SOT

Veterineri ndërton strehimore për qentë endacakë në Vushtrri, i kushtoi 100 mijë euro

Një investim me të hyra vetjake është bërë së fundi nga një veteriner në fshatin Studime e Poshtme e Vushtrrisë. Fevzi Gërxhaliu e hapi një strehimore në këtë fshat për ta lehtësuar gjendjen me qentë endacakë në qytetin e Vushtrrisë. Ai flet për standardin që e gëzon kjo strehimore e njëkohësisht edhe trajtimet që mund të kryhen brenda saj, të cilat i realizon vetë si veteriner me 40 vjet përvojë punë.

Është veteriner prej afro 40 vjetësh. 

Me investim vetjak, veterineri Fevzi Gërxhaliu ndërtoi strehimoren e qenve endacakë në fshatin Studime e Poshtme e Vushtrrisë. 

Ndërtimi i kësaj strehimoreje i kushtoi Gërxhaliut mbi 100 mijë euro. Thotë se ka qëllim ta zbusë sadopak prezencën e madhe të qenve endacakë nëpër sheshet e qytetit. 

“Duke e parë gjendjen në Kosovë me qentë endacakë, kam menduar ta bëj një investim të tillë për krijimin e kësaj strehimoreje që sado pak ta zbus gjendjen dhe njerëzit të kenë mundësi të lëvizin lirshëm e këta qenë endacak të trajtohen në mënyrë humane”, ka thënë ai.

Kjo hapësirë në Komunë të Vushtrrisë sipas Gërxhaliut i plotëson të gjitha kushtet për strehimin e qenve. 

E ndarë në dy hapësira strehimorja është ideuar nga vetë Gërxhaliu, i cili ka kërkuar ndihmën e arkitektit. 

“Kjo strehimore i gëzon të gjitha kushtet standardet e kërkuara sipas udhëzimit administrativ për licencimin e strehimoreve në Kosovë, ku këtyre qenve ju ofron një ambient të sigurt dhe trajtim të duhur. Ideja për t’u duk kështu ka qenë e imja, porse kam kërkuar ndihmë nga një arkitekt në mënyrë që ta ketë këtë pamje që sot e ka ky vendstrehim për qentë”, ka thënë tutje ai.

E qytetarët kanë filluar të shprehin interesim për adaptimin e qenve. 

Për këtë, veterineri thotë se janë disa kritere që duhet përmbushur. 

“Një lajm i mirë që na gëzon është fakti që strehimorja është pranuar mirë nga vendësit në këto pak ditë që është hapur. Menjëherë një çift është lajmëruar që ta adaptoj një qen, e që sigurisht kemi folur me ta fillimisht për kushtet që duhet t’i plotësojnë para se ta marrin në adoptim. Duke filluar nga vendi ku e mbajnë e deri te mënyra e trajtimit, ushqimit etj”, ka thënë Gërxhaliu.

Strehimorja ka kapacitet për 80 qen endacakë ndërsa aktualisht këtu janë strehuar rreth 30 të tillë. 

Operimet e trajtimet mjekësore në këtë strehimore i kryen vetë Gërxhaliu. 

Me ta kuptuar informacionin për hapjen e strehimores, Gërxhaliu thotë se ka filluar lënia e këlyshëve të vegjël afër saj, e kjo sipas tij është shqetësuese.