E kishin ndërtuar për të kaluar vetë pushimet me familjen e ngushtë, por kërkesat që i vinin nga të afërmit për të kaluar kohën e lirë në këtë vend bënë që familja Maliqi të lëshonte vilën e tyre në Jezerc me qira.
Të gjitha detajet janë të punuara me dru, e duke iu përshtatur ambientit malor.
Leoni tregon se festat e fundvitit është periudha kur më së shumti shtohen kërkesat për vilën.
E për këtë vit të ri, vila është rezervuar për familjen e ngushtë Maliqi.
Meqenëse Jezerci është vend malor e i njohur për turizmin dimëror, problem vazhdon të jetë infrastruktura e mungesa e energjisë elektrike, që shpeshherë bënë që turistët t’i pezullojnë pushimet këtu.
E kryetari i Jezercit, Nazmi Baliu, thotë se fshati i lindjes mbetet i preferuar në festat e fundvitit pikërisht për shkak të kushteve atmosferike që i ofron, por problemet me mosinvestim nga pushteti lokal ka bërë që banorët t’i lënë shtëpitë e tyre.
Ai thotë se investitorët në këtë pjesë duhet të kenë parasysh që vilat duhet t’i përshtaten vendit malor.
Jezerci ndër vite ka ndryshuar shumë, rreth 300 shtëpi sa kishte dikur, tani kanë mbetur 20. Atje më shumë banohet në kohë festash nga turistët e vendeve të ndryshme, pikërisht në vilat e ndërtuara këtu.