Sheshet e Prishtinës u mbushen me babadimra të dielën të cilët morën pjesë në edicionin e 9-të të mini-maratonës “Vrapo Babadimër”.
Rreth 5 mijë persona morën pjesë në këtë aktivitet që kishte për qëllim mbledhjen e fondeve për fëmijët në nevojë dhe ata që trajtohen në Klinikën e Hematoonkologjisë të QKUK-së.
Nina Jakupi, një 10-vjeçare nga Prishtina prej vitesh mbështet këtë kauzë humanitare.
Babai i saj, Artan Jakupi, tha se ishte pjesëmarrës kryesisht për të mbështetur Ninën dhe për t’ia realizuar dëshirën e saj që ta shihte të veshur si babadimër.
“Këtë herë në ‘Vrapo babadimër’ më ka mbështetur babai. Shpresoj të ketë më shumë aktivitete sikurse ky, për t’i ndihmuar të tjerët. Gjatë vrapimit me babin ka qenë e lehtë, por edhe pak e vështirë sepse ka qenë pak ftohët”, thekson Nina.
“Këto janë aktivitete të mira. Kam marr pjesë më shumë si shkak i Ninës, me mbështet atë. Kemi kaluar shumë mirë. E kemi edhe një arsye tjetër pse jemi ardh në këtë aktivitet, Nina ka pasur gjithmonë dëshirë të vishem si babadimër dhe sot iu realizuar dëshira”, shton babai i saj Artani.
Organizatori Jusuf Islami, deklaroi se fondet e mbledhura nga shitja e kostumeve të babadimrit do të përdoren për t’i ndihmuar fëmijët në nevojë.
E aty morën pjesë edhe fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët ishin integruar në aktivitet.
“Nga kjo kauzë këna me gëzuar shumë fëmijë nga Klinika e Hematoonkologjisë, Jora ka qenë në këtë klinikë para 4 vjetësh dhe bashkë me të e prezantuam këtë aktivitet. Kjo tash gëzon shëndet të plotë. Ndërsa urani është fëmijë autik që e kem bërë udhëheqjen e programit. Të dy kanë pasur dëshirë të më bashkohen në kauzë, me qejf i kam pranuar. Andaj ky aktivitet po pëlqehet çdo herë. Edhe Blerina është me aftësi të kufizuara, ajo na ka përcjell nga edicioni i parë deri më sot. Si synim, qëllim është t’i dalim në ndihmë shumë familjeve për festat e fund vitit. E rëndësishme është se medalje ka pasur për të gjithë vrapuesit, pa dallim kush arrin i pari apo i fundit”, thekson Islami.
Drejtuesit e Komunës së Prishtinës premtuan mbështetje për aktivitete të tilla.
“Është një ditë e mrekullueshme, përveç që është një minimaratonë e shkëlqyeshme dhe interesante, me ma shumë se 5 mijë babadimra, është edhe çështje humanitare. Pra të gjitha të ardhurat u shkojnë në repartin e onkologjisë por edhe fëmijëve të tjerë kudo që janë në Kosovë që kanë nevojë për ndihmë. Prandaj edhe ne jem përkrahës si kryeqytet, e do ta përkrahim çdo vit. Ky aktivitet po e vë në pah Prishtinën edhe në lajme të mediumeve boterore, për të mirë”, deklaroi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Vrapo Babadimër” ka krijuar tashmë një traditë në Prishtinë, e cila pos Komunës së Prishtinës mbështetet edhe nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë KFOR-i.