SOT

Xhamia me shqiponjë në minare që shërbeu si ambulancë

Për nga dukja xhaminë e Remnikut e veçon shqiponja e vendosur në maje të minares. Xhamia që ndodhet në qendër të fshatit, është ndërtuar nga vetë banorët. 

Nuk shërbeu vetëm si objekt fetar. Gjatë viteve  ‘90, një pjesë e saj u shndërrua në ambulancë, ku shoqata “Nënë Tereza” i mjekonte banorët të cilët kishin nevojë. 

“Kjo xhami është ndërtuar me kontribut të vetë banorëve. Themelet e kësaj xhamie janë të vendosura mbi atë të vjetrën. Në po këtë xhami është bërë edhe masakra e vitit 1942, e në vitin 1996 është ndërtuar e reja, e cila nga banorët u konceptua e tillë që pjesa sipër të shërbente për rituale fetare, ndërkaq kati përdhes u vendos të shërbejë si ambulancë për nevojat e banorëve. Ambulancën e quajtën “Nënë Tereza”, thotë banori i Remnikut, Ramush Aliu. 

Ai kujton se shërbime mjekësore në këtë xhami kanë marrë jo vetëm banorët e fshatit, por edhe nga fshatrat përreth. 

Thotë se qëllimi i ndërtimit të saj ishte edhe mjekimi i banorëve që i bashkoheshin luftës, në mbrojtje të vendit. 

“Gjatë viteve ’90 dihet që edhe arsimi, edhe shëndetësia janë bërë me vetëfinancim. E për shoqatën ‘Nënë Tereza’, që dihet se ka qenë humanitare, ka ndihmuar me shërbimet e veta edhe këtu, por për pjesën tjetër ka kontribuar komplet fshati dhe ka shërbyer për të gjitha lokalitet jo vetëm për Remnik. Këtë ambulancë e ndërtuan edhe për t’i mjekuar vendësit që iu bashkoheshin luftëtareve për ta mbrojtur vendin”, thotë Aliu. 

Në Xhaminë e Remnikut të Vitisë janë kryer të gjitha mjekimet, përveç operimeve. Vetë Aliu ishte mjekuar aty. 

“Këtu janë kryer të gjitha mjekimet, përveç operacioneve. Kanë qëndruar çdo herë dy mjekë kujdestarë që iu kanë shërbyer vendësve në mënyrë vullnetare”, deklaron Aliu.

Shqiponja e vendosur në minare dhe në muret e Xhamisë është dëshmi e atdhetarizmit të njerëzve që e ndërtuan dhe e atyre që e vizitojnë atë, thotë Aliu. 

“Xhaminë e këtij fshati e bënin të veçantë njerëzit që i kanë pri këtij objekti fetar. Ka qenë një këshillë që përveç aspektit fetar e kanë shikuar edhe aspektin atdhetar, të cilët tregonin që pos se i përkasin besimit islam, para së gjithash, janë shqiptarë. Prandaj patën vendosur që në maje të xhamisë ta kenë shqiponjën e edhe brenda hapësirës së saj”, thotë Aliu. 

Në hapësirën e kësaj ambulance funksiononte edhe barnatorja, ku shpërndaheshin barnat falas. 

Sot ky vend është zëvendësuar me pritore për rast vdekjesh.