Me padurim po e pret ndeshjen e parë me fanellën e Kosovës, ndërsa me përkushtim të madh po stërvitet me bashkëlojtarët e rinj.
Basketbollisti amerikan, Dominic Artis, prej të hënës i është bashkuar Kosovës në stërvitje dhe është i gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja që “Dardanët” të avancojnë nga faza e tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”.
Muajin e shkuar, kur selektori Rami Hadar publikoi listën e zgjeruar, Artis ishte i përfshirë në të. Amerikani do të luajë si i natyralizuar për Kosovën. Fundori 30-vjeçar ka thënë se tashmë është familjarizuar me ekipin dhe po ndihet si kosovar.
Ai do të debutojë me Kosovën më 19 korrik në Prizren, në ndeshjen kundër Zvicrës. Edhe pse ka pak ditë me ekipin, Artis ardhjen në Kosovë dhe stërvitjet me përfaqësuese po i përshkruan si përvojë të jashtëzakonshme.
Kosova gjatë kësaj vere do t’i zhvillojë katër ndeshje në kuadër të Grupit H, të cilin e përbën edhe Danimarka.
“Pritja ka qenë fantastike, duke filluar prej ardhjes time në aeroport. Të gjithë më kanë pritur ngrohtë, prej bashkëlojtarëve, trajneri e deri te stafi i federatës. Të gjithë janë treguar të mrekullueshëm deri më tani në raport me mua dhe ardhjen këtu lirisht mund ta përshkruaj si një përvojë të jashtëzakonshme”, ka thënë Artis për KOHËN.
Ai thotë se gradualisht po ambientohet dhe po mëson disa gjëra bazike, duke filluar nga gjuha shqipe. Sa i përket basketbollit të Kosovës, thotë se ka pak njohuri për ligën dhe disa prej klubeve. Shton se e di që bëhet fjalë për ligë të fortë, në të cilën ka shumë lojtarë të mirë, të huaj apo vendorë. Në lidhje me natyralizimin e tij, Artis thotë se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt pas kontakteve me drejtorin e përfaqësueses Adriatik Rraci.
“Nuk kam menduar se do ta kem një mundësi të tillë më herët, por pasi kam biseduar me Adriatikun për mundësinë e natyralizimit tim gjatë verës dhe bisedave që pata me agjentin tim, kjo procedurë u përshpejtua dhe u realizua në mënyrën më të mirë të mundshme. Vendosa të luaj për Kosovën pasi mendoj se është një mundësi shumë e mirë në karrierën time”, shtoi Artis.
Sa i takon përfaqësueses së Kosovës, Artis thotë se është ekip i mirë i cili mund të bëjë gjëra të mëdha gjatë parakualifikimeve. Ai tha se po punohet me intensitet të lartë në të gjitha aspektet dhe trajneri Hadar po e përgatit ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Ekipi është i mirë dhe po punojmë fort me trajnerin që të jemi sa më të gatshëm për ndeshjet që na presin. Besoj se do të bëjmë gjëra të mëdha në këto parakualifikime. Kemi një mundësi reale për të avancuar nga kjo fazë duke pasur parasysh ekipin që e kemi dhe besoj se mund t’ia dalim”, tha Artis.
Artis ndihet plotësisht gati ta ndihmojë Kosovën në këto ndeshje dhe premtoi se do të bëjë të pamundurën që “Dardanët” të përfundojnë të parët në grup. Ai shpreson që me fanellën e Kosovës të bëjë paraqitje të mira sikurse që i pati me ekipin e tij, Cholet, edicionin e shkuar. Artis luajti me një mesatare prej 16 pikëve për ndeshje në elitën e basketbollit francez.
“Po përgatitem mirë dhe ndihem gati për ta ndihmuar ekipin në këto parakualifikime. Edicionin e shkuar kam luajtur mirë dhe kam shënuar shumë, kështu që edhe me Kosovën do të mundohem të jap më të mirën, t’i ndihmoj bashkëlojtarët dhe sigurisht te shënojmë fitore. Fokusi im është të luaj mirë dhe së bashku me ekipin të përfundojmë të parët në grup”, u shpreh Artis.
Artis ka karrierë të pasur në basketbollin evropian, të cilën e ka nisur në vitin 2017. Krahas Francës, ai ka luajtur edhe në Greqi, Itali, Slloveni e Greqi. Në edicionin e ardhshëm do të paraqitet në elitën e basketbollit të Turqisë, me fanellën e skuadrës Bodrum.
Artis është basketbollisti i gjashtë amerikan që FBK-ja e ka natyralizuar në tetë vjetët e fundit. Para tij fanellën e Kosovës e kanë bartur edhe Justin Doellman, Scott Bamforth, Shawn Jones, Divine Myles e Malcolm Armstead. Por vetëm Doellman e bëri dallimin dhe luajti aq sa kishte premtuar. Të tjerët nuk kishin ndonjë ndikim të madh. Në FBK shpresojnë që natyralizimi i Artisit të shpaguhet.