SOT

Veturat e dëshmorëve, vlerë historike nga lufta e fundit në Kosovë

Një çerek shekulli ka kaluar, por këto dy vetura mbeten dëshmi e një tragjedie të luftës së fundit në Kosovë.

6 nëntori i vitit 1998 shënoi një akt heroizmi në Opterushë të Rahovecit. Xhelal Hajda – Toni dhe Selajdin Mullabazi – Mici, në përpjekje për të ndihmuar bashkëluftëtarët e Vushtrrisë, u përballën me forcat serbe. Sipas dëshmitarëve të zonës, ata luftuan deri në frymën e fundit, pa u dorëzuar para armikut.

Në ditët e sotme, veturat pothuajse të shkatërruara janë kthyer në një vlerë historike, simbol i qëndresës dhe sakrificës së heronjve që dhanë jetën për liri.

“Toni dhe Mici’, kanë pasur rol të rëndësishëm. Kanë qenë ndër njerëzit që janë marr me riorganizimin e strukturave të UÇK-së, prandaj edhe kanë qenë bartës të zhvillimit të luftërave në teren të betejave. Përfundimi i tyre është shumë heroik, tragjik, ‘Toni dhe Mici’ asnjëherë nuk u janë shmangur vështirësive, ballafaqimeve e rreziqeve.  Dhe kjo ka ndodhur edhe në Apterushë, pikërisht me 6 nëntor të vitit ’98, ku ‘Toni dhe Mici’, duke dashur të kalojnë disa shok që kishin ardhur nga Vushtrria, përmes maleve të Pashtrikut në zonën e UÇK-së, në Llapushë dhe më tutje në Drenicë e Vushtrri. Ndeshen përball me forcat serbe të motorizuara sigurisht dhe avantazhi i tyre dihet ishte shumë më i madh në raport me ushtarët e UÇK-së. Ata bien heroikisht bashkë me tre shok nga Vushtrria Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti, Nezir Ymeri, të cilët vriten në këto dy makina të cilat tashmë janë monumente të kulturës dhe historisë sonë”, deklaron zyrtari nga Drejtoria e Kulturës Qemajl Krasniqi.

“Selajdin Mullabazi fillimisht iu është bashkuar me shokët e UÇK-së në Drenicë. Ndërsa Xhelal Hajda ka ardhur nga Kroacia, i cili ka marr pjesë në luftën e Kroacisë kundër serbëve dhe më pas është bashkuar me shokët në zonën e Dukagjinit, me komandantin Ramush Haradinaj, e më pas ka kaluar në zonën e Rahovecit. Më pas zhvillimet në Rahovec dihen, ka ndodhur dalja e batalionit të Rahovecit, ku ‘Toni dhe Mici’, kanë pasur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në organizimin dhe strukturimin e UÇK-së”, ka shtuar ai.

Vendi ku Toni dhe Mici ranë për lirinë e Kosovës është shndërruar në një hapësirë kulturore-historike.

“Në fat jem mu në vendin ku ka ra ‘Toni dhe Mici’ me tre shokët e tyre nga Vushtrria. Në nderim të tyre dhe menjëherë pas luftës, por edhe me kontributin e shokëve, është ndërtuar kjo përmendore e këtyre heronjve. Dhe një shenjë respekti këtu janë bërë homazhe për vite me radhë. Deri sa komuna ka marr vendim ta ndërtoj edhe një kullë në shenjë kujtimi dhe nderimi për heronjtë. Lavdia e tyre nuk mund të përmblidhet vetëm në një kullë, por është një vend, ku është shndërruar në zonë pelegrinazhi, ku njerëzit vijë ta vizitojnë. Për përvjetorë vinë edhe familjarët e heronjve dhe të tjerëve”, ka deklaruar Krasniqi. 

Përmes këtyre veturave, të cilat u përkasin luftëtarëve të vrarë, dhe kullës që është ndërtuar më vonë, por që mban brenda histori të luftës, gjeneratat e reja mund të mësojnë për heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Toni e Mici janë rivarrosur në ’’Kopshtin e Luleve’’ në Rahavec në krye të bashkëluftëtarëve të tyre, ndërsa dëshmorët e Shalës pushojnë në Bletajë të Vushtrrisë.