Adoleshentët e sotëm nuk janë si ata të gjeneratave të mëparshme, sipas profesionistëve të shëndetit mendor.
Psikologia Mirjeta Pestisha, përveç ndryshimeve hormonale që janë të zakonshme në këtë periudhë, thotë se faktorë të tjerë, si ndikimi i teknologjisë dhe dëshira për dominim ndaj të tjerëve ndihmojnë në shtimin e sjelljeve agresive dhe impulsive tek adoleshentët.
“Në ditët e sotme kemi adoleshentë më sfidues e të vështirë, nisur nga fakti se adoleshentët e kanë të vështirë të menaxhojnë vetën e tyre. Në adoleshencë hormonet ndryshojnë, por kemi edhe faktorë të tjerë që nxisin ata të bëjnë veprime të pamenduara dhe nën afekt. Disa nga faktorët mund të jenë teknologjia dhe rrjetet sociale dhe adoleshentët duan të jenë dominues ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj familjarëve dhe prindërve, në veçanti në Tiktok kur shohin pamje ideale nxisin fuqi për ta treguar karshi të tjerëve dhe duan të dominojnë në mesin e të tjerëve”, ka deklaruar ajo.
Ajo thekson se mungesa e prindërve për shkak të angazhimeve të shumta ndikon negativisht në mënyrën se si rriten fëmijët, duke e bërë të vështirë ndjekjen e sjelljes së tyre.
“Një faktor që ndikon në agresivitetin e tyre është edhe edukata dhe disiplinimi që prindërit po e përdorin, të dy prindërit janë të ngarkuar në punë dhe fëmijët rritën pa prezencën e tyre prandaj ata nuk munden me qenë kontrollues ndaj fëmijëve, ndaj impulsivitetit të tyre. Jeta dinamike bënë që adoleshentët të marrin vendime si dhunimi, rrahjet, e madje edhe vrasje”, u shpreh psikologia.
Psikologia shton se, ndonëse sot fëmijët kanë më shumë vëmendje nga prindërit, kjo shpesh shoqërohet me liri të tepruar që mund të rezultojë në mungesë autoriteti brenda familjes.
“Fëmijët e gjeneratave të mëhershme nuk kanë pasur vëmendjen që e kanë fëmijët e ditëve të sotme, por atëherë fëmijët kanë qenë brenda familjes të përfshirë në punë të shtëpisë, kontrolli dhe autoriteti karshi fëmijëve ka qenë më i lartë, tani me vëmendjen e plotë tek fëmijët nuk do të thotë se është në të mirën e situatës, e po ashtu liria e tepërt e fëmijëve duhet menaxhuar. Me fëmijët duhet punuar që nga dita e parë, nuk duhet kritikuar fëmijët për çdo veprim sepse ata e ndjejnë presionin dhe atë mllef më pas e shfaqin në periudhën e adoleshencës, nuk jam pro që fëmijët të jenë shokë ose shoqe me prindërit, prindërit duhet të marrin vendime për ta dhe fëmijët duhet të dinë autoritetin e prindit dhe të respektohet si i tillë”, ka shtuar ajo.
Në anën tjetër, sociologu Granit Muja shpjegon se adoleshentët ndikohen lehtë nga ajo çfarë ndjekin në rrjete sociale dhe ato modele duan t’i përvetësojnë.
“Adoleshentët pse janë agresiv sidomos meshkujt është për shkak të rritjes së komunitetit manosfera që për bazë kanë me shpërnda ideologji seksiste, ka shumë persona që janë influencer ikona që fëmijët i përcjellin dhe besojnë në ideologjinë e tyre dhe ata fëmijë që marrin shembuj të tillë janë të mundshme rastet që ata të jenë dhunues në të ardhmen por prindërit duhet me qenë të kujdesshëm dhe të kontrollojnë telefonat dhe përmbajtjen që fëmijët e tyre e ndjekin”, ka deklaruar Muja.
Sipas tij, pas pandemisë është rritur numri i rasteve me probleme të shëndetit mendor në Kosovë, si dhe përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë.
“Sipas statistikave në Kosovë kohëve të fundit ka më shumë persona që vuajnë nga problemet me shëndetin mendor, si stresi, ankthi e shumë të tjera pastaj 36% e adoleshentëve tanë përdorin cigare çdo ditë, 7% përdorin alkool dhe 1.7% kanë përdorur droga të ndryshme, prindërit duhet të jenë më të vëmendshëm dhe mbështetës ndaj fëmijëve e t'i lëmë të lirë dhe mos t'i kemi pritshmërinë e prindërve ndaj fëmijëve prioritet por duhet mbështetur fëmijët në ëndrrat e tyre”, ka theksuar ai.
Në fund, edhe platformat si “Netflix” kanë nisur të trajtojnë këto tema përmes serialeve që fokusohen në jetën e adoleshentëve, presionin shoqëror, dashurinë e parë dhe marrëdhëniet me prindërit. Ekspertët shëndetësorë bëjnë thirrje që prindërit të jenë më të vetëdijshëm dhe të përfshirë në jetën digjitale të fëmijëve të tyre.