Puna e saj e zakonshme është mirëmbajtja në një prej kopshteve të fëmijëve në Vushtrri.
Lidhshmëria emocionale e Ymrije Beqirit me fëmijët e kopshtit bën që inspirimin për veprat e veta ta gjejë te ta.
Në 21 vjet pune në këtë institucion, ajo arriti të bëhej autore e 21 veprave me romane, poezi e monografi.
Pas periudhës së luftës, nuk la derë pa trokitur për një punësim profesional, meqenëse këtë nuk e arriti në moshë të re, shkrimin e aktrimin po i bën realitet tani në moshën 53-vjeçare.
Marrëdhënia e afërt me fëmijët e kopshtit e shtyu Ymrijen që edhe ata të përfshiheshin brenda rreshtave të saj, duke dedikuar libra për ta.
Prej të gjitha veprave, “77 lulëkuqe lirie” është libri që Ymrija e veçon më së shumti.
77 lulëkuqet janë fëmijët e Vushtrrisë që jeta e tyre u shua në luftën e fundit në Kosovë.
Edhe pse Ymrija kujdeset vetëm për mirëmbajtjen e kopshtit, por librat e saj shpeshherë bëhen pjesë të përditshmërisë së fëmijëve, duke filluar nga rrëfimet për ta e deri te poezitë me shkronjat e alfabetit shqip.
Ymrija si të ardhura financiare kryesore ka vetëm pagën që merr nga kopshti, gjë që ia vështirëson botimin e shkrimeve.
Ymrija përpos punës së përditshme në kopsht, në pjesën tjetër të kohës i përkushtohet shkrimeve dhe inspirimeve ditore, por aktualisht është e angazhuar edhe në disa produksione filmike duke realizuar një ëndërr tjetër të kamotshme.