ndeshjet pasdite”, është shprehur Dushku.
Kjo është hera e parë këtë edicion që ndeshjet e basketbollit kosovar do të drejtohen nga gjyqtarët e huaj. Ka pasur ankesa për punën e gjyqtarëve kosovarë të basketbollit në disa ndeshje.