Në shikim të parë nuk ngjan aspak me një xhami.
Kjo është xhamia dyshekullore e fshatit Herticë të Podujevës, e cila ka një histori të veçantë.
Megjithëse nuk ka minare, kjo xhami ka luajtur një rol të rëndësishëm për besimtarët e fshatit dhe zonës përreth deri në vitin 2008, duke ofruar shërbime fetare dhe ceremoni varrimi.
“Xhamia nuk ka minare, por e ka vetëm një venddalje në ballkon, e cila është praktikuar për thirrjen e namazit të xhumasë si dhe për kohën e iftarit”, thekson hoxha Besim Llalloshi.
Ndërtimi me pjesë të drurit si dhe muret prej balte ia japin një atmosferë të veçantë xhamisë, të lidhur ngushtë me traditën dhe stilin e ndërtimit të kohëve të kaluara.
Po ashtu, punimet artizanale të realizuara nga artistët dibranë janë një tjetër element që e veçon këtë xhami, njëjtë sikur përfshirja e një guri të varrezave në strukturën e xhamisë, që, sipas njohësve, daton nga periudha para 300 vjetësh.
Gjithë këto elemente e bëjnë të veçantë arkitekturën e kësaj xhamie
“Gjithçka që shihet në këtë xhami është karakteristike. Diku filluar nga druri, murit është shumë i gjerë. Ajo që e veçon më së shumti këtë xhami është se ndërtimi i saj është tipik sikur kullat e shqiptarëve. Nuk është xhami që e kanë ndërtuar as arabët dhe as turqit, por e kanë ndërtuar bashkëfshatarët tanë në formë të kullës, por ia kanë dhënë formën e një xhamie. Brenda dallohet që e ka ‘mihrabin’, pjesë ku imami e fal namazin, pastaj është ‘hydbeja’, ku hoxha mban ligjëratë. Xhamia si të veçantë ka edhe vizatimet, për të cilat flitet se mjeshtrit Dibran i ka bërë këto punime me emra të profetëve. Këtë gurin e bardhë e kemi gjetur te varrezat, i cili është i vjetër mbi 300 vjet”, deklaron Llalloshi.
Në të kaluarën ky objekt i vjetër është shfrytëzuar edhe si shkollë, ku qindra të rinj kanë marrë mësime fetare, si dhe shkrim e lexim në gjuhën shqipe.
Ndërsa gjatë luftës janë strehuar refugjatë të shumtë.
“Për momentin jemi në klasën e cila është në kuadër të xhamisë. Para dy shekujsh është menduar që kjo xhami ta ketë edhe një klasë për nxënësit. Ka pasur shumë hoxhallarë të cilët kanë zhvilluar mësim fetar. Fokusi kryesor ka qenë mësimi fetar, por këtu janë mësuar edhe shkronjat e gjuhës shqipe. Kjo xhami gjithmonë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin, afrimin e brezave të ndryshëm mes vete. Ndërsa gjatë luftës kjo xhami ka qenë e stërmbushur me refugjatë prej vendeve të ndryshme”, deklaron Llalloshi.
Xhamia, e cila është mbi 200 vjet e vjetër, ende nuk është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore, ndërsa banorët e këtij fshati janë në pritje që ky objekt të marrë statusin e mbrojtjes kulturore, duke u njohur për vlerat e tij arkitektonike, historike dhe fetare.
“Mund ta shohim edhe si është dëmtuar, që të paktën t’ua bëjmë një kërkesë përmes televizionit ministrisë adekuate që nuk i dihet, e marrin përsipër dhe e bëjnë restaurimin e saj. Siç shihet, xhamia është drejt shkatërrimit. Përderisa ky monument mbi dy shekuj, e cila është një kulturë e jona fetare, kombëtare çfarëdo qoftë, po shkon drejt shkatërrimit. Besojmë që të paktën ta fusin në Listë të trashëgimisë kulturore sa nuk është bërë vonë. Vërehet që kanë filluar të shemben muret”, thotë Llalloshi.
Hoxha i fshatit, Besim Llalloshi, tregon për një ndryshim të dukshëm në popullsinë e fshatit. Shumë familje janë larguar që pas luftës, duke bërë që fshati, dikur me mbi 370 shtëpi, të boshatiset.
“Jemi në fshatin Herticë, konkretisht te xhamia e vjetër. Kjo është njëra nga xhamitë më të vjetra në Kosovë. Ende saktësisht askush nuk e di se kur është ndërtuar xhamia e fshatit Herticë. Sipas të parëve dhe gojëdhënave të të parëve tanë, xhamia e fshatit është ndërtuar para 250-270 vjetësh. Në këtë xhami kanë gravituar përafërsisht 6-7 fshatra. Flitet se xhamia e fshatit Brainë ka qenë e ndërtuar para kësaj xhamie dhe banorët e këtij fshati kanë shkuar atje për ta falur namazin e xhumasë. Pastaj shkak i largësisë është ndërtuar kjo xhami nga banorët këtu. Xhamia ka shërbyer si në aspektin fetar po ashtu dhe kombëtar për të mirën e krejt shoqërisë”, tregon Llalloshi.
Për banorët e fshatit Herticë, xhamia dyshekullore ka një rëndësi të veçantë, duke u konsideruar si një simbol kombëtar.