Sport

Abdullahu, shtatlarti që mbylli portën ndaj Gjermanisë U21

Mustafë Abdullahu ishte prej lojtarëve që më së shumti ra në sy gjatë ndeshjes që Kosova U21 e zhvilloi kundër superfuqisë botërore të futbollit, Gjermania.

Shpresat e Kosovës të premten në mbrëmje në Chemnitz barazuan pa gola me Përfaqësuesen U21 të Gjermanisë, në ndeshjen që i ka takuar Grupit D të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Gjermanët e rinj e dominuan ndeshjen sa u takon rasteve të krijuara, por nuk arritën të shënonin gol. Golin në shumë raste ua mohoi portieri shtatlartë i Tiranës, Mustafë Abdullahu.

“Kemi pasur paraqitje shumë të mirë, ekipi dhe unë personalisht. Kemi shkuar në Gjermani për ta marrë pikë dhe ia dolëm këtij qëllimi. Kjo ka qenë e rëndësishme për grupin. Kemi rezultate të mira në këto dy ndeshje dhe besoj se do të vazhdojmë edhe më mirë”, ka thënë Abdullahu të dielën për KOHËN.

Kosova pas shtatë ndeshjeve renditet e katërta në grup me nëntë pikë të grumbulluara. Ka dy fitore, tri barazime e dy disfata.

“Synojmë të fitojmë sa më shumë pikë dhe t’u tregojmë edhe të tjera që jemi Kosova dhe mund të bëjmë më shumë se që mendojnë kundërshtarët. Do të mundohemi të ngjitemi sa më lart. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe asgjë nuk është e pamundur. Synojmë të kapim diçka”, ka theksuar Abdullahu.

Portieri 20-vjeçar thotë se fokusi ndaj gjermanëve ka qenë në çdo prekje të topit. Gjermania U21 ka zhvilluar pesë ndeshje në grup dhe aktualisht zë pozitën e dytë me 13 pikë. Ka katër fitore e një barazim. Pr,a Kosova U21 i mori pikët e para në këtë cikël.

“Kam qenë i motivuar pasi të gjithë e dimë kush është Gjermania. Por fokusi im ka qenë 100 për qind në çdo lëvizje të tyre, pasi dinë të ndëshkojnë nga secili moment apo kënd. Janë lojtarë që luajnë në Bundesligë. Të gjithë kemi qenë të fokusuar te kjo ndeshje dhe besoj se ia kemi arritur qëllimit”, është shprehur Abdullahu.

Portieri llapjan ka folur për motivin që sjellin ndeshjet me përfaqësuese.

“Kur i shohim ngjyrat e flamurit tonë dhe kur e dimë që paraqitemi për vendin tonë, motivi është shumë i madh. Nuk ka dallim kundër kujt luajmë, ndonëse edhe për ekipet tona japim maksimumin. Por paraqitja me fanellën e shtetit është tjetër ndjenjë”.

Abdullahu iu bashkua Tiranës në shtator të vitit të kaluar nga Besa e Kavajës.

Portieri i gjatë 199 centimetra karrierën e nisi te skuadra e Llapit, ndërsa ishte edhe te Feronikeli. Ai për Tiranën këtë edicion ka luajtur 12 ndeshje, por në katër takimet e fundit ishte vetëm në stol.

Së fundi interesim për këtë portier ka shprehur Rapid Bukureshti. Me paraqitje sikurse ndaj Gjermanisë, Abdullahun e pret e ardhme e mirë. Ai pret shpejt të ftohet edhe nga Përfaqësuesja A e Kosovës.

Ndeshjen e ardhshme Kosova U21 e luan në shtator në udhëtim tek Izraeli. Më 11 tetor e pret Poloninë U21, ndërsa këtë cikël kualifikues e mbyll më 15 tetor në udhëtim tek Estonia U21.

Abdullahu me U21 të Kosovës i ka dy ndeshje.

LEXO EDHE:

https://www.koha.net/sport/413793/presidenti-i-rapidit-zbulon-te-ardhmen-e-rrahmanit/